E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedoni, VMRO-DPMNE dhe BDI, marrëveshje për qeverinë e re



BDI-ja do të ketë pesë poste ministrash, një zv.kryeministër dhe nënkryetarin e Kuvendit
VMRO-DPMNE dhe BDI, dy të tretat e deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë
Pas bisedimeve të njëpasnjëshme me dy partitë kryesore, BDI dhe PDSH, i mandatuari për krijimin e qeverisë së re maqedonase Nikolla Gruevski pranoi në koalicionin e tij Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit. Lajmi u konfirmua nga Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së dhe më pas nga Komiteti Qendror si dy organet më të larta të partisë së mandatarit Nikolla Gruevski. Përfaqësues të BDI-së bënë të ditur se kjo parti në qeverinë e re do ketë pesë poste ministrash, një të zëvendëskryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe një post të nënkryetarit të Kuvendit. Të zgjedhurit e BDI- së do të drejtojnë Ministrinë e Ekonomisë, të Shëndetësisë, të Punëve dhe Politikës Sociale, Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe atë të Ambientit Jetësor.
Detaje rreth marrëveshjes së arritur nuk janë dhënë nga asnjëra parti, ndërkohë që marrëveshja e arritur mes Gruevskit dhe Ahmetit ka kaluar pa probleme dhe debate në organet e partive që drejtojnë, kurse gjatë ditës së djeshme u dhanë deklaratat e para. Bisedimet për Qeverinë e re Gruevski i zhvilloi edhe me PDSH-në e Menduh Thaçit, por në fund është përcaktuar që partner i partisë së tij në Qeveri të jetë BDI-ja, e cila edhe është fituese e zgjedhjeve në radhën e shqiptarëve të Maqedonisë.
Ndërkohë PDSH-ja bëri të ditur tërheqjen nga bisedimet, për shkak të, siç thuhet, mosgatishmërisë së Gruevskit për të pranuar gjashtë pikat e marrëveshjes së arritur në muajin mars mes PDSH-së dhe VMRO-DPMNE-së. Bisedimet mes liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe mandatarit Nikolla Gruevski u zhvilluan larg mediave, të cilat deri në momentet e fundit nuk kanë qenë të njoftuara për afrimin e qëndrimeve dhe arritjen e marrëveshjes. 12 korriku është afati i fundit kur në Kuvend duhet të paraqitet për miratim programi dhe përbërja e re qeveritare. Nëse konkretizohet marrëveshja Ahmeti –Gruevski, VMRO-DPMNE dhe BDI do të kenë dy të tretat e deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë. Më herët Gruevski bëri të ditur se partitë shqiptare për të hyrë në koalicionin qeverisës do tu duhej të pranonin disa kushte në bazë të Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Ohrit duke lënë mënjanë Marrëveshjen e Majit, e cila ka të bëjë me ligjin për gjuhën shqipe dhe ish-luftëtarët e UÇK-së.

Athina kundërshton Milloshoskin: “Nuk ka pakica maqedonase në Greqi”

Pretendimi i diplomacisë së Maqedonisë se në Greqi ekziston një pakicë maqedonase është hedhur poshtë nga Zëdhënësi i diplomacisë greke, Jorgos Kumucakos i cili e ka quajtur këtë çështje të paekzistueshme dhe të pabazë. Reagimi i diplomacisë greke erdhi pas deklaratave të shefit të diplomacisë maqedonase Antonio Milloshoski se në bisedimet me palën greke për emrin duhet të hapet edhe çështja e pronave të minoriteve maqedonas që është depërtuar pas viteve të 40 nga Greqia në Maqedoni. Por Greqia ka reaguar ashpër duke shprehur edhe kundërshtimin e kësaj çështjeje. “Është një tentim fatkeq për të krijuar çështje që nuk ekzistojnë dhe janë të pabaza”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Athinë, Kumucakos. Kumucakos duke komentuar deklaratën e Milloshoskit tha se deklarimet e shefit të diplomacisë maqedonase janë të pakualifikuara dhe tendencioze.
Ai theksoi se pala greke si qëllim të vetëm me Maqedoninë ka gjetjen e një zgjidhje të pranueshme dhe të përbashkët për të zgjidhur çështjen e emrit.

KUBË
Planifikohet zbrazja e burgut të Guantanamos
Administrata e presidentit amerikan Xhorxh Bush po shqyrton planin afatgjatë për zbrazjen e burgut ushtarak Guantanamo në Kubë. Sipas skenarëve, rreth 80 të burgosur do të mbeteshin në Kubë, ndërsa 65 të tjerë do të ktheheshin në vendlindje, shkruan “Uashington Post”. Njëra prej dilemave është se çfarë të bëhet me 120 të burgosur të tjerë të cilët konsiderohen shumë të rrezikshëm. “Uashington Post” shkruan se është duke u shqyrtuar mundësia për miratimin e ligjit i cili do ta mundësonte bartjen e tyre në burgjet civile ose ushtarake në SHBA.

MEDIAT
FARC-ut i janë dhënë para për lirimin e pengjeve

Mediat e Kolumbisë dyshojnë në versionin zyrtar të pushtetit kolumbian për lirimin e 15 pengjeve, ndër të cilët ishin edhe Ingrid Betancourt dhe 3 amerikanë, megjithëse Bogota dhe Uashingtoni mohojnë se për lirimin e pengjeve janë dhënë para, njoftojnë agjencitë. Radioja zvicerane RSR pohon se FARC-ut, i cili për shumë vjet në xhunglat e Kolumbisë ka mbajtur pengje, i janë dhënë 20 milionë dollarë për lirimin e tyre. Ambasadori amerikan në Bogota, William Brownfield, gjithashtu e ka mohuar njoftimin se SHBA-të kanë paguar rrëmbyesit e pengjeve.

TËRMETI
Japoni, lëkundje të fuqishme në veri të vendit
Një tërmet i shkallës 5.1 Rihterit ka goditur dje pjesën veriore të Japonisë. Sipas njoftimeve të fundit të agjencisë shtetërore japoneze, akoma nuk dihet bilanci i të plagosurve dhe dëmeve eventuale megjithatë pritet që ky numër të jetë i lartë. Epiqendra e tërmetit ishte nën det në afërsi të provincës Ibaraki, në veri të Tokios ku gjithashtu është ndier tronditja e fuqishme e cila alarmoi të gjithë banorët e zonës përreth. Autoritetet vendore janë shprehur se do të merren masa për të ndihmuar popullsinë në rast rreziku.

JAPONI
Demonstrata në vigjilje të Samitit G8-s
Mijëra njerëz kanë protestuar në ishullin verior të Japonisë Hokaido kundër mbajtjes së samitit G-8, i cili mbahet më 7-9 korrik. Vendet e G-8-ës nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre, gjë që ka rezultuar me diskriminimet, luftërat dhe shkatërrimet e ambientit, ka thënë njëri ndër organizatorët e protestës. Organizatorët e samitit ua kanë pamundësuar demonstruesve që t’i afrohen pushimores Tojako, në të cilën gjatë 2 ditëve do të mblidhen liderët e vendeve më të zhvilluara. Në samitet e mëhershme ka pasur përleshje mes forcave të rendit dhe demonstruesve.

7 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›