Berisha: “Strukturat paralele treguan çakordimin e PS-së”

Në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave në Korçë, kryeministri e rrëfeu mobilizimin më të madh të shtetit dhe njësive vendore për zhbllokimin e rrugëve kombëtare e rurale si një histori suksesi. Misioni i emergjencës përballoi jo vetëm krizën e bllokimit të 1/3 së vendit, por edhe baltën që hodhi një opozitë e çakorduar, e cila me struktura paralele kërkoi të mbillte panik e të përfitonte politikisht nga vështirësitë e dimrit të pazakontë
Kryeministri Sali Berisha ka inspektuar dje nga afër situatën emergjente në qarkun e Korçës, pas reshjeve të dendura të dëborës që prekën juglindjen krahas veriut dhe verilindjes. Në një takim me shtabin e emergjencave Berisha ka falënderuar të gjithë strukturat vendore për menaxhimin me sukses të situatës së rënduar nga prania e reshjeve të mëdha të dëborës.
Kreu i qeverisë është shprehur se “pavarësisht përparimit të situatës duhet të vazhdojmë të jemi në gatishmëri të plotë, ndërsa u ka bërë thirrje të kryetarëve të komunave në vend për shfrytëzim sa më të shpejtë dhe eficent të fondeve të akorduara për hapjen e rrugëve të fshatrave”. “Përgëzoj punën që autoritetet e qarkut kanë bërë gjatë gjithë dimrit për përballimin me sukses dhe me pasoja sa më minimale të një situate pak të rënduar. Qarku i Korçës paraqitet model i përgjegjësisë për të përballuar me sukses këtë situate. Një falënderim për të gjithë qytetarët, qeverinë vendore, punonjësit e administratës, forcat e armatosura, kompanitë private të mirëmbajtjes së rrugëve të këtij qarkut për punën e bërë në këtë të ftohtë polar. Ky dimër ishte i veçantë në historikun e dimrave që nuk është regjistruar që nga ‘85-a, ka qenë jashtëzakonisht agresiv. Në Korçë dhe mbarë Shqipërinë një mobilizim total i gjitha strukturave para së gjithash për të shpëtuar jetët e njerëzve. Ky objektiv madhor gjer sot është realizuar me sukses dhe përgjegjësi të plotë. Më shumë se gjysma e territorit është e mbuluar me dëborë, ekipet e FA dhe Shëndetësisë kanë bërë të mundur evakuimin e dhjetëra qytetarëve në nevojë, shpërndarjen e ushqimeve dhe medikamenteve. Në Korçë është punuar në mënyrë të shkëlqyer me çatitë, në rrethe të tjera pati një ngadalësi, por po ecet dhe atje sepse është një rrezik i madh për sigurinë e njerëzve. U hapën të gjitha rrugët edhe ato të zonave më të thella dhe u realizua qarkullimi i rrugëve kombëtare më mirë se në çdo qark tjetër. Nuk them se ditët që vinë nuk do ketë prapë reshje dhe probleme ndaj duhet të jemi në gatishmëri. Qëllimi i parë është të shpëtojmë jetët njerëzore, së dyti të bëjmë gjithçka të mbrojmë pasuritë e tjera si dhe hapjen e rrugëve. Kam një thirrje për gjithë komunat e vendit, të shfrytëzojnë fondin dhe të hapin rrugët në fshatrat e tyre, me çdo kusht. Në borë ka një gjë, nuk ka situatë tjetër që solidariteti të paraqesë më domosdoshmëri. Nëse angazhohemi të gjithë në tërësi nuk mund të ketë fshatra të izoluara për një kohë të gjatë me përjashtim të zonave të veçanta në të cilat jemi të gatshëm të ndërhyjmë me mjete të tjera. Fondi i dhënë është i mjaftueshëm, por përdorimi sa më shpejt dhe efiçencë duke angazhuar dhe komunitetin e bën më të përballueshme situatën. Qeveria ndjek në mënyrë konstante gjithë situatën dhe ju siguroj ju që do tu mbështesë në gjithë përpjekjet tuaja”, u shpreh Berisha.
