E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harrohet Vasil Bollano, Rama firmos me Dulen

Kreu socialist Edi Rama dhe ai i PBDNJ-së, Vangjel Dule, nënshkruan dje një marrëveshje të posaçme bashkëpunimi për zgjedhjet e 8 majit.Në thelb të kësaj marrëveshjeje, të dyja partitë bien dakord që të mbështesin kandidatët e secilës parti në të gjitha zonat, ku veçanërisht PBDNJ-ja angazhohet për një mbështetje të kandidatëve socialistë në Tiranë, por dhe në rrethet e tjera, ndërsa PS-ja në ato komuna ku nuk ka vendosur kandidatë të saj. PBDNJ nuk konkurron me kandidatë përballë PS në asnjë komunë dhe bashki të vendit, me përjashtim të Bollanos në Himarë, ku duket se PS ka caktuar formalisht kandidatin e saj. Në marrëveshjen e nënshkruar dje në selinë rozë, socialistët angazhohen të mbështesin kandidatin e PBDNJ-së në katër komuna të Gjirokastrës: Dropull i Poshtëm dhe i Sipërm, Odrie dhe Pogon dhe në pesë komuna të rrethit të Sarandës: Aliko, Dhivër, Livadhja, Finiq dhe Mesopotam, ku PS nuk ka nxjerrë kandidatë të saj duke ia lënë zonë të lirë PBDNJ-së. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, krerët e të dyja partive dhanë vlerësimet e tyre për këtë bashkëpunim disi të veçantë dhe të ndryshëm nga bashkëpunimi i PS-së me partitë e tjera të koalicionit të majtë. “PBDNJ do të mbështesë kandidaturat e Aleancës për të Ardhmen, duke filluar nga Bashkia e Tiranës dhe në çdo bashki dhe komunë të periferisë, sikurse edhe Aleanca për të Ardhmen, siç e ka bërë të qartë, do të mbështesë kandidatët e PDBNJ-së në një numër njësish të pushtetit vendor”, u shpreh Dule, pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me PS-në. Sipas tij, kjo marrëveshje tregon dhe një garë konkurrence brenda së majtës. “Jemi sot në finalizimin e një marrëveshjeje me PS dhe Aleancën për të Ardhmen, e cila ka për qëllim kryesor që të kapitalizojë influencën elektorale të Opozitës së Bashkuar dhe ta maksimalizojë atë në çdo njësi të pushtetit vendor. Marrëveshja jonë përfshin mbështetje të ndërsjellë në njësitë e pushtetit vendor për kandidaturat tona, por edhe një veçori dhe konkurrencën e shëndoshë midis dy partive aleate në njësi të caktuara të pushtetit vendor. Këtë e konsiderojmë jo vetëm një gjest emancipimi, por edhe tregues të asaj që ne nënkuptojmë si ballafaqim alternativash, opsionesh, kandidaturash”, u shpreh Dule. Nga ana e tij, kreu socialist Edi Rama vlerësoi aleatin e tij Dule dhe u shpreh se kjo marrëveshje është brenda objektivit të së majtës për të larguar regjimin aktual, siç u shpreh ai. “Jemi këtu për të deklaruar realizimin e një marrëveshjeje të posaçme zgjedhore, e cila bëhet pjesë e rrugës sonë për t’iu dhënë qytetarëve, zgjedhësve më 8 maj, mundësinë për të zgjedhur më të mirën. Marrëveshje për bashkëpunim të posaçëm, në funksion të një Shqipërie europiane. Fitorja e 8 majit është objektivi i forcave të majta ndaj qeverisë që e ktheu qeverisjen në regjim”, u shpreh kryesocialisti. Sipas tij, bashkëpunimi i PS-së me PBDNJ-në, por dhe koalicionin e majtë, ka synim arritjen e një qeverisjeje për qytetarin në përputhje me Kushtetutën e vendit. “Kjo është një marrëveshje që vjen si rezultat i ndarjes së një vizioni dhe angazhimin për të ardhmen europiane të vendit, në mbështetje të vlerave themelore të demokracisë dhe të parimeve themelore të shtetit të së drejtës. Me objektiv të përbashkët për një Shqipëri që punon me një qeverisje të njerëzve, për njerëzit dhe për njerëzit. S’ka dyshim se këtë marrëveshje e bën të domosdoshme akoma më shumë në këtë kontekst edhe qëndrimi ynë i përbashkët për funksionimin e pushtetit vendor, në përputhje me frymën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Kartën Europiane të Autonomisë Vendore”, u shpreh Rama.

PS mbështet kandidatin e PBDNJ

Gjirokastër
Komuna Dropull i Poshtëm
Komuna Dropull i Sipërm
Komuna Odrie
Komuna Pogon

Sarandë
Komuna Aliko
Komuna Dhivër
Komuna Livadhja
Komuna Finiq
Komuna Mesopotam

Nga: ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›