E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haradinaj ne Mitrovice

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zgjedhur qytetin e Mitrovicës për të realizuar vizitën e parë për këtë vit.

Pas paralajmërimit të shefes së diplomacisë europiane, Catherine Ashton, se në takimin e 17 janarit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiç do të flitet edhe për veriun e Kosovës, Haradinaj ka thënë se dialogu e ka një kornizë dhe nuk pret ndonjë befasi.

Ai ka thënë se pret përmirësimin e kushteve dhe mundësive se si të zbatohet Pakoja e Ahtisaarit në këtë pjesë të Kosovës dhe pastaj integrimin e qytetarëve të kësaj ane, ndërsa i pyetur nëse pret që nga takimi i 17 janarit të filloi shpërbërja e strukturave paralele të Serbisë që funksionojnë në veri, Haradinaj tha se ndoshta jo menjëherë nga ky takim, por pret që të shkohet kah një transformim i gjendjes ekzistuese.

”Dialogu e ka një kornizë nëpër të cilën zhvillohet. Ne nuk presim befasi në këtë kornizë. Presim që të përmirësohen kushtet dhe mundësitë si të zbatohet Pakoja e Ahtisaarit edhe në pjesën e veriut, për të integruar qytetarët e atjeshëm. Ndoshta jo menjëherë, në këtë takim, por shkohet në atë drejtim. Pra, shkohet drejt  një transformimi tëi gjendjes ekzistuese në një gjendje të re të Pakos së Ahtisaarit, pra vetëqeverisin në bazë të Pakos së Ahtisaarit”, deklaroi lideri i AAK-së, Haradinaj.

Ai e bëri këtë deklaratë pas homazheve që bëri tek shtatoret e heronjëve Mehë Uka dhe Isa Boletini, që ndodhen në pjesën jugore të qytetit.

Ndërkohë, shefja e diplomacisë europiane, e cila ndërmjetëson dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke folur për mediat në Prishtinë ka hedhur poshtë mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe duke thënë se “ndarja nuk është opsion” e ka quajtur situatën e tashme në veri të Kosovës si “të paqëndrueshme”.

Gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, është bërë publike platforma serbe, ku synohet autonomi territoriale për pjesën veriore të Kosovës. Platforma është kundërshtuar menjëherë nga Prishtina zyrtare e cila e ka cilësuar atë si një plan antieuropian, dhe kundër paqes në Kosovës e rajon.

“Ai projekt do të mbetet në sirtarët e dëshirave të Beogradit, siç kanë qenë të gjitha projektet që nga Garashanini deri te presidenti aktual Nikoliç”, pati deklaruar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, menjëherë pas publikimit në media të kësaj platforme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›