E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harresa e rrathëve të borës

19-02-2012 / Nga Qemal Sakajeva

Nëpër vite, në Kosovë, është përcjellë  edhe kjo thënie anonime: “Armiqtë e Kosovës janë Serbia dhe bora”. Shqiptarët e dinin pse Serbia qe armike e tyre, ndërsa ata që nuk e njihnin historinë e Kosovës nën pushtimin e egër serb, borën e rreshtuar si armike krahas Serbisë, e shpjegonin gabim me klimën e ashpër kontinentale. Por nuk ishte  ashtu, pasi,  sa për  klimë, një dimër pa borë në Kosovë, qoftë dhe e pazakontë, nuk quhet i mbarë. Por bora qe kthyer në armike të shqiptarëve për shkak të pushtuesit: atëherë kur dimri  sillte një borë të madhe si kjo e sivjetmja, Beogradi ndërmerrte fushata arrestimesh masive, duke i zënë si me grackë njerëzit e kërkuar,  në shtëpitë e tyre, nga që  nuk kishin ku të shmangeshin a fshiheshin, dhe pastaj i torturonin çnjerëzisht mes shkretëtirës së  akullt. Më famëkeqja ndër to ka mbetur e ashtuquajtura fushatë e mbledhjes së armëve në vitin 1956, kur Serbia dhe bora bënë kërdinë mbi shqiptarë, me dhunë dhe  acar, vetëm për të shtypur ndjenjën e lirisë.
Ndërsa dimri i sivjetëm në Shqipëri, me shumë borë e temperaturë të ulët, është i vështirë por nuk është i pangjarë, dhe bëhet gjithçka për të shkuar te njerëzit e në ndihmë të tyre. Dy kategori njerëzore kanë qenë me këmbë në tokë në vlerësimin e tij: të parët ishin  specialistët që njoftonin parashikimin e motit, të  cilët shfaqeshin në ekran  pa asnjë shenjë alarmi. Ata asnjëherë nuk përcollën frikë te njerëzit, si për ata që  gjendeshin jashtë çdo bllokimi dhe për ata të izoluar mes dhe nën shkretëtirën e  bardhë. Ata nuk e tejkalonin  parashikimin, domethënë, pas popullsisë ndër male, të tmerronin edhe  popullsinë në fusha, me përmbytje nga shkrirja e borës. Banorët e viseve malore e dinë mirë nga tradita shekullore, më mirë se politikanët dhe gazetarët e rinj, çfarë është një vit me borë të jashtëzakonshme, dhe si përballohet ajo. Një banor nga Bicaj i Kukësit, qe njëri ndër ta, tek tha para kamerave: “Zoti na i solli disa dimra të butë dhe, ne nuk i morëm masat e duhura sivjet, duke kujtuar se edhe ky do të ishte si ata. Të gjendur kësisoj na duhet ndihma”. Me kaq pak fjalë, ai bëri shpjegimin e gjendjes dhe përcaktoi  harresën si gabim. Banorët e alpeve tona, kanë përcjellë nëpër brezni, këtë këshillë  për përherë: “Rrathët e borës vari mbi derë”. Rrathët e borës përgatiten nga thupra gështenje a druri tjetër të fortë, që lidhen në këmbë, për të ecur mbi borë, gjatë kryerjes së punëve. Ndërsa varja mbi derë e tyre, ka kuptimin që, sa herë të hysh e të dalësh nga shtëpia, kryet le të ndeshi rrathët e borës, për të të kujtuar gjatë verës, se ajo  mbaron dhe dimri vjen prapë, sepse “nuk ka dimër pa dimër”. Ndërsa, më të zhurmshmit, m’u në kulmin e borës së jashtëzakonshme të këtij viti ishin, ajo pjesë e politikës për nxjerrjen e përfitimeve nga vështirësitë e krijuara, e cila së brendshmi mund të donte që ky dimër të qe në vitin 2013, pak para  zgjedhjeve të përgjithshme, për të mbledhur vota, si dhe një numër gazetarësh të rinj, që përjetuan dimrin e parë të madh të jetës, duke kujtuar se, si ky nuk ka pasur më parë, a thua se njerëzit e kohërave të shkuara, e kanë patur motin përherë verë ose zotëronin mundësira më të mëdha përballimi. Dimrat e ashpër përsëriten, dhe një i ngjashëm ka qenë në vitin 1985, të tjerë edhe më parë se ai, të cilët qendrat sinoptike i kanë të regjistruar saktësisht. Gori Mërkuri, nga Karavastaja e Lushnjës, gjatë një bisede telefonike tregoi se, mbante mend që, aty nga mesi i viteve ’50-të, të shekullit të kaluar, ka pasur një dimër tjetër të egër, aq i ftohtë sa ngriu  gjithë sipërfaqja ujore e Lagunës së Karavastasë, që nga Muçiasi deri në Dajlan, që nga Bedati deri në Divjakë dhe, nga që ujërat ishin të cekta, gordhi edhe peshku, aq sa njerëzia u lëshuan me fushnjera, thyenin akullin e mblidhnin peshk të ngrirë, si kopaçe të zeza.
Në rrethanat e dimrit të sivjetëm të vështirë, qeveria  bëri gjithçka të mundshme: shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore për disa qarqe të vendit; në ndihmë të banorëve të zonave të bllokuara ngriti në ajër helikopterë; nisi automjete për zhbllokim të rrugëve e transport mallrash; angazhoi specialistë të ndryshëm të domosdoshëm; dërgoi ushqime dhe barna, të gjitha me synimin madhor, të mos kishte jetë të humbura, të nxirrte nga rreziku gra shtatzëna e njerëz të sëmurë, të kishte sa më pak dëme të pasurisë së kërcënuar nga dëmtimi. Kjo ishte përballje serioze, e përgjegjësisë dhe e humanizmit, e pushtetit qendror e vendor, që të mund të bëhej në kohë të vështirë ajo që individi e kishte shpërfillur në mot të mirë. Gjatë shekullit të kaluar, marksizmi si ideologji, u përpoq t’u rrënjoste brezave njerëzorë idenë se, “njeriu e sundon natyrën”. Por njeriu nuk mund të sundojë natyrën - për ta shembur atë teori  mjafton një dimër si ky apo tërmete apokaliptike  si ato të Azisë - por njeriu mund t’i përshtatet natyrës, duke përfillur e mos u rënë ndesh ligjeve të saj. Bora e jashtëzakonshme e këtij dimri është rasti më i fundit, për t’i kujtuar të dy palët, siç me  rrathët e borës ndërmenden gjithë pjesëtarët e familjes: ajo të  përgatitet për një dimër si ky, qeveria  të marrë masat për të qenë sa më ndihmuese  në dimra të ngjashëm. A është e mundur kjo? Krejtësisht, po. Si i kanë përballuar banorët e viseve të borta dimrat më parë, ndërsa kanë pasur  shumë  më pak mundësi  të të gjitha llojeve? Popujt e vendeve veriore të kontinentit tonë, me dimra të gjatë e stuhi bore të shumta, asnjëherë nuk gjenden të papërgatitur, as nuk vihen në alarm nga politika e media. Për ta do të ishte fatkeqësi nëse dimri kalon pa borën e mjaftueshme: dimë që, vende me klimë të ftohtë, për nevoja kanë importuar edhe borë, kur kanë pasur dimra të butë. Një dimër pa borë do të thotë katastrofë turistike në Zvicër.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›