E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hardalli anonim

Share

Nga Enver Robelli

Është mirë kur lexuesit komentojnë në internet shkrimet e gazetarëve dhe kur shprehin mendimet e tyre për deklarata apo veprime politikanësh. Por, çfarë po ndodh në webfaqet e mediave shqiptare është më tepër kanibalizëm, i cili nuk duhet të tolerohet më nga redaksitë, sepse po e helmon dhe devijon diskursin publik

A mund ta paramendoni më jetën tuaj pa internet? Vështirë. Pothuaj e pamundshme. Në kohën kur edhe bujqit, barinjtë dhe rojtarët e institucioneve shtetërore kanë filluar të hapin profilet e tyre në Facebook, kjo është shenjë e qartë se parada fitimtare e internetit ska të ndalur. Kur theksoj se edhe bujqit dhe të tjerët, ata që zakonisht quhen të paprivilegjuarit e shoqërisë, tashmë kanë profil në rrjetet sociale, këtë se them me përçmim, por vetëm si shpjegim për digjitalizimin e botës. Njëri prej heronjve të epokës së digjitalizimit është edhe lexuesi, i cili komenton në internet tekstet e gazetarëve, shpreh mendime për veprime a deklarata politikanësh dhe nevrikoset me zhvillime të caktuara nga përditshmëria. Interneti është një platformë e përshtatshme për këtë. Dikur lexuesi është dashur të merrte një letër të bardhë, të rehatohej në kolltuk, në tavolinën e punës apo gjetiu, të merrte frymë më shumë se një herë dhe, pastaj, të shkruajë mendimin e tij (mos)pajtues për ndonjë tekst. Ka edhe lexues të tjerë që përtojnë të shkruajnë dhe shpejt e shpejt thërrasin me telefon në redaksi, duan të flasin me gazetarin dhe të nxjerrin dufin e tyre, por rrallë ky duf kalon në fyerje personale, sepse afërsia akustike krijon njëfarë pragu të ngurrimit, kështu që edhe lexuesi i zemëruar zakonisht flet me ton të moderuar.

Krejt ndryshe është puna me lexuesin digjital ose hardallin e internetit. I fshehur në anonimitet të thellë, i rehatuar në zyrë apo në shtëpi, në kafehane apo në çajtore, ky tip lexuesi, duke shfrytëzuar mundësitë e reja të komunikimit, gjuan në internet çfarë i bie në mend. Fjalë fyese. Kërcënime. Tallje bizare. Denoncime. Shpifje. Shfryrje raciste. Ky fenomen është i njohur në pothuaj të gjitha mediat, jo vetëm te gazetat, të cilat ua mundësojnë lexuesve komentimin e teksteve publicistike. Ideja është e mirë: gazetari shkruan, lexuesit i ofrohet mundësia të komentojë, reagojë, sqarojë, korrigjojë. Fataliteti qëndron në faktin se ideja e mirë shpesh keqpërdoret brutalisht. Ky problem është detektuar qëmoti në mediat evropiane dhe anglosaksone. Redaksitë përkatëse kanë marrë masa për krijimin e njëfarë rendi në oborrin digjital, duke ashpërsuar rregullat e komentimit, duke mos botuar asnjë koment që fyen dinjitetin e njeriut, që denoncon, që shpreh urrejtje raciste apo që përdor gjuhë seksiste. Këtu nuk bëhet fjalë për censurë, por për masa të domosdoshme kundër helmimit të debatit.

Kurveleshi dhe Muçibaba

Si qëndron puna në botën mediale shqiptare? Ekspansioni në internet i mediave shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora ka përmirësuar dukshëm komunikimin ndërshqiptar. Ky është një zhvillim i mirë. Para se të llomotitet për bashkim, siç bëjnë ca hardallë jashtë dhe brenda internetit, shqiptarët duhet të njihen mes vete dhe të konsolidohen si shoqëri. Është mirë kur një lexues, ta zëmë, nga Mitrovica, pa ndonjë mundim të madh mund të shprehë mendimin e tij mbi cilësinë e ujit në plazhin e Durrësit, pas botimit të një teksti mbi këtë tematikë në ndonjë gazetë të Tiranës. Po aq pozitive është kur një lexues nga Kurveleshi mund të komentojë – pa fyerje – një tekst të botuar në ndonjë gazete kosovare mbi korrje-shirjet në fshatin Muçibabë. Por, komentet pa fyerje janë të rralla në webfaqet mediale shqiptare. Në këtë skëterrë defilon armata e snajperistëve digjitalë. Shpesh komentet e këtyre lexuesve (ndonëse këta se meritojnë të cilësohen as lexues) kalojnë në kanibalizëm. Madje ky kanibalizëm pak a shumë po tolerohet edhe nga mediat. Ose po injorohet, duke mos aplikuar disa rregulla bazike për komentim të teksteve gazetareske në internet.

