E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj sqaron opinionin, nuk fshihem prapa asnjë objekti

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka sqaruar opinionin publik se nuk fshihet prapa asnjë objekti në Kosovë. Ky sqarim i deputetit Haradinaj, vjen pas raportimeve në media kohë më parë dhe zërave të fundit që po qarkullojnë në opinion se kinse Haradinaj fshihet pas disa objekteve në Kosovë.

“Për hir të sqarimit të opinionit publik, rreth spekulimeve të pandërprera në emrin tim, deklaroj se ndaj çfarëdo objekti në Kosovë, që fshihet prapa emrit tim, duhet të merren masat më të ashpra. Ndërsa, ata që janë përgjegjës, do të mbahen përgjegjës për mosveprim në këtë drejtim. Andaj, e përsëris se çdo ndërtesë apo objekt që përfolët, duhet të rrënohet”, thuhet në sqarimin e Haradinajt.

Gjithashtu, ai ka deklaruar publikisht se çdo biznes që operon në Kosovë dhe që nuk iu përgjigjet ligjeve të Kosovës, duhet të mbyllet sa më parë, kurse personat përgjegjës duhet të dalin para drejtësisë. Ata që janë përgjegjës dhe nuk veprojnë, duhet po ashtu të ndëshkohen, pavarësisht se kush janë ata.

“Deklaroj haptas dhe me përgjegjësi të plotë se përpos asaj që është deklaruar në formularët zyrtarë të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, nuk posedoj asnjë objekt apo pronë tjetër”, ka thënë ai.

Në këtë aspekt, për të gjitha përfaljet dhe mosveprimin e organeve kompetente, deputeti do t’i mbajë përgjegjës pikërisht këto organe apo mekanizma përgjegjës, si të përfshirë në këto tema denigruese kundër emrit të tij.

Ai i ka ftuar publikisht institucionet qendrore dhe ato lokale që t’i rrënojnë të gjitha objektet, të cilat spekulohet dhe përflitet se janë në emrin e tij dhe që janë të ndërtuara pa leje.

“Nëse këto institucione nuk e bëjnë këtë, atëherë konsideroj se përgjegjësit e këtyre institucioneve janë vetë të përfshirë në këto afera dhe se një ditë ata do të përgjigjen”, ka thënë deputeti Daut Haradinaj.

Ai iu ka bërë thirrje, gjithashtu, institucioneve të vendit që t’i arrestojnë dhe të ngrisin padi kundër të gjithë atyre që po vëjnë haraq, që po reketojnë dhe që janë të përfshirë në fajde, anembanë vendit.

Institucionet përgjegjëse e dinë mirë se kush janë këta njerëz, dhe nëse nuk veprojnë në këtë drejtim, atëherë vetë njerëzit që i udhëheqin këto institucione do të jenë përgjegjës dhe një ditë ata do të përgjigjen.

Haradinaj i thërret qytetarët e Kosovës që ta denoncojnë çdo rast të tillë, për të cilin kanë informacione apo që mund të jenë përballur edhe vetë me persona të tillë.

“Qytetarët e Kosovës, i garantoj me përgjegjësi të plotë morale e publike, se të gjithë ata që kërkojnë haraq dhe bëjnë reket, që ndërtojnë pa leje apo që në çfarëdo mënyre bijnë ndesh me ligjin, janë armiqtë e mi, të familjes sime dhe të subjektit politik të cilit i takoj”, ka deklaruar Haradinaj.

Në fund ai thotë se, gjithçka e tillë apo e ndonjë natyre tjetër, që thuhet e dhe spekulohet në emrin tim, nuk është e vërtetë dhe është rrenë me qëllime të këqij ndaj meje, familjes sime dhe kolegëve të mi./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›