E Diel, 1 Nëntor 2026

Harasani: S’pranojmë më bojkotin, do të hyjmë në Kuvend

12/01/2010  Kundërshtarët e Ramës ritheksojnë qëndrimin e tyre
“Dyshoj se Asambleja do të marrë vendim për të hyrë në Kuvend”
Deputetët e Partisë Socialiste përfaqësues të lëvizjes për mendimin ndryshe brenda kësaj partie do të kthehen në Kuvend, pavarësisht linjës zyrtare të kësaj partie. Ajo çka ishte thënë dhe më parë u ripërsërit sërish dje nga deputeti socialist Andis Harasani. “Jam i sigurt se brenda janarit apo shkurtit do të ketë një mbledhje të Asamblesë së Partisë Socialiste, ku do të vendoset mbi një çështje të tillë. Unë dyshoj se do të merret vendimi për të hyrë në Parlament. Të mos harrojmë se ky qëndrim u kushtëzua me hapjen e kutive. Ka qenë një qëndrim i vendosur i zotit Rama, ku është kërkuar hapja e kutive dhe, në qoftë se kutitë nuk hapen, nuk hyjmë në Parlament. Me logjikë për sa kohë kjo kërkesë nuk është realizuar ky kusht, nuk shoh se si mund të hyhet në Parlament. Në lidhje me qëndrimin tonë ne kemi thënë se do të presim deri në një kufi të logjikshëm dhe pastaj do të vendosim”, - vuri në dukje Harasani gjatë një prononcimi për shtyp, duke sqaruar në këtë mënyrë pozicionin e kësaj lëvizje. Nga ana tjetër Harasani akuzon kryetarin Rama se nuk ka mbledhur prej 3 muajsh kryesine e partisë, ndërkohë që vijon mbledhjet me aleatët, duke shkelur hapur kështu statutin e partisë që drejton. Ndërkohë ndalur në situatën katastrofike në zonat veriore, deputeti socialist, njëkohësisht ish-drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, kërkoi nga qeveria shqiptare të rishikojë menjëherë marrëveshjet hidrike me shtetet fqinje, pasi ato ekzistueset datojnë që në kohën e ish- Jugosllavisë. “Fatkeqësisht, është një marrëveshje që është e kohës së Jugosllavisë së Titos, e cila nga ana maqedonase herë respektohet dhe herë jo. Me sa kam dëgjuar, është në plan që të rishikohet ajo marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase dhe të përpilohet një marrëveshje e re, e cila mendoj se duhet të jetë midis 4 shteteve. Tashmë është një realitet i ri në Ballkan dhe kjo marrëveshje duhet të jetë midis Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Shqipërisë” , - vlerësoi Harasani gjatë fjalës së tij lidhur me këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›