Partitë e mëdha mbyllin kornizën e KQZ-së, PD propozon dy kandidaturat

Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj janë dy anëtarët e propozuar nga Partia Demokratike, për anëtarë të rinj të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Emrat janë bërë të ditur nga grupi parlamentar i PD, ndërsa pritet rikonirmimi i dy kandidaturave si anëtarë të KQZ-së.
Gjatë paradites edhe PS ka propozuar dy kandidaturat e saj, përkatësisht Denar Bibën dhe Albana Shtyllën. Propozimi është deklaruar në mbledhjen e sotme të grupit kuvendor të PS-së, mbajtur me dyer të mbyllura pas fjalës hapëse të kreut të socialistëve, Edi Rama.
Ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor përcaktojnë se dy partitë kryesore propozojnë nga dy emra për anëtar të KQZ-së, ndërsa një anëtar u takon dy partive më të mëdha të koalicionit mazhoritar dhe opozitar, përkatësisht LSI-së së Ilir Metës dhe PBDNJ-së së Vangjel Dules.