Veliaj: Do të shporrim të vjetrit nga politika, demokratikisht
Kalimi nga shoqëria civile në politikë u bë për shkak të mospërmbushjes së misionit të parë?
“Mjaft” as nuk ishte, as nuk është ndonjë kompani jeniçerësh, të cilët, nëse nuk e realizojnë “misionin” e marrjes së ndonjë kalaje mesjetare, i pret vdekja. Misioni i parë dhe i fundit i “Mjaft” ishte dhe është sensibilizimi i shqiptarëve i shtrirë në kohë. “Mjaft” ka kërkuar dhe kërkon përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe përgjegjësi nga politika. Sa isha te “Mjaft”, kreva punën time me dedikim dhe dashuri. Por nuk mund të rrija në krye të “Mjaft” gjithë jetën, siç kanë bërë deri më sot kolltukofagët shqiptarë. Një ditë do ikja. Dhe ika.
Pesha reale e “Mjaft” në shoqëri u pa, kur u bë thirrje nga ana e saj për të mbushur sheshet. Shumë pak njerëz erdhën, e shumë prej tyre me kundërshti për tribunën tuaj. Pse ndodhi një gjë e tillë?
Si ta thashë edhe më lart, “pesha reale” e “Mjaft” nuk duket, as nuk preket, as nuk shihet, as nuk dëgjohet, as nuk matet me mbushjen e shesheve. Daljet tona në sheshe kanë qenë dhe janë indikative. Mbushjen e shesheve nuk e kemi dhe kurrë nuk do ta kemi qëllim në vetvete. Por, në përgjithësi mbushja e shesheve fatmirësisht dalëngadalë si në gjithë botën edhe në Shqipëri nuk është ndonjë tregues kushedi se çfarë. Po të jetë fjala për “pak njerëz në shesh”, bëni mirë të kujtoni mitingjet e Sali Berishës me nga 15 fanatikë në sheshin “Skënderbej” me vite të tëra në opozitë. Por kjo nuk e pengoi të vinte në pushtet. Apo jo?!
Problemi më i madh, prej të cilit vuante shoqëria shqiptare në tranzicion, ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ka patur fare pak aksion e vëmendje nga ana e “Mjaft” në këtë drejtim. A mendoni se një fakt i tillë është kompromentues për ju?
“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme” kanë qenë dhe janë synim i “Mjaft”. Arritjes deri atje i shërbejnë gjithçkaje çfarë ka bërë dhe bën “Mjaft”. Gjithsesi, edhe njëherë po ua them, numri më i madh i reagimeve, qëndrimeve, aksioneve prononcimeve të “Mjaft” i shërben zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, sepse i shërbejnë apelit për një politikë të ndërgjegjshme.
Korrupsioni ishte dhe ngelet problemi kryesor. A duket pak selektive mënyra si keni operuar në atë kohë, duke mos u marrë shumë me Bashkinë e Tiranës, e cila cilësohej si vatër korrupsioni nga opozita?
Ashtu si asnjë individ nuk mund të cilësohet “i korruptuar”, edhe asnjë organizatë nuk mund të shpallet “çerdhe korrupsioni” nga konsiderata subjektive të marra nga retorika fushatash të dështuara elektorale. Se ju e dini dhe të gjithë e dinë që, pasi kryetari i sotëm i Bashkisë së Tiranës u cilësua jo vetëm i korruptuar, por edhe me një mijë e një epitete të tjera të përbindshme, u rizgjodh.
Sigurisht, një organizatë me mundësi të mëdha financiare do zgjonte zilinë dhe xhelozinë e OJF të tjera. Ndoshta një spektër më i gjerë OJF do ishte më efikas. Nuk krijohej ideja e një monopoli në këtë drejtim, siç dhe shpesh nën zë akuzoheshit nga të tjerë aktorë të shoqërisë civile?
Unë nuk kam veshë të aftë për të dëgjuar gjërat nën zë. Ata që flasin apo pëshpëritin me nën-zëra, bëjnë mirë ta ngrenë zërin dhe më mirë akoma të mos merren më me zëra as nën, as mbi, gjithë ditën kafeneve, por të përveshin mëngët dhe të punojnë. Pastaj zëri vjen vetë. Nuk ka asnjë monopol të “Mjaft”-it. “Mjaft” ka peshën që i jep opinioni publik. Sa kuptoj, qenkeni infektuar nga zëra të pavërtetë shkarashkruesish mjeranë në gazeta me emra monosilabikë me tri germa.
