E Diel, 1 Nëntor 2026

Biden premton mbështetje maksimale për Afganistanin

Zëvendës Presidenti i zgjedhur amerikan Xho Bajden ka takuar Presidentin afgan Hamid Karzai gjatë një vizite në Afganistan, vend i cili do të jetë prioritet i politikës së jashtme të administratës së re të drejtuar nga Obama. Një nga vendimet e para të Obamës pritet të jetë vendosja e 30 mijë trupave të tjera shtesë në Afganistan në përpjekje për frenimin e fuqizimit të rebelëve talebanë, përpara se në vend të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme që priten në shtator të këtij viti. Bajden gjithashtu është takuar me gjeneralin Dejvid Mekkirnen, komandantin e 65 mijë trupave ndërkombëtare prezente në Afganistan. Më herët Bajden është takuar edhe me Përfaqësuesin special të OKB-së në Afganistan Kai Eide, me të cilin ka diskutuar për cështjen e sigurisë, reformat politike dhe bashkëpunimin rajonal. Bajden, i cili ka udhëtuar shumë herë drejt Afganistanit në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Jashtëm në senatin amerikan, cilësohet nga diplomatët si një njohës i mirë i këtij vendi. Përforcimi i parë me tre mijë trupa i forcës ndërkombëtare në Afganistan pritet të bëhet gjatë këtij muaji.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›