Autokratët se lënë pushtetin pa e çuar vendin në buzë të greminës
Udhëheqësit demokratë ndryshojnë nga ata autokratë në shumë drejtime. Por ka një ndryshim themelor mes tyre, që është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendet që qeverisin. Një udhëheqës demokrat i përgjigjet protestave popullore me dorëheqje ose zgjedhje të reja. Ndërsa një autokrat i përgjigjet me plumba. Dhe historia ka treguar se autokratët vazhdojnë ti përdorin plumbat deri në minutën e fundit, kur vendi ka shkuar në buzë të greminës.
Moammar Gadhafi, autokrati që ka sunduar Libinë për katër dekada, nuk bën përjashtim nga autokratët e tjerë. Madje ai mund të jetë një shembull i shquar ndër ta. Pasi trupat e kryengritësve dhe popullsia e Tripolit, kryeqytet të Libisë, morën në kontroll pothuaj gjithë qytetin dje, u duk se Gadhafi nuk do të përdorte më plumbat pra, do ta dorëzonte pushtetin. Por, në fakt, trupat besnike të tij, të ngujuar në tre lagje të ndryshme të Tripolit, vazhduan të qëllojnë kundër çdo qenie të gjallë që lëvizte në rrugët përreth tyre.
Një nga djemtë e Gadhafit, i kërkuar për krime lufte nga Gjykata e Hagës, tha mbrëmë vonë në një intervistë me CNN, se babai i tij ishte shëndoshë e mirë në Tripoli dhe se forcat besnike të tij do ta merrin shpejt në kontroll qytetin dhe do tua ndreqin mirë kurrizin atyre minjve dhe gangsterëve që guxuan ta sulmojnë atë. Sot në mëngjes CNN raportonte se të shtënat vazhdojnë të lokalizuara në tri lagjet ende të kontrolluara nga forcat e Gadhafit.
Respublica.al