E Diel, 1 Nëntor 2026

Harri Lena ka varrosur nën beton “Syrin e kaltër” të Këlcyrës

Letër për ministrin Xhuveli

Për dijeni,

Berishës dhe Hirësisë së Tij, Janullatos

Po të drejtohem publikisht për një krim, i cili ndodh në sytë e të gjithëve dhe nuk e ndal askush. Gryka e Këlcyrës është një nga pasuritë më të mëdha natyrore të Shqipërisë. Pothuajse në mes të saj, katër kilometra para qytezës së Këlcyrës, gjenden tokat e familjes Këlcyra, mbi të cilat është ngritur së fundi një kishë në kujtim të ushtarëve grekë të vrarë gjatë dy luftërave italo-greke në tokën tonë. Vendi, për të cilin flas, është në kujtesën e çdo kalimtari që ka kaluar qoftë dhe njëherë në këtë grykë, pasi fare pranë rrugës kryesore nacionale ka qenë një burim uji që dilte nga nëntoka, duke formuar një liqen të vogël të pashtershëm dimër-verë me ujë të pijshëm, i cili gëlonte aty dhe më pas varej si ujëvarë në Vjosë. Një kriminel (dhe në këtë rast e them pa m’u dridhur goja këtë vlerësim), i quajtur Harri Lena, duke folur lart e poshtë në emër të Sali Berishës, për të cilin jam i bindur se nuk i ka dhënë ndonjë mandat, ka zaptuar tokën përmes mashtrimeve, duke rindarë tapi me ligjin 7501 në vitin 2008, ka mbuluar me urgjencë burimin dhe e ka fshehur atë poshtë një shtrese betoni njëmetroshe. Ky burim unikal për nga bukuria dhe vlerat e tij natyrore, sot nuk ekziston më për syrin e çdo kalimtari në Grykën e Këlcyrës, duke i hequr këtij monumenti natyror një nga simbolet e tij.

Do të ishte gjysma e së keqes sikur ky zaptim toke të ishte thjesht një agresion ndërtuesi. Në të vërtetë është një agresion pushtuesi. Ky institucion kriminal pushtues, i quajtur Harri Lena, në fillim ka hapur fjalë se do të bëjë fshat turistik me leje të Sali Berishës, gjë që i la të gjithë pa gojë, se aty nuk është një vend ku mund të bëhen rezidenca turistike për shkak të motit të ftohtë në dimër. Pastaj, pasi zaptoi tokën dhe korruptoi administratën lokale, gjithmonë duke keqpërdorur emrin e Sali Berishës, filloi të mbushë fushën me beton, duke betonuar fillimisht sipërfaqen e mrekullueshme të burimit, i cili ishte praktikisht “Syri i kaltër” i Këlcyrës. Pasi e varroi atë nën beton, iu është turrur kodrave të Peshtanit, një fshat fqinj aty, duke gërmuar gurore, duke marrë zhavorr prej tyre pa leje, duke shkatërruar po kështu dhe pronën e të tjerëve. Shoferë të tij të armatosur kërcënojnë fshatarët dhe flasin në emër të Kishës, kur janë ortodoksë dhe në emër të Sali Berishës, kur janë myslimanë, pasi kjo zonë është e përzier dhe tolerante nga pikëpamja fetare. Ky superspekulant është duke çimentuar një fushë të tërë, duke ndërtuar një fabrikë uji thuajse ilegale, pa marrë asnjë licencë normale si çdo fabrikë uji në Shqipëri. Qëllimi i tij final është të riprodhojë aty ujin “Zagoria” që importon dhe të mos iu nënshtrohet detyrimeve shtetërore, derisa ta bëjë fabrikën fakt të kryer dhe të thërrasë në fund Hirësinë e Tij, Janullatos, për ta pagëzuar, siç bën gjithmonë për të mbuluar problemet e tij në biznes.

Pra, i nderuar zoti ministër, gjendemi para një institucioni kriminal, i cili do të bëjë gjithçka të paligjshme. Ka zënë tokat në mënyrë të paligjshme, ka shkatërruar një pasuri natyrore në mënyrë të paligjshme, po ndërton një fabrikë në mënyrë të paligjshme, po shkatërron pasuritë e fshatrave përreth në mënyrë të paligjshme dhe shteti nuk vepron. Të gjithë që shkojnë ta kontrollojnë, kthehen të korruptuar prej tij. Kështu ka ndodhur me Policinë Ndërtimore, të Rendit, Bashkiake a komunare. Aty jetojnë njerëz të varfër për t’u ndeshur me një përbindësh të tillë. Vetëgjyqësia mund të jetë arma e fundit që mund të ndalë kriminelë të tillë që nuk ndalen para asgjëje, duke përdorur gjithçka, çdo emër, qoftë ky autoritet politik apo fetar.

Unë e njoh aq Sali Berishën, sa të mos besoj asgjë nga pallavrat, me të cilat ky njeri i bën të rrinë urtë pushtetarët lokalë. E di që, së paku, askush nuk i ka thënë të varrosë “Syrin e kaltër” të Këlcyrës, pasi bukuria natyrore e asaj gryke sjell më shumë të ardhura dhe turistë për ata banorë aty, sa bunkeri i betonit fitimprurës i Harri Lenës. Unë e njoh aq Hirësinë e Tij Janullatos, sa të besoj se ai nuk nxit konflikte mes besimeve fetare në atë zonë, duke urdhëruar shoferë që puthin kryqin dhe nxjerrin pistoletat për të terrorizuar fshatarët që iu grabitin tokat dhe guroret. Por, dhe në paçin ndryshuar brenda natës, unë e kam të vështirë të ndryshoj dhe po të paralajmëroj se, nëse ju nuk e zhbllokoni atë bukuri natyrore nga betoni i këtij krimineli, do t’ju konsideroj palë me këtë kriminel, derisa vetë të rizbulojmë atë që natyra ka miliona vjet që na ka dhuruar. Është mirë që të veproni shpejt, është mirë që të bëni detyrën tuaj dhe ta ndalni këtë përbindësh. E kemi ende të freskët Gërdecin, ku 200 njerëz punonin pa asnjë leje dhe të pasiguruar në mes të Tiranës. Në mes të rrugës Tiranë-Këlcyrë, një njeri bën gjithçka pa leje dhe shkatërron pasuritë tona natyrore. Nëse nuk e ndalni, do të gjendet dikush ta ndalë, por pastaj përgjegjësia do të bjerë mbi ju. Mos thoni që “nuk e dinim”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›