Një “Mjaft” më agresiv dhe radikal pas vitit 2005. Nuk janë më ato aksionet simpatike me gomarë e letra higjienike, por tashmë grupe të ndryshme në nevojë merren me “ndihmën” e “Mjaft” dhe dërgohen para Kryeministrisë që të dergjen aty në greva urie. Pse ky ndryshim kursi?
Nuk i dergj “Mjaft” minatorët dhe gërdecarët nëpër greva. I dergj shurdhëria, verbëria dhe paaftësia e qeverisë sonë. “Mjaft”, ashtu siç ka bërë me minatorët e Bulqizës, kur “Politika e Tiranës” refuzonte të dëgjonte - e solli zërin e tyre në Tiranë, krijoi frymën e opinionit publik, organizoi dhe mbështeti protestat, loboi nëpër ministri, negocioi me kompaninë etj., - vazhdon të punojë në Tiranë e në terren për ndërgjegjësimin dhe përfshirjen e grupeve dhe qytetarëve në vendimmarrje. “Mjaft” ka përdorur e po përdor të gjitha mjetet; që nga aksionet butaforike e deri tek organizimet e komuniteteve. Me sa duket, me qeverinë aktuale nuk inskenohen dot shpesh aksione butaforike humoristike. Për këtë kujdeset Berisha nëpër përurime të denja për t'u gajasur më 1 prill.
Megjithatë, për “Mjaft”-in e sotëm do bënit mirë të pyesnit Elisa Spiropalin, Leart Kolën, e çunat e gocat e tjera që, ndërsa kryeministri feston me dashnorët e NATO-s, punojnë me raporte, protesta e me procese gjyqësore që krimi i Gërdecit të mos harrohet, ashtu siç po do të bëjë pushteti.
Është e lehtë të vihet re se njerëzit kanë arritur një gjendje përbuzjeje dhe mospranimi me politikën. A është “Mjaft” kontribuues në këtë aksion për “delegjitimimin” e politikës? A është e rrezikshme një gjë e tillë?
Po, është e vërtetë që shqiptarët kanë përbuzje ndaj politikës. Por ky është një problem tranzicional i shfaqur shumë herët dhe i trashur pak nga pak në tërë këto vite. Sigurisht që “Mjaft” ka qenë dhe është kontribuues në luftën ndaj këtij fenomeni, përgjegjësia kryesore e të cilit bie direkt mbi sjelljen e papërgjegjshme politike të të gjitha krahëve. “Mjaft” nuk kërkon delegjitimimin e politikës, përkundrazi, synon dhe lufton për legjitimim të politikës përmes zvogëlimit të hendekut midis politikës dhe qytetarëve.
Megjithatë, ju zgjodhët politikën? Pse G99?
Sepse ndjeva që ishte vokacioni im. Ashtu si ti, para se të bëheshe gazetare, ke bërë diçka tjetër dhe pas gazetarisë mund t'i futesh diçkaje tjetër, edhe unë bëra zgjedhjen time. Të pohosh të kundërtën, pra që njeriu nuk duhet të tentojë, është prova më e qartë e prekjes nga “morbusi Berisha”, kundër të cilit nuk njihet deri tani asnjë medikament i efektshëm. G99 është konceptuar si një lëvizje politike e një grup profesionalistësh që rrahin zgjidhje. Ne besojmë se për problemet, me të cilat përballemi, nuk ka një kurë magjike. Ndaj nuk do të premtojmë kurrë atë që nuk arrihet, por gjithmonë do të bëjmë atë që premtojmë. Premtimet tona mund të jenë të kufizuara, por synojnë normalitetin dhe janë të arritshme. Ne drejtohemi nga vlerat që përfaqësojmë: integriteti, transparenca, profesionalizmi dhe ndjenja e solidaritetit. Ne besojmë te drejtësia dhe shanset e barabarta. Ne duam një Shqipëri plot energji, të ripërtërirë, të gatshme për t'u përballur me sfida të reja të një ekonomie gjithmonë e më globale. Ne kërkojmë zhvillim dhe drejtësi.
E dëgjojmë shpesh këtë shprehjen “Të gjithë janë njësoj”. Një gjë e tillë rrezikon të na lërë në vend numëro. Çfarë impulsesh mund t’i jepen në këto momente kësaj shoqërie?