Lidhur me shtabin paralel me atë shtetëror, të Partisë Socialiste, Kryeministri theksoi se, “e gjitha si parti është e çakorduar”.
“Ata mund të kishin kërkuar interpelancë, por nuk e kërkuan sepse e dinin që do përballeshin me një listë të gjerë e shumë të gjatë masash për përballimin e situatës, por donin të bënin konferenca të gjata. Opozita serioze mund t’i kërkonte Kryeministrit interpelancë, por kjo nuk u interesonte se do listoheshin gjithë përpjekjet për përballimin e situatës. Opozita është e çakorduar, as programi i vetë nuk i funksionon, le të vijë në sallë të kërkojnë llogari të ushtrojë kontroll”, tha Berisha.
Sipas tij, deklaratat e opozitës se nuk po punohet për zhbllokimin e vendit, i përgënjeshtron më mirë se kushdo, situata në gjithë Shqipërinë, por Berisha theksoi se opozita u kujtua se kishte rënë borë në Shqipëri vetëm 1 javë pasi Kryeministri kishte mbledhur Shtabin e Emergjencës.
Më tej, Kryeministri ka theksuar se edhe në qarqet e tjera me problematikën e borës ka pasur përparim të ndjeshëm të situatës, kryesisht në hapjen e akseve kryesore të rrugëve duke mos lënë jashtë vëmendjes dhe ato dytësore. Sipas tij, situata në tërësi është e dominuar dhe në monitorim të plotë nga shteti.
Kryeministri Berisha ju përgjigj më tej interesit të mediave
Opozita ditët e fundit ka prezantuar një plan edhe në Kuvend për marrje masash duke i treguar qeverisë sesi mund të administrohet situata, ju duket e vlefshme kjo?
Prapë më shkon mendja tek ajo historia e druvarit me Njazin, që i tha: “I shkoi si mik dhe i thotë çfarë të bëj unë se nuk rri dot pa punë? Natën e parë e priti shumë mirë, të nesërmen në mëngjes i thotë Njazi, e kam të vështirë nuk rri dot pa punë. Jo më ke ardhur mik, por ai këmbëngulte nuk rri dot pa punë. Mirë i thotë shiko çfarë mund të bësh. Doli dhe pa njërin që po priste dru, e gjeta tha, po bëj ‘ëëë’”. Kështu edhe opozita.
Që opozita të marrë informacion kjo është gjëja më normale, por që tu përdhosësh kodin e vdekjes të tjerëve, kjo është gjeja më e papranueshme. Të bërtasësh se nuk erdhi kryeministri në Parlament, kur nuk e kërkuan kjo është qesharake. E dini ju pse nuk e kërkuan kryeministrin ata! Se kryeministri ishte i gatshëm tu shkonte dhe tu raportonte pikë për pikë, por e dinin se do të përballeshin me një listë të gjerë shumë të madhe të masave të ndërmarra për përballimin e situatës në çdo skaj të vendit dhe këtë nuk donin ta dëgjonin, por donin të bënin konferenca shtypi, kjo nuk ishte normale. Është normale që opozita ti thotë kryeministrit të vish në interpelancë urgjent dhe kryeministri në përputhje me kushtetutën e vendit dhe rregulloren e Kuvendit, paraqitet para atyre deputetëve dhe shpjegon, por kjo nuk ju interesonte se do të listoheshin të gjitha përpjekjet e mëdha për menaxhimin e suksesshëm të kësaj situate. Janë parë këtu, kanë ardhur këtu? Para dy netësh një deputet i tyre fliste përçart për qeverinë, në një kohë kur dy ditë më parë e kisha dëgjuar të fliste për sportin, se kishte hall të merrte një skuadër. Pra opozita është e çakorduar në këtë rast, as programimi i vet nuk i funksionon, të vijë këtu, të vijë në shtab të kërkojë llogari të ushtrojë kontroll, nuk ka ardhur qoftë edhe një deputet prej tyre.
