Harri Lena po varros një pasuri milionavjeçare
Zonja Çuli, ju keni ngritur në Kuvend një problem që lidhet me shkatërrimin e një pasurie natyrore të pazëvendësueshme në Grykën e Këlcyrës nga një biznesmen që flet në emër të pushtetit. A ka pasur reagime debati që ju hapët?
Më erdhi mirë që pashë sot (dje) artikullin në gazetën tuaj. I kam ndjekur dhe më parë reagimet tuaja. Por më erdhi keq që nuk pati reagime në parlament, sikur natyra të mos jetë pasuri, po diçka që s’ia vlen barra qiranë të merresh. Shqetësimi im dhe juaji, si dhe i shumë qytetarëve e fshatarëve në Përmet e Këlcyrë, është një shqetësim për të ardhmen dhe mbrojtjen e zonës për një pasuri jo vetëm të tyren, po të të gjithë kombit. Natyrës i janë dashur qindra-mijëra vjet t’i formojë, t’i lakojë e t’i përfundojë të madhërishme, ashtu si janë sot, Grykën e Këlcyrës, Lumin e Vjosës, banjat e Bënjës. Ne, njerëzit, po i shkatërrojmë për një vit.
Gryka e Këlcyrës është simbol i turizmit për shkak të burimeve ujore, një prej të cilave tashmë është i varrosur nën beton në mënyrë të paligjshme, i zaptuar prej biznesmenit Harri Lena. Si mund të çmuroset kjo pasuri natyrore?
Sa herë kaloja përmes asaj gryke, mendoja se duhej bërë e njohur në botë përmes publiciteteve dhe afisheve turistike. Mendoja se rrallëherë mund të gjesh një monument të tillë natyror së bashku me lumin e Vjosës që kalon përmes saj. Por, me sa po shohim, biznesmenëve nuk iu dridhet qerpiku për bukuritë natyrore. Atyre me siguri iu vjen për të qeshur me shqetësimin tonë. Për mua, përgjegjësia kryesore qëndron te pushtetarët vendorë, të cilët kanë dhënë lejen e ndërtimit, që kanë mbyllur një sy për varrosjen e “Syrit të kaltër”, që kalojnë përditë përpara betonit që po pushton brigjet e Vjosës, aty ku rrjedhin burimet e kulluara dhe ku duhet të lejoheshin vetëm lokale të vogla prej druri e me gatime bio. Kjo është pasuria e vërtetë e Këlcyrës, bashkë me bukuritë e tjera, me sarajet që vigjilojnë mbi të, me pyjet, ajrin, florën dhe faunën. Një pasuri që do ta kishin zili shume vende në botë. Kështu do të zhvillohej një agroturizëm që do të rriste mirëqenien e të gjithë banorëve dhe jo mirëqenien personale vetëm të një biznesmeni. Përfytyroni se shumë shpejt mbi Vjosën e pastër dhe të mrekullueshme do të pluskojnë shishe plastmasi, letra, dërrasa e gjithfarë rraqesh. Pishat dhe bredhat përreth, që janë mbjellë me mundimin e banorëve, do thahen nga ndikimi i lëndëve kimike. I gjithë mikromjedisi aty do të ndryshojë dhe do të shndërrohet në një shkretëtirë betoni dhe plastike.
Në gazetën “TemA” është reaguar disa herë ndaj këtij skandali, por s’ka asnjë reagim. Përkundër kësaj, ky biznesmen po shkatërron një kodër të tërë në fshatin Peshtan, duke hapur një gurore pa leje, duke marrë zhavorr pa leje dhe duke shkatërruar natyrën. A mendoni se përveç protestës duhet ngritur padi penale ndaj tij?
Padyshim. Nëse hap gurore pa leje, aty ku shkatërrohet dhe natyra, duhen marrë masa ligjore. Edhe ndaj vendorëve në pushtet, që bëjnë sikur nuk shohin dhe që e lejojnë, duhen marrë masa ligjore. Gjithandej biznesi përpiqet të gllabërojë pjesë natyre për fitimet e veta. Detyra e shtetit është të vërë rregulla dhe të hartojë ligje të rrepta, që ata të mos mundin të dëmtojnë. Do të ndodhte kështu në të gjithë botën, por aty ku shteti vë ligje të ashpra për mbrojtjen e natyrës dhe i zbaton ato, biznesmeni nuk vepron dot.