Unë di se në Shqipëri deri tani “njësoj” janë vetëm politikanët e vjetër. Që qenkan të gjithë njësoj, s'e paskam dëgjuar. Me sa duket, e thonë me atë zërin që mua s' më vjen, sepse është i ulët. Nejse, për mua “të gjithë janë ndryshe” dhe ashtu, pra të ndryshëm i dëshiroj, i konsideroj dhe i respektoj të gjithë shqiptarët. Sa për impulset që mund t'iu japim sot shqiptarëve, edhe kjo besoj është fare e qartë; impulse drejt rritjes së shpresës, drejt rritjes së besimit ndaj politikës, impulse të një jete me dinjitet është e mundur.
Si mund të besojnë njerëzit që ju do qeverisni me ‘duar të pastra’?
E mira do ishte për këtë të pyeten njerëzit, ta thonë ata se me çfarë provash mund të binden se unë do qeveris me ‘duar të pastra’. Por duhet pasur parasysh se më të rëndësishme se ‘duart e pastra’ është ndërgjegjja e pastër. Unë do qeveris me ndërgjegje të pastër dhe me duar të pastra, sepse të dyja dhe të gjitha të pastra i kam dhe të pastra do t'i kem. Unë besoj te politika si shërbim ndaj qytetarëve, besoj te politika e ideve, jo te politika e sloganeve me duar të pastra a të pista, teatër që tashmë na ka dalë prej hundësh.
Deri më tani kemi parë vetëm reagime që bëjnë që G99 të duket më shumë si një OJF. Sa herë ka një raport të ndërkombëtarëve, ju dilni dhe përshëndesni, sa herë që ka një grevë, thoni e mbështesim. A mendoni se këto janë aksione të vërteta politike që mund të nxisin votuesin të hedhë votën pro jush?
Ndoshta padashur më bëre një kompliment. Mjetet demokratike të luftës politike janë ato që janë dhe ndjehem i kënaqur që ju paska rënë në sy fakti se ne i përdorim. Të tjerat janë eksese që fatkeqësisht kanë precedentë të shëmtuar edhe në ndeshjet politike tranzicionale tonat. Besoj më kupton, ku e kam llafin; G99 nuk do godasë me gurë, as shishe benzine nuk do hedhë në dritaret e institucioneve, që nuk janë të asnjë partie, por të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Jam plotësisht i bindur se qejflinjtë e gurëve dhe shisheve mbi dritaret e institucioneve i kemi në numër të pakonsiderueshëm. Të tjerët, pra shumica, do votojnë politikën e ideve, dialoguese, të cilën G99 praktikon. Mes tjerash edhe kjo është një nga arsyet, pse do t'ia dalim.
S’mund të anashkalohet një tendencë e juaja për t’u paraqitur si një njeri që ka mbështetjen e ndërkombëtarëve e doemos të amerikanëve. Nuk ju duket tezë e tepruar dhe e tejkaluar?
Ku e shihni të keqen apo tejkalimin?! Unë personalisht dhe G99 besojmë te lufta ndaj izolimit të Shqipërisë, proces që është thelluar në tranzicion me regjimin drakonian të vizave. Shqipëria numëron shumë shanse të humbura për integrim, për shkak të politikave të papërgjegjshme. Paradigma e zhvillimit të Shqipërisë lidhet pashmangshmërisht me integrimin e shpejtë në BE dhe marrëdhënie të forta me SHBA. Në këtë kontekst, G99 do vazhdojë të mbajë e konsolidojë lidhjet me ndërkombëtarët, si një deklaratë e hapur politike për nevojën e hapjes dhe integrimit të Shqipërisë.
S’kemi parë ende asnjë platformë tuajën?
Në website -in tonë, g99.org, ka një kopje publike të manifestit tonë, qëllimi, vizioni dhe çështjet prioritare, i publikuar aty që ditën tonë të parë të punës. Është një mënyrë për ta bërë sa më të aksesueshëm dhe të lexueshëm për publikun.
P.sh., fjala bie, çfarë mund të ofrojë ndryshe lëvizja juaj për të zgjidhur situatën energjitike në vend?
