E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani: PS po bëhet si Partia e Punës

 "Z. Rama lëviz brenda të njëjtit pellg me ujë të ndenjur, duke bërë herë armik miqtë dhe herë miq armiqtë. Unë besoj se PS-ja nuk është Partia e vjetër e Punës, ku problemet dhe armiqtë e radhës kritikoheshin në salla të mbyllura, ku të gjithë prisnin sesi do të rrudhte vetullat diktatori", thotë deputeti Harasani. 

Në intervistën e tij, ai i jep përgjigje kritikave për rolin e tij përballë PS-së, si dhe komenton zhvillimet e pritshme në Kongresin e nëntorit. Paralajmërimin për përjashtimin e deputetëve kritikë nga PS-ja në këtë Kongres, Harasani e komenton me fjalët: "ky do të ishte turpi i PS-së në periudhën që drejtoi Rama".

"Kjo fatkeqësisht do të vërtetonte autoritarizmin e Ramës dhe regresin e PS-së drejt praktikave të PPSH-së. Nga ana tjetër, ky është detaji që më shqetëson më pak se çdo gjë tjetër. Këtu ndryshoj unë nga zoti Rama dhe shumë kolegë të tjerë. Për mua e rëndësishme është që PS-ja të kthehet në PS-në që duan socialistët dhe jo të vazhdojë të vegjetojë me vulën e përhershme të opozitës në xhep", thotë deputeti socialist, cituar nga “Mapo”.

"Nuk e dua partinë time si një OJF, që vepron me orar zyrtar; tani është verë dhe do të bëjmë një muaj pushim, pastaj është vjeshtë dhe do të bëjmë pak bojkot, në dimër do bëjmë ca protesta dhe pastaj po vijnë zgjedhjet dhe të nxitojmë të bëjmë sikur bëjmë ndonjë punë apo ndonjë program. Lexova para disa ditësh një nga miqtë dhe socialistët më të devotshëm që njoh, që theksonte se PS-ja do të zgjedhë strukturat e saj drejtuese në kongresin e ardhshëm. Më habiti që ai vetë nuk shqetësohej për shkeljet e njëpasnjëshme të statutit dhe sidomos për faktin që këto struktura kanë kohë që kanë qenë inekzistente", përfundon Harasani. /Start/

                                                                                             2011-08-23 13:22
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›