Disa herë Policia Ndërtimore dhe ajo e Rendit janë nisur ta ndalin dhe janë kthyer të korruptuar prej tij. A mendoni se shoqëria civile mund të luajë një rol në sensibilizimin, duke nisur protestat pranë vendit të krimit, ku është murosur “Syri i kaltër” i Këlcyrës?
Mendoj se po. Duhet të sensibilizohen më shumë dhe vetë banorët, sepse kjo që po ndodh, është shkatërrimi i vetë së ardhmes së tyre. Duhet të reagojnë ndaj korrupsionit dhe të policisë, ndaj lejeve kriminale ndërtimore që japin vendorët. Por njerëzit, nga varfëria, shpesh mashtrohen me dy vende pune që hap firma private dhe harrojnë se, po ta ruajnë Grykën dhe Vjosën dhe ta shfrytëzojnë me kujdes për turizëm, nesër do kenë shumë më tepër të ardhura dhe një jetë shumë më cilësore. Mendoj edhe se, në Përmet e në Këlcyrë, banorët, shoqëria civile duhet të ngrihen dhe të kundërshtojnë me forcë. Shembulli i lëvizjes për mbrojtjen e Gjirit të Vlorës është domethënës. BERZH u tërhoq nga financimi i Petroliferës dhe ky është një sukses i mbrojtësve të Gjirit, me gjithë arrestimet dhe presionet që u ushtruan mbi ta.
Meqë m’u dha rasti, do doja të ngrija dhe një çështje tjetër të ngjashme, po në zonën e Përmetit. Në fletoren zyrtare, në muajin maj, është shpallur dhënia me koncesion e lumit Langaricë një grupi tjetër biznesmenësh, për të ndërtuar dy hidrocentrale. Ata do ndërtohen, duke futur tubat aty ku ndodhen banjat e famshme termale të Bënjës. Nuk e di se cilët janë biznesmenët, po kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që pushteti vendor jep një leje të tillë, gjoja për të zgjidhur problemin e energjisë elektrike, kur këto dy minihidrocentrale do prodhojnë energji vetëm për tri-katër fshatra aty rrotull. Ndërkohë që Përmeti ka 118 fshatra. Banjat vetë, mijëravjeçare, të rralla për nga bukuria, janë një monument natyre dhe shëndeti. Pak më tej, po në vazhdim të rrjedhës së lumit ndodhet shpella prehistorike e Bënjës që do zhduket njëherë e përgjithmonë nga hidrocentrali. Disa metra para banjave ndodhet ura e Katiut, me një hark, shumëshekullore, e mbrojtur nga shteti. Të gjitha këto “do t’i marrë lumi”, siç thotë një shprehje popullore. Pushtetarët vendorë, me lejen e qeverisë, nuk kanë pyetur aspak komunitetin e Përmetit për këtë krim, as drejtuesit vendorë të komunave përkatëse, as shoqërinë civile, pra asnjë nga të interesuarit direkt. Nga ana e përkrahësve të këtyre lloj biznesmenësh, që i vënë kazmën vendit për përfitime, ngrihet argumenti se na duhet zhvillim, energji, vende pune etj. Po ne nuk e duam zhvillimin dhe energjinë, me kusht që të shkatërrohet mjedisi dhe të mos zhvillohet turizmi. Kjo është një alibi e dobët për të mbuluar krimet që po bëhen ndaj natyrës shqiptare, ndaj pasurisë së madhe të shqiptarëve. Por, në një vend ku hidhet në erë kodra dhe vdesin njerëzit duke paketuar armë, ku po vdesin minatorët dhe askush nuk pyet për ta, të luftosh të shpëtosh një grykë, një lumë, një urë, një banjë termale duket si e tepërt.