E Diel, 1 Nëntor 2026

Harasani lë mandatin: Largohem për arsye personale

Deputeti socialist Andis Harasani është larguar sot nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Në një reagim të tij vetë deputeti Harasani ka theksuar se largimi i tij është tërësisht personal.
 

"Pas plot 7 vjetësh si deputet i Partisë Socialistë dhe përfaqësues i votuesve të qarkut të Tiranës, kam vendosur të dorëzoj mandatin e deputetit për arsye tërësisht personale. Dëshiroj të siguroj të gjithë votuesit e mi, si dhe të gjithë anëtarësinë e Partisë Socialiste se pavarësisht shkëputjes nga aktiviteti parlamentar, do të vazhdoj të mbështes dhe të punoj për të siguruar fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në të njëjtën kohë dëshiroj të falenderoj publikisht Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama për mbështetjen që më ka dhënë dhe bashkëpunimin që kemi patur gjatë gjithë këtyre viteve. Një falenderim i veçantë shkon gjithashtu edhe për të gjithë kolegët deputete dhe bashkëpunëtorët e tjerë në Partinë Socialiste, me të cilët kam punuar për kauza të rëndësishme dhe kemi qenë bashkarisht pjesë e betejave të vështira” ka theksuar Harasani.
 

Ai gjithashtu është shprehur I bindur se Partia Socialiste do t`I fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.  "Jam i bindur se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare shqiptarët do të votojnë masivisht Partinë Socialiste, për të patur më shumë punësim, shkolla e spitale më të mira, për të patur një sistem të ndershëm taksimi e për tu shkëputur përfundimisht nga kultura e pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Duke i uruar Kryetarit Edi Rama dhe kolegëve të tjerë socialistë punë të mbarë dhe suksese në këtë fazë finale të betejës tonë të përbashkët për t`i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve një Rilindje të Re, dëshiroj të shpreh edhe njëherë gatishmërinë time për të kontribuar në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme” ka shtuar më tej Harasani.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›