S’dua të zëvendësoj ekspertët tanë të energjitikës, se e kemi tashmë një kryeministër që sillet sikur merr vesh nga gjithçka. Gjithsesi, disa ide praktike i kemi hedhur, njehsimi i gjendjes civile me pagesat e KESH, fjala vjen, nuk do t’i pajiste me pasaportë a certifikatë ata që nuk shlyejnë detyrimet e tyre së pari, apo kategorizimi i kufizimeve të energjisë ne varësi të zonave që e paguajnë ose jo energjinë që praktikohet me sukses në Kosovë. Prej shtatorit do të investohemi me shumë në promovimin e ideve për përdorimin e energjive alternative që po gjejnë gjithnjë e më shumë përdorim në botë. Idetë janë aty, gjer më sot ka pasur pak vullnet për t’i realizuar e shumë zell për të abuzuar me asetet publike.
Zoti Veliaj, Kodi Zgjedhor i ri duket se do e vështirësojë situatën për partitë e vogla. Ndoshta zgjidhja do jenë koalicionet. Ju më pranë cilit bllok e ndjeni veten dhe me cilat parti do të bënit koalicion?
Populli nuk është spinaq. Pushteti nuk është byrek. Kryetarët e partive nuk janë thika që ta ndajnë atë byrek me spinaq. Pavarësisht nga Kodi Zgjedhor që do jetë ai që do jetë dhe koalicionet që do jenë të pashmangshme, unë si kryetar i G99 tani për tani e konsideroj të parakohshme të flas për kode dhe koalicione. Ajo që, mes tjerash, lidhur me sa po pyesni, unë dhe kolegët e m'i po bëjmë, është të bindim sa të mundim shqiptarët se me politikën dhe politikanët e vjetër të shterpësisë, kot harxhojnë kohën dhe kot shpresojnë se prej tyre mund të bëhet ndonjë gjë e mirë. Ne po krijojmë koalicione dhe grupe që rrahin ide dhe zgjidhje për probleme reale. Koalicionet e zgjedhjeve janë dytësore.
Si tezë të fortë pritet të paraqisni faktin se njerëz të lëvizjes suaj janë shkolluar në Perëndim. Megjithatë, këtë kartë e përdori dhe kryeministri aktual, kur krijoi KOP dhe rezultoi nga ata të shkolluar jashtë që u futën në listat e zeza për korrupsion...
S'ka asnjë problem, nëse mua dhe kryeministrit të tanishëm diku në sipërfaqe na u takokërkan retorikat. Por, në thellësi është e qartë që unë dhe ai jemi radikalisht ndryshe. Berisha i ka dhënë të gjitha provat që s'ka ndryshuar, pra që është i njëjti autoritar kaotik dhe i paaftë. “Të rinjtë” e tij janë pafundësisht të përulur dhe servilë para shefit. Aktivistët e G99 nuk janë gurë varri që mbyllin gojën e lexojnë deklaratat e shefit. Janë të gjithë profesionistë me karriera të konsoliduara dhe me personalitet të tyre. Kjo na bën krenarë, sepse lejon qarkullimin e ideve e përplasje për alternativën më të mirë.
Duket se gjithë retorika që përdoret nga lëvizja “Mjaft” dhe lëvizja juaj e re, të nxjerr në përfundimin se është një padrejtësi dhe një fatkeqësi që këta politikanë janë në krye të vendit. Të krijohet bindja se ju mendoni se nuk jeni aty ku duhet të ishit. Është pak e rrezikshme kjo situatë?
Sigurisht, është edhe fatkeqësi, edhe padrejtësi që politikanë të sotëm, dje anëtarë apo kryetarë organizatash të Partisë së Punës, ende drejtojnë fatet e vendit. Po ne s'kemi asnjë pishman - ne besojmë se çdo gjë që kemi bërë e do bëjmë në të ardhmen ka kontribuar për ta ndryshuar këtë fytyrë të shëmtuar tranzicionale.
Kjo qeveri ka rënë disa herë në gropa skandalesh, megjithatë, prapë “Mjaft” e lëvizja juaj e re nuk kanë qenë asnjëherë në një rol të fortë protagonisti apo aktori për të denoncuar këtë qeveri dhe këtë mazhorancë.
Me këtë pyetje me “gropa”, “denoncim”, protagonizëm” më solle përsëri në mendje gurët e lumit dhe shishet e benzinës, të cilët, po ta përsëris, nuk do t'i përdorim. Ne bëjmë politikë duke folur. Natyrisht, për ata që kanë veshë. Dhe, sigurisht, për ata që duan të dëgjojnë.
Zoti Veliaj, duke e përmbyllur, a mund të na thoni, cila është pritshmëria juaj kryesore për zgjedhjet e ardhshme?
Shporrja e të vjetërve. Demokratikisht.