Historia sekrete e ligjit për dosjet në PD
Grupi parlamentar i PD është përfshirë i gjithi në garë për të bërë një ligj për dosjet. Dy vjet më parë, ish-kreu i grupit parlamentar, Bamir Topi, ka dorëzuar një projektligj, në të cilin përcaktohen kriteret për zyrtarët e lartë që duhet të pastrohen nga postet ekzekutive, nëse kanë qenë bashkëpunëtorë ose zyrtarë të lartë të Sigurimit të Shtetit.
Por, si ndodhi që historia u rihap me kaq vrull?
Përsëri shkak ishte Bamir Topi. Dy muaj më parë ai nisi një konflikt të ashpër me shumicën, konflikt që po konsumohej në heshtje. Ai kishte çuar në Kuvend pesë dekrete për emërimet në Gjykatën e Lartë, pa pyetur PD. Berisha natyrisht ishte mërzitur dhe alarmuar. Të frustruar ishin dhe shumë drejtues të tjerë të PD. Topalli s’kishte konkurrencë në mërzitjen e saj ndaj këtij akti.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PD në atë kohë, Berisha iu hakërrye Biberajt, në fakt, si sinjal që ky i fundit t’ia përcillte presidentit Topi. Iu hakërrye për ligjin e spiunëve.
- Ti zotëri, - tha, - që ngele nëpër gazeta duke folur për ligjin e spiunëve, bën mirë të verifikosh, cilët janë persekutorët e këtij vendi dhe t’i thuash ata publikisht. Se ne nuk mund të lejojmë persekutorët të emërohen gjykatës. Jo ta dish mirë ti dhe ndonjë tjetër, kushdo qoftë, se ne persekutorë nuk lejojmë. Jo, s’do t’i lejojmë dhe pikë! Ty s’të ka autorizuar njeri të bësh lajme për ligjin e bashkëpunëtorëve. S’duhet të bësh lojën e socialistëve, por duhet të shohësh cilët janë persekutorët.
Biberaj, që s’e vrau mendjen fare për hakërrimin e Berishës, i tha: “Ke të drejtë”.
- Po doktor, - i tha, - ke të drejtë. Do merrem menjëherë me këtë gjë. Do konsultoj dhe dy projektligjet e tjera.
Sapo mbaroi mbledhja e grupit parlamentar, Biberaj shpërndau një e mail konfidencial nëpër gazeta, ku shpjegonte se Berisha i kishte dhënë mandat të plotë për të hartuar ligjin e dosjeve. Kjo histori ia ngriti nervat dhe më shumë Berishës. Për gati një muaj Biberaj ekran më ekran shpjegonte në emër të Berishës një ligj, për të cilin në të vërtetë nuk kishte mandat. Kaq u desh që zemërimi të shpërthente sërish.
Aldo Bumçi u thirr nën armë dhe relativizoi projektin “Biberaj”. Tha që ai është i mirëpritur të bëjë amendamente te projekti i PD.
Pas tij, Fatos Hoxha ka bërë disa amendime të tjera, natyrisht të papranueshme. Hoxha kërkon që, kur vjen fjala për deputetët, të verifikohen dhe pjesëtarë të familjes, motra dhe vëllezër. Më tej akoma, një propozim dhe më radikal vjen nga deputeti Adrian Kollozi. Ai kërkon që në ligj të shtohet që ata që kanë qenë kandidatë për deputetë të Partisë së Punës ose levave të saj, si Organizata e Rinisë, Frontit apo Bashkimeve Profesionale, të mos lejohen më të kandidojnë. Fatos Beja ka shkuar dhe më tej, pasi ka kërkuar që deputetët që kanë pasur mbiemra të ndryshuar gjatë viteve, të verifikohen me ligj të posaçëm se mos kanë fshehur diçka nga biografia e tyre. Lumi i propozimeve ka mbërritur në zyrën e zonjës Topalli, së cilës nuk i hyn në sy asnjë prej tyre.
- Mua më duket marrì ky ligj, - tha ajo. - Ne ende s’kena pyet, a preket a jo presidenti nga ky ligj. Nëse nuk preket, çka po na duhet ligji, boll ligje kena.
Flamur Noka, që dëgjonte i hutuar bisedën, lëvizi nga vendi, mori telefonin dhe i tha Jozefinës.
- Ta pyes atë burrin njëherë, se mos e di ai.
- Jo mor, kot e pyet se ç’a di unë si i duhet atij presidenti. Unë kam hallin tem.