Topi garanton: Kaskada e Drinit e sigurt
11/01/2010 Presidenti u konsultua me ekspertin Farudin Hoxha për situatën e përmbytjeve
Kreu i shtetit thirrje për bashkëpunim. “Analizën më vonë”
Kur ziejnë debatet nëse ka qenë moti apo keqmenaxhimi arsyet që çuan në përmbytjen e shumë zonave në Veri të vendit. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u bën apel institucioneve dhe qytetarëve për bashkëpunim, me qëllim daljen nga situata. Analizimi i saj dhe gjetja e përgjegjësve për kreun e shtetit bëjnë hapin e dytë. Në vazhdën e disa konsultimeve që Presidenti Topi po zhvillon me ekspertë dhe profesionistë të ndryshëm të fushës hidrike për situatën në Veri të vendit të shkaktuar nga reshjet e shumta, priti dje në zyrën e tij në Presidencë ekspertin e njohur të hidrocentraleve dhe digave, prof. Farudin Hoxhën, njëkohësisht Kryetar i Komitetit të Digave të Mëdha. Fillimisht Presidenti i Republikës pas garancisë që mori nga Hoxha siguroi të gjithë shqiptarët se kaskada e Drinit është e sigurt. “Qytetarët përveç ndihmës direkte, përveç një organizimi kompleks, i cili do të realizohet, kanë nevojë edhe për një mesazh optimist. Ju siguroj se mesazhi më optimist që e rimarr sot nga profesor Farudini është se situata në kaskadën e Drinit përmirësohet edhe ka elemente të lartë të sigurisë”, - tha Presidenti pas takimit me Hoxhën. Nën cilësinë e të parit të shtetit, Topi përsëriti mesazhin e tij për të gjithë qytetarët për një rritje të ndjeshme të bashkëpunimit mes të gjitha palëve për daljen nga situata. “Të gjithë pa përjashtim, të gjitha institucionet, mbarë politika, të gjithë qytetarët duhet të rritin ndjeshëm bashkëpunimin, frymën e solidaritetit, e cila është tradicionale për shqiptarët. Pavarësisht nga retrospektiva dhe direktivat politike, ne në të tilla raste duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin me ç’të mundemi për të dalë sa më shpejt dhe për ta kthyer në rrjedhë normale. Natyrisht që më pas, kur gjërat të kalojnë, mund të diskutohet, mund të debatohet, mund të rritet ndjeshmëria për përmirësimin e elementeve teknikë-organizativë”, - tha Topi.