E Diel, 1 Nëntor 2026

“Anonimët” e Asociacionit s’e kanë idenë se çfarë do bëjnë

Askush nuk ju ka thënë asnjë fjalë se çfarë do bëjnë e as me çfarë sakt do të merren. Ekipit prej katër serbëve të zgjedhur për krijimin e Asociacionit të Komunave të veriut askush nuk i është paraqitur prej ditës kur ju është kumtuar lajmi se janë bërë pjesë e ekipit menaxhues për krijimin e Asociacionit të Komunave të Veriut. Të gjithë pjesëtarët e këtij ekipi pothuajse askush nuk i njeh për punën e tyre përçka Oliver Ivanoviq i quan “anonimë dhe të paaftë për detyrën që e kanë marrë përsipër”.

Udhëheqësja e delegacionit kosovar në Bruksel, Edita Tahiri, megjithatë thotë se ata janë “filtruar” paraprakisht nga Institucionet relevante kosovare para se të pranohen si propozime për këtë ekip.

Një prej pjesëtarëve të ekipit e pranon që deri më tash ka punuar dhe është paguar edhe nga qeveria e Serbisë edhe ajo e Kosovës. Dragan Jablanoviq nga Leposaviqi i tha Indeksonline përmes telefonit se as pjesëtarët e ekipit në fjalë nuk e kanë idenë për njëri tjetrin.

“Vetëm atë ditë kur jemi zgjedhur, jemi takuar për 15 minuta, kemi shkëmbyer telefonat dhe prej atij momenti as edhe një gjë më shumë”, deklaroi Jablanoviq.

Më 14 qershor zyra e Përfaqësuesës së Lartë për Politikë të Jashtme e BE-së, Catherine Ashton njoftoi se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel janë pajtuar për përbërjen e ekipit menaxhues. Pjesë të këtij ekipi përpos Dragan Jablanoviq janë zgjedhur dhe, Igor Kalamar, Ljubomir Mariq e Dejan Radojkoviq.

Ky ekip ka mundësi që të mërkurën e javës tjetër do e marrë edhe aprovimin e palës kosovare gjatë mbledhjës së radhës të Qeverisë së Kosovës.
Komunikata e Zyrës së Ashton nuk jep kurrfarë sqarimi se cilat janë sakt detyrat e këtij ekipi dhe kush janë këta njerëz. Zëdhënësja e Ashton, Maja Kocijançiq, në pyetjet e Indeksonline është përgjigjur shkurt dhe prerë. “Pyetjet për këtë duhet t’ia drejtoni palëve të përfshira në dialog”.

Dargan Jablanoviq, pjesëtarë i Partisë Socialiste të kryeministrit Ivica Daçiq, përmes telefonit ka sqaruar se ai ka qenë kryetar i Komunës së Leposaviqit prej dhjetorit të vitit 1996 deri më 1 Maj të vitit 2001. Para kësaj periudhe ka qenë sekretar për gjashtë vjet ndërsa ka mbajtur edhe pozitën e kryetarit të Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Leposaviqit. Ai e pranon që pas luftës së Kosovës ka punuar edhe me qeverinë e Serbisë dhe më atë të Kosovës dhe është paguar nga të dyja.

“Unë ka kohë që jam person jo-politik dhe merrem me çështje sociale. Për të shtyer para çështje sociale që siç mund të paramendoni janë shumë të mëdha dhe të rënda në veri, unë kam punuar me të gjithë, edhe me ndërkombëtarët. Herë jam sharë si ‘tradhëtar’ prej serbëve e herë jam kritikuar ashpër prej shqiptarëve, por unë thjeshtë e kam bërë punën time për hir të çështjeve sociale”, ka deklaruar Jablanoviq.

Kalamar, Mariq dhe Radojkoviq janë banor të Mitrovicës, Zveqanit dhe Zubin Potokut. Këta të tre janë nga radhët e “Nove Srbije” dhe Partisë Përparimtare Serbe, kjo e fundit partia e Presidentit serb, Tomislav Nikoliq.
Igor Kalamar është punonjës i Agjencisë Pyjore të Serbisë. Është më shumë i njohur si pronar i kafe-klubit që gjendet në qendër të pjesës veriore të Mitrovicës.

Ljubomir Mariq është i punësuar në stafin menagjues të “Trepçës”, pjesa që udhëhiqet nga serbët ndërsa “Politika” e Beogradit raporton se banorët e Mitrovicës dhe Zveqanit e njohin më shumë si i ikur nga Kroacia. Dejan Radojkoviq, anëtar i Partisë së Presidentit serb, Tomislav Nikoliq, jeton në Zubin Potok dhe merret me dyqanin e ti privat.
Biografia e sidomos tre të sipërpërmendurve nuk e ka befasuar për të mirë Oliver Ivanoviqin. Ish sekretari i Ministrisë për Kosovën në Qeverinë e mëparshme të Serbisë i ka thënë Indeksonline-it se megjithatë prapa emrave të ekipit do të qëndrojë një grup ekspertësh që do ta kryejnë shumicën e punës.

“Këta emra nuk janë fortë të interesantë, apo më rendësi, ngase prapa tyre do të jetë ekipi i ekspertëve që do ta bëjnë punën. Po ma merr menja se emërimi i tyre është veç sa për të shkuar procesi përpara, ngase ndryshe mendojë nuk janë aq të aftë për ta kryer atë punë. Pra këta nuk po më dukët që janë ekspertë.”, tha Ivanovic.

Ekspertë apo jo, Qeverisë së Kosovës i ka interesuar që këta të propozuarit e Beogradit të mos jenë udhëheqës i komunale ilegale.

“Të gjithë emrat e anëtarëve të grupit menaxhues janë qytetarë të Republikës së Kosovës për të cilët janë bërë analiza nga institucionet relevante. Dihet se cilat janë kriteret; të jetë qytetarë i Kosovës, të mos jetë nën hetime, biografia e tyre, pra historia e të kaluarës. Po ashtu një kriter i yni i cili ka qenë vi e kuqe, ka qenë që kryetarët ilegal të strukturave paralele nuk mund të jenë pjesë e këtij grupi menaxhues”, tha udhëheqësja e grupit negociatorë të Kosovës, Edita Tahiri.

Shefja e delegacionit dialogues kosovar, Edita Tahiri, i ka sqaruar “Indeksonline” se të propozuarit nga qeveria serbe për këtë ekip janë analizuar mirë e mirë para se të pranohen.

“Ato institucione natyrisht na kanë komunikuar rezultatet e analizave, ku për këta persona kanë ardhur rezultate pozitive”. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›