Është plotësisht legjitime, kur një lexues nuk pajtohet me shkrimin e një gazetari. Duke qenë përherë të ekspozuar në jetën publike, gazetarët krijojnë bindjen se ajo që shkruajnë përherë është fjala e fundit e mençurisë. Nganjëherë edhe mund të mos jetë. Pak reflektim dhe vetëkritikë si bën dëm askujt, më së paku gazetarëve. Megjithatë, me asgjë nuk mund të arsyetohen komentet e snajperistëve digjitalë, të cilët denoncojnë gazetarin apo gazetarët në mënyrën më perfide dhe më brutale. Epitetet si spiun i Serbisë, i shitur, armik i shtetit janë më të butat në arsenalin e armatimit të snajperistëve. Edhe më keq kalojnë në këtë mes politikanët.

Tavolina e pijanecëve

Dihet se nuk bëj pjesë në mesin e atyre gazetarëve që ledhatimin e politikanëve e kanë bukë të përditshme dhe kënaqësi të përhershme. Mendoj se kritika kundër mangësive, krimit, korrupsionit, paaftësisë dhe mizorive të secilit pushtet duhet të jetë e ashpër, konsistente dhe e pakompromis. Në një vend ku gazetarët dhe politikanët i kanë punët shumë mirë, aty ose nuk ka demokraci, ose ajo është para suprimimit. Por, është bizare kur lexuesit me prirje kanibaliste dhe nën mbrojtjen e anonimitetit që krijon interneti marrin guximin e çmendur të thonë: Duhet të largohen këta tradhtarë të qelbur nga aty me mjete paqësore apo me dhunë. Në këtë lloj komenti ka shpifje, ka thirrje për rrotullim të rendit kushtetues, ka gjithçka që i takon tavolinës së pijanecëve, por jo debatit publik. Është gabim dhe shkelje e etikës të botohen komente të tilla në webfaqe. Këtë, për fat të keq, nuk e bën vetëm një gazetë e caktuar në Kosovë, por e bëjnë të gjitha. Më ra në sy një ditë një koment i një lexuesi, i cili shkruante se profesori XY (në origjinal përmendej emri i vërtetë) nuk ua jep notat studenteve pa shkuar ato në shtrat me të. Edhe nëse është kështu, kjo do të duhej të hulumtohej nga gazetarët, por jo të plasohej si koment lexuesi, sepse kështu sështë gjë tjetër veçse denoncim pa asnjë fakt. Para disa muajsh një lexues, njëri prej shumë hardallëve të internetit, pasi shprehte mospajtimin e tij me një deklaratë të një politikani, nënvizonte se ai, pra politikani, është homoseksual dhe e ka një dashnor në kryeqytetin e një vendi evropian. Çfarë mund të kenë të përbashkët homoseksualizmi i supozuar dhe i padëshmuar i një politikani me një deklaratë të tij politike këtë me gjasë e di vetëm komentuesi budalla!

Bajga digjitale

Shpesh komentet e lexuesve digjitalë janë raciste. I barrikaduar në istikamin e anonimitetit hardall-lexuesi poston nëpër webfaqe mendime krejtësisht raciste. Për shembull shkruan se të gjithë atyre që, ta zëmë, nuk janë nga Prishtina, nga Prizreni, nga Gjilani, nga Gjakova, pra nga këto kasabatë e rëndomta kosovare, u vjen era bajgë. Duke e ditur se sa e keqe është cilësia e jetës në qytetet kosovare, vërtet nuk dihet sa a i vjen era bajgë dikujt që jeton jashtë qytetit apo era fekale këtij që është i detyruar të mbijetojë në qytet. Me një fjalë: punët keq (për të mos përdorur ndonjë fjalë tjetër) i ka si qytetari i Kosovës që jeton në Velani apo në

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›