Cila është pika më e vështirë që përballet popullata dhe qeveria në ndërhyrjet e saj dhe cili është mesazhi juaj që dimra të tillë të mos na gjejnë pa përgatitur?
A na gjeti pa përgatitur ky dimër? Psikologjikisht po. Materialisht jo. Pse? Do ju jap një fakt. Gjashtë vjet më parë ne kemi pasur një dimër të ashpër, jo si ky, por kemi pasur bllokime rrugësh. I gjithë vendi kishte 7 borëpastruese. Sivjet vetëm në rrethin e Kukësit kanë funksionuar mbi 30. Pse? Falë outsorciumit që ne bëmë me kompanitë e mëdha private për mirëmbajtjen e rrugëve. A ishim ne të pa përgatitur në Korçë, kur rrugët kombëtare pothuajse nuk u bllokuan për asnjë moment përveç orëve të vona? Ne mund të ishim psikologjikisht, por ne nuk ishim dhe nuk jemi materialisht. Ju siguroj unë ju, se ky vend nuk është kurrë i papërgatitur për tu përballur me emergjenca. Dhe ne e kemi faktuar këtë. Tjetër, dëbora ishte shumë e madhe, siç e keni parë. Çfarë kërkon kjo? Padiskutim kjo kërkon fonde për mirëmbajtjen e rrugëve, në mënyrë që kompanitë të mund të kontraktojnë borëpastruese më të fuqishme të të gjitha kalibrave dhe ne këtë do ta bëjmë. Qeveria disponon të gjitha mundësitë për të përmbushur me shpejtësi çdo nevojë mjekësore, qeveria disponon mundësitë për të ndërhyrë dhe për të ndihmuar familjet në nevojë. Qeveria nuk mund të zotohet se do të mund tu japë ndihmën e duhur për shpëtimin e bagëtive, por ky është një leksion që duhet të nxirret nga i gjithë komuniteti, çka do të thotë se rezervat ushqimore duhet të afrohen gjithnjë, sepse nuk mund të themi se në shkurt ose janar, po të marrësh veriun kullosin bagëtitë, por edhe në zonat e Korçës nuk kullotet bagëtitë, ato mbahen në trajtim. Pra në tërësi besoj se shkalla e përgatitjes së vendit ka bërë që të mos kemi viktima, ka bërë që në Korçë të mos bllokohen për asnjë moment rrugët nacionale. Ky dimër më i madh se të gjithë dimrat e tjerë fton se në drejtim të mirëmbajtjes së rrugëve fondet të rriten. Nuk është se ne nuk e dinim këtë, pro ne po ndërtojmë rrugë në të gjitha anët , sidoqoftë kjo do të bëhet.
Kryetarët e komunave thonë se fondi për zhbllokimin e rrugëve nuk mjafton se trashësia e dëborës është e madhe, si e komentoni?
Unë ju garantoj se të gjithë kryetarët e komunave, përveç njërit e kanë quajtur të mjaftueshme këtë fond, edhe ky nuk thotë se nuk i mjafton, ai më bën një mesazh dhe më thotë se: Unë më këtë fond nuk hap dot 60 kilometra rrugë. Jo, nuk ka 60 kilometra rrugë. Atij nuk i kërkohet të hapë rrugën kombëtare, përkundrazi rrugën kombëtare po e hapim nga dy drejtime. Vërtet komuna e tij ka një shtrirje të gjatë në rrugën kombëtare, por komunës nuk i kërkohet të hapet rruga kombëtare, komunës i kërkohet lidhja e komunës me fshatrat. Unë kam takuar kryetarët e komunave të Kukësit kam lidhje me ta dhe janë plotësisht të kënaqur, jam i bindur se me përkushtimin e tyre ata i hapin ato rrugë. Natyrisht një mobilizim duhet, besoj se jemi dakord me këtë.
