E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Katastrofa dhuratë nga Berisha

12/01/2010  Situata në Shkodër, kreu socialist kërkon faturën e dëmit
Lidershipi i Partisë Socialiste i mëshon me forcë faktit se përmbytjet në Veri të vendin erdhën si shkak i papërgjegjshmërisë qeveritare. Duke hedhur poshtë të gjitha deklaratat e ardhura nga ana e qeverisë mbi arsyet që sollën një situatë të tillë në Shkodër, dje kreu i PS-së, Edi Rama, drejtoi dhe një herë gishtin nga targeti kryesor i sulmeve të tij: kryeministri Berisha. “Situata të tilla nuk ndodhin jo një herë në njëqind vjet, po nuk ndodhin asnjëherë aty ku ka ligj e ku ka shtet, dhe jo si këtu, ku ka vetëm një Maliq e një palo pushtet. Sepse Veriun nuk e përmbyti dora e Zotit, po mendja e robit. Veriun e mbyti shkelja e ligjit, rënia e shtetit, marrëzia e pushtetit”, - vuri në dukje kryetari i PS-së gjatë një komunikimi pasditen e djeshme. Sipas tij, situata të tilla nuk kanë ndodhur asnjëherë, sepse asnjëherë më parë shteti shqiptar nuk ka qenë “kaq i dalë duarsh” apo “kaq jashtë binarëve të ligjit” dhe të kontrollit të ekspertëve edhe për çështjet më delikate që lidhen me sigurinë e jetës së njerëzve, apo siç do të theksonte Rama, “kaq i kapur nga një pushtet interesash kryekëput korruptive”. Nga ana tjetër, kreu socialist bëri publik dhe dëmin ekonomik që sipas tij i shkaktoi ekonomisë shqiptare keqmenaxhimi i pushtetit. “Plot 35 milionë dollarë të shpërdoruara vetëm duke mos e përdorur ujin në kohën e duhur për energji, po duke e mbledhur jashtë arsyes për babëzi. Sali Berisha nuk mund t’u thotë shkodranëve se KESH-i, që i përmbyti, do t’u kompensojë çdo qindarkë, po duhet t’u thotë një orë e më parë se me ta nuk do të ndodhë si me të shkretët banorë të Gërdecit, ca të nënës e shumë të njerkës, dhe se ai, njeriu që duhet t’ua kishte kursyer këtë shkatërrim duke mos u bërë palë me Priftin e korrupsionit, do të marrë me çdo kusht përsipër t’i kompensojë qindarkë për qindarkë dëmet e tyre”, - nënvizoi Rama lidhur me çështjen e përmbytjeve, që përpos të tjerave është shndërruar dhe në çështje politike nga ana e opozitës. Në gjykimin e kryetarit të socialistëve, kur kanë kaluar 10 ditë nga kjo “dhuratë cinike që Sali Berisha u bëri shkodranëve, pa marrë parasysh fare jetën apo pronën e tyre, kur mblidhte ujë në Fierzë mbi çdo normë të lejuar, ai ende nuk ka mbledhur qeverinë për të përcaktuar të gjitha kriteret për nxjerrjen sa më parë të shumës së dëmshpërblimit për të përmbyturit”.
Udhëzimi për KESH-in
Kryeministri Berisha ka kërkuar nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare që të gjejë mundësinë që derdhjet në Vaun e Dejës të jenë të barabarta me prurjet e Drinit dhe lumenjve të Alpeve. Për kreun e qeverisë ky është kushti. “Ne nuk mund të rrezikojmë dhe do të jemi të detyruar të shkarkojmë të gjitha prurjet e tepërta, por nga ana tjetër ju garantoj se nuk do të shkarkohet asnjë metër kub ujë që nuk përbën problem për sistemin e digave e kaskadës”, - ka thënë kryeministri. Ai ka kujtuar se në kaskadën e Drinit gjatë 4 vjetve të shkuar janë bërë investime shumë të mëdha dhe janë këto investime dhe ripërtëritja totale e teknologjisë së komandës e turbinave, që bënë që ato të funksionojnë në mënyrë të përsosur dhe pa asnjë defekt. Ai theksoi se duhet të ekzistojnë planet “B”, “C” dhe “D” deri në normalizimin total të zonës së përmbytur. Sipas tij, ndërmarrjet e kanalizimeve dhe ujësjellësve, kullimit dhe vaditjes të ministrisë së linjës të kenë të gatshme projektet, në mënyrë që të përcaktohen pikat e ndërhyrjes.
Regjistrimi i dëmeve
Shefi i ekzekutivit ka thënë se do të regjistrohen të gjitha dëmet dhe do të zhdëmtohen në çdo drejtim. Gjatë vizitës në fshatin Kuç, disa kilometra larg qytetit të Shkodrës, ku vizitoi një familje, e cila kishte pësuar dëme të konsiderueshme nga përmbytjet, kryeministri Berisha garantoi se qeveria do t’i mbështesë maksimalisht të gjithë banorët e dëmtuar, deri në stabilizimin e plotë të situatës. “Do të regjistrojmë të gjitha dëmet dhe do t’i zhdëmtojmë ato, në çdo drejtim. E rëndësishme në të gjithë këtë situatë është që nuk ka pasur humbje në njerëz. Gjithashtu duhet të përpiqemi që të minimizojmë dëmet në gjënë e gjallë. E rëndësishme është që ju të evakuoheni, pasi nuk bëhet trimëri me ujin. Qeveria do të përpiqet me çdo mjet që të zhdëmtojë banorët e prekur nga kjo fatkeqësi”, - tha ai. Gjithashtu shefi i ekzekutivit tha se qeveria duhet të përpiqet që të minimizohen dëmet në gjënë e gjallë. Ai e vuri theksin në evakuimin e të gjithë banorëve të zonës të prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›