Opozita: Forcat qeveritare në Siri i kanë intensifikuar sulmet

Opozita në Siri thotë se forcat qeveritare i kanë intensifikuar bombardimet në provincën kryengritëse Homs, pas miratimit të rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, që i bënë thirrje presidentit Bashar al-Asad, të tërhiqet. Sulmi me bomba të premten vonë ishte përshkruar si më i fuqishmi në këtë rajon, në dy javët e kaluara. Konfirmimi i pavarur i këtij informacioni nuk është i mundshëm për shkak të kufizimeve të qeverisë së Sirisë në raportime. Aktivistët në Siri thonë se më se 6 mijë njerëz janë vrarë gjatë 11 muajve të kryengritjes kundër regjimit.
Kronika nga Siria-Vdes reporteri i “New York Times”
Korrespondenti i “New York Times”, Anthony Shadid, dy herë fitues i çmimit prestigjioz “Pulitzer”, ndërroi jetë ndërsa po raportonte nga Siria. 43-vjeçari besohet se vuajti një sulm azme, shkaktuar nga një reagim alergjik dhe e pati të pamundur të mbërrinte në kohë në spital për shkak të luftimeve. Me origjinë libaneze, Shadid mbuloi pushtimin amerikan të Irakut dhe më pas shërbeu si një reporter për “Washington Post”. Ai fitoi dy herë çmimet “Pulitzer” në vitin 2004 dhe 2010, ndërsa u nominua edhe një herë të tretë në 2011-n, për raportimet unike që mundi të realizonte nga vendet arabe gjatë revolucionit. Shadid, një folës i rrjedhshëm i arabishtes, ishte një midis tre gazetarëve të “New York Times”, të mbajtur në kushte izolimi nga regjimi i Gaddafit për më shumë se një javë, marsin e shkuar. Kryeredaktori i “NYT”, Jill Abramson, u shpreh: “Anthony vdiq ashtu si jetoi, i vendosur për të dëshmuar në transformimet e ndodhura në Lindjen e Mesme”.
Tendencë-Libia feston 1-vjetorin e kryengritjes/Libianët po festojnë përvjetorin e parë të kryengritjes që solli rrëzimin e diktatorit, Muamar Gadafi, pas 40 vitesh në pushtet. Në çdo qytet anekënd vendit janë planifikuar festime ndërkohë që prej kohësh petku i festës ka mbuluar Bengazin, qyteti ku filloi rebelimi. Por, përvjetori i parë i kryengritjes vjen në një kohë që në vend ekziston frika e destabilitetit. Qindra militantë lëvizin në vend të papenguar teksa vëzhguesit ndërkombëtarë flasin për një zbrazëti institucionale në vend. Lideri i përkohshëm i Libisë, Mustafa Xhalil, të enjten u zotua se do të kundërpërgjigjej ashpër ndaj çdocilit që kërcënon sigurinë kombëtare gjatë festimeve të djeshme. Me 17 shkurt të viti të kaluar u zhvillua protesta e parë e madhe kundër regjimit të kolonel Muamar Gadafit në Bengazi, qytet i cili u bë bastion i kryengritësve.