Jemi në fundin e këtij dimri a do të ketë një bilanc të fundit të këtij dimër, sepse fermerët korçarë kanë shqetësim për telashet që ju kanë dalë për prodhimet e tyre bujqësore që u janë prishur?
E fillojmë me grurin. Në fushën e Korçës, por jo vetëm të Korçës se më mirë se çdo kush tjetër fermerët e dinë se për grurin bora është shëndet. Për prodhimet e tyre. Korça përballet me një rritje shumë të madhe të prodhimit dhe kjo është një gjë jashtëzakonisht pozitive, duhet të dinë një gjë, që bujqësia me përpjekjet me teknologjinë është sektori që mund të dhjetëfishojë prodhimin. Kjo është llogaritur dhe e njohur. Në Korçë na ndodhi njëherë me mollën dhe nuk na ndodh më. Pse? Sepse janë shumëfishuar kapacitetet e ftohjes dhe së fundi edhe një fabrikë lëngjesh. Së fundmi nga një mbiprodhim i paparë patatesh, jashtëzakonisht pozitive si prodhim, por çfarë na ka ndodhur? Kjo kërkon me urgjence që ne të investojmë këtu, të ngremë sa më shpejt fabrikën e përpunimit të patates, impiantet e ftohjes dhe Ministria e Bujqësisë ka marrë porosi të prerë që të financojë kreditorin dhe ngritjen e këtyre linjave. Vijmë tek Kosova. Cilido që do të shikojë kompjuterin aty do të gjeje se nga Shqipëria në Kosovë shkojnë eksportohen 180 milion euro prodhime dhe janë importuar 20 milion euro. Ky është bilanci. Tani me këtë situate ato që përfitojnë totalisht në këtë shkëmbim është ultësira bregdetare, sepse ultësia është 3 javë deri në 1 muaj para Kosovës në prodhime. Korça në të njëjtat kushte prodhimi, pra prodhime të vonshme. Ajo që ne duhet të bëjmë me shpejtësi, jo të prishim kompjuterin, por duhet të ndërtojmë këtu fabrikat e përpunimit të patateve, të mbjellin të prodhojnë sa më shumë dhe në tu krijojmë mundësi përpunimi. Sesi përshtatet fermeri me tregun, kjo është çështje tij, jo e qeverisë, e shet më lirë apo me shtrenjtë, ai do të mësojë vetvetiu të gjeje rregullin e shitjes, por të garantoj që Shqipëria eksporton 8-9 herë më shumë në Kosovë sesa importon prej saj dhe ata që përfitojnë janë zonat e ultësirës. E gjithë ultësira nga Konispoli deri në Bunë eksportoi sasira kolosale të prodhimit nga të gjitha llojet. Kosova prodhon më shumë patate, atëherë ne duhet të përpunojmë pataten e Korçës, ne nuk mund të themi mos mbillni patate, jo, mbillni dhe prodhoni sa më shumë patate. Ishte problem qepa në Miras, për arsye se përpunimi i saj është me delikat dhe tregu më i vështirë.
A keni një koment për opozitën e cila ka deklaruar se qeveria dështoi në përballimin e situatës?
Deklarata e opozitës i përgënjeshtron sot më mirë se çdo gjë tjetër situata aktuale në Shqipëri. Por mund të them se opozita u kujtua se kishte rënë borë në Shqipëri, një javë pasi kryeministri kishte ngritur me urdhër Komitetin e Emergjencës, një javë më pas. Merrni kronikat e lajmeve të televizionit tuaj dhe fjalimin që ju çoi si i ati i tij shpirtëror që tha se: “Nuk po ma lexoni mirë, por do ta lexoj vetë tani”.