Dosjet dhe spastrimet
Problemi i parë është qëndrimi që duhet të mbajmë ndaj ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit dhe qëndrimi që duhet të mbajmë ndaj ish-zyrtarëve të lartë të Sigurimit të Shtetit, dhe regjimit në tërësi. Ky qëndrim është i varur nga fakti se në ç’shkallë do të hapen dosjet e diktaturës. Pra, politika ka merak të përdorë si filtër për hallet e sotme pisllëkun e djeshëm të disa individëve, kurse shoqëria ka problem se si ta bëjë të parrezikshëm dhe të padëmshëm për të ardhmen e saj toksikimin prej komunizmit.
Për këtë arsye projektligji i PD, por dhe ata të PS apo demokristianëve janë qesharakë. Janë qesharakë, pasi në thelb nuk kanë parasysh hapjen e dosjeve, por përdorimin e tyre kundër ndonjë individi që është në politikë apo kundër ndonjë shtrese kundërshtare politike. Për këtë arsye mendoj se hapja e dosjeve duhet ndarë nga pasojat mbi ata që kanë bashkëpunuar. Hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit mund të bëhet me një ligj me tri nene, ku të thuhet që gjithë dosjet e arkivuara nga Sigurimi i Shtetit deri më 8 dhjetor 1990 janë në dispozicion të çdo individi që ka bashkëpunuar. Ai mund t’i marrë ato me një vendim gjykate, ku të provojë se është personi që ka qenë i rekrutuar.
Pas kësaj të gjithë jemi të lirë, se jemi të barabartë para të drejtës për t’u informuar dhe mund të bëjmë një ligj të dytë për të drejtat apo privimet që duhet të kenë kategori të caktuara zyrtarësh, bashkëpunëtorësh apo ofiqarësh të lartë politikë të Partisë së Punës në institucionet e reja të shtetit ligjor. Nuk është mëkat që shumë prej tyre të pengohen të emërohen në poste zyrtare, në drejtësi, në administratë të lartë, në poste kyçe të edukimit etj. Për secilin prej tyre ne kemi garantuar ndërkohë aksesin ligjor, nëse ka bashkëpunuar apo nëse ka punuar për poste të larta të diktaturës.
Kjo është një mënyrë burrërore për t’u ndarë nga e kaluara dhe shumë më e pastër sesa metodat sigurimse që ofrohen. Ajo që ofrohet tani, është qesharake. Tashmë, ti si qytetar nuk je i lirë të verifikosh të shkuarën tënde, nuk je i lirë të mbrohesh, nëse të akuzojnë dhe nuk je i lirë dhe të hetosh mbi ato ç’të kanë bërë të tjerët. Një komision, që në mënyrë paradoksale do u varkërka nga Kuvendi, do të caktojë, nëse ke qenë apo jo bashkëpunëtor Sigurimi apo zyrtar i lartë dhe pas kësaj ke pasojat respektive. Kjo është fyerje dhe mbi të gjitha një ridënim i gjithë viktimave të komunizmit. Aksesi për dosjet e Sigurimit të Shtetit duhet të jetë 100 për 100 i siguruar me ligj, por mund të bëhet publik vetëm për ata që tentojnë poste zyrtare apo pjesëmarrje në politikë apo jetën publike. Një bari që mund të ketë spiunuar pse ka ngrënë një kec pa leje brigadieri, apo një traktorist që ka denoncuar se janë marrë tri litra naftë, nuk ka pse bëhet publik, nëse nuk kërkon të bëhet zyrtar i lartë. Por ai vetë duhet të ketë të drejtën të kërkojë dosjen e tij dhe të ballafaqohet me të shkuarën e tij. Ashtu do të dijë t’ia bëjë më mirë gjyqin vetes dhe të mendohet, kur të kërkojë të ribëhet dikush.
Së dyti, nuk mendoj se duhen penguar të kandidojnë ata që kanë bashkëpunuar, pasi dhe ata kanë elektoratin e tyre, por ne e kemi për detyrë t’iu themi zgjedhësve se ky njeri ka bërë këto krime. Janë qytetarët ata që vendosin për të pastaj, nëse i përfaqëson apo jo. Nëse themi se kanë qenë rreth 300 mijë bashkëpunëtorë Sigurimi, duhet të jemi të përgjegjshëm se ajo mund të jetë partia me më shumë anëtarë në Shqipëri dhe me njerëz të disiplinuar që mendojnë politikisht. Ne s’mund t’i zbojmë ata nga ky vend, por ne duhet të krijojmë kushte higjienike për të mos u ndotur mjedisi prej politikës dhe për të mos u përzier qëllimet e përfitimit politik me dekomunistizimin e vendit. Ne mund t’i pengojmë ata të emërohen zyrtarisht në disa poste delikate në krye të shtetit, por jo t’i privojmë nga e drejta për të kandiduar dhe për t’u votëbesuar nga populli. Ngatërresat dhe kakofonia që po krijohet rreth dosjeve, është fyese dhe për viktimat e atyre dosjeve. Asgjë nuk e gjeti Gjermaninë Lindore që i hapi të gjitha dhe lejoi akses për çdo qytetar mbi to përmes një vendimi gjykate. Spekulimet se hapjet e dosjeve këtu do krijojnë konflikte civile janë të pabesueshme. Unë shoh që këtu të burgosur të ndërgjegjes e shikojnë në rrugë Aranit Çelën dhe nuk bezdisen prej tij. Nuk kemi ndonjë gjest hakmarrës nga ish-të persekutuarit kundrejt xhelatëve, madje as sot që shpesh i kanë sërish në kokë. Aksesi i plotë mbi dosjet e Sigurimit është liri për të gjithë, por mbi të gjitha siguri se askush nuk mund të bëjë pis gjithkënd që i teket. Spastrimet, për të cilat politikës së sotme i duhen dosjet, vijnë, pasi të gjithë të dimë kush ka qenë dhe çfarë ka bërë.
Në fushatën e parë elektorale të marsit 1991, zërat radikalë të opozitës së PD ishin për hapje të dosjeve totalisht dhe denoncimin e bashkëpunëtorëve. Partia Demokratike mori 38 për qind të votave dhe kontigjentet e bashkëpunëtorëve iu bashkëngjitën të trembur ish-Partisë së Punës. Në vitin 1992, Berisha ndërroi ton dhe, duke shpallur platformën formale të Pajtimit Kombëtar dhe “bashkëfajtorëve dhe bashkëvuajtësve”, arriti t’i tërheqë ata në garë kundër komunizmit.