E Diel, 1 Nëntor 2026

Kantrimen, Berishës: KQZ, rol konstruktiv në administrimin e zgjedhjeve, partitë të pranojnë rezultatin e 8 majit

01-04-2011 / Gazeta 55

Zyrtari i Lartë amerikan i thekson kryeministrit Berisha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po kryen një punë të mirë në përgatitjet për procesin zgjedhor dhe hartimin e listave të zgjedhësve. Ai nënvizoi rëndësinë që ka jo vetëm një proces zgjedhor sipas standardeve më të mira, por dhe roli dhe sjellja e partive politike në periudhën pas zgjedhore


Në takim kryeministri Berisha e falenderoi zotin Countryman për kontributin dhe ndihmën e madhe që SHBA-të po i japin Shqipërisë në të gjitha drejtimet. Kryeministri Berisha e njohu zotin Countryman me përgatitjet që po bëhen në vend në mënyrë që procesi zgjedhor i 8 Majit të arrijë standardet më të larta ndërkombëtare dhe i ri-konfirmoi atij angazhimin e plotë dhe të palëkundur të qeverisë shqiptare për arritjen e tyre. Kryeministri theksoi se pavarësisht tentativës së zotit Rama për të përsëritur skenarin bllokues të vitit 2007, falë kornizës ligjore konsensuale dhe bashkëpunimit të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë, procesi i përgatitjes së zgjedhjeve po vazhdon me hapa të shpejtë. Kryeministri e siguroi z. Countryman se procesi zgjedhor i 8 Majit do të njohë standardet më të larta të transparencës, duke falenderuar për këtë edhe angazhimin e OSBE – ODIHR-it si dhe mbështetjen financiare që SHBA-të po i japin vëzhguesve vendas si dhe se mazhoranca është e angazhuar për një fushatë pozitive të fokusuar te interesat e qytetarit dhe të komuniteteve. Kryeministri Berisha e njohu zëvendës asistent sekretarin e shtetit Countryman me zhvillimet e tryezës së partive politike parlamentare, e thirrur nga Partia Demokratike, me qëllim trajtimin e rekomandimeve të OSBE – ODIHR-it që i drejtohen në mënyrë specifike partive politike aktore në procesin zgjedhor për të marrë përsipër angazhimet politike dhe detyrimet ligjore që ato kanë në procesin zgjedhor. Kryeministri Berisha nënvizoi se marrëveshja e paraqitur nga mazhoranca, e cila përfshin edhe një numër kërkesash për transparencë dhe garanci të bëra nga Partia Socialiste, bën një zbërthim të detajuar të rekomandimeve të OSBE – ODIHR-it dhe do të shërbente si një garanci shtesë për një proces zgjedhor të suksesshëm. Kryeministri e njohu zotin Countryman edhe me arritjet e jashtëzakonshme në saktësinë e listave të zgjedhësve, si rrjedhojë e modernizimit të bërë nga qeveria me asistencë të OSBE-së të sistemit të gjendjes civile si dhe e siguroi atë se marrëveshja e nënshkruar nga disa parti parlamentare i garanton çdo subjekti zgjedhor transparencë të plotë të hartimit të këtyre listave. Gjithashtu kryeministri Berisha nënvizoi se pavarësisht procesit zgjedhor, qeveria nuk e ka ulur për asnjë moment intensitetin e punës në drejtim të integrimit në BE dhe plotësimit të 12 prioriteteve të vëna. Në këtë kuadër kryeministri e cilësoi si shumë të rëndësishëm organizimin me sukses të Seminarit të përbashkët me Komisionin Evropian ku mori pjesë dhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së zoti Stefan Fule. Ai e siguroi zotin Countryman se mazhoranca është e gatshme që për të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe miratimin e Avokatit të Popullit t’ia japë iniciativën opozitës me qëllim arritjen e konsensusit të nevojshëm në kuadër të plotësimit të 12 prioriteteve. Zoti Countryman vlerësoi hapat pozitivë të ndërmarrë në dy muajt e fundit duke theksuar se dialogu dhe bashkëpunimi me Komisionin Evropian në kuadër të integrimit dhe përpjekjet e mazhorancës për arritjen e një marrëveshjeje për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it janë zhvillime mjaft pozitive. Zëvendës sekretari i shtetit Countryman ndërsa vlerësoi përgatitjet që po bën KQZ dhe institucionet e tjera për procesin zgjedhor dhe hartimin e listave të zgjedhësve nënvizoi rëndësinë që ka jo vetëm një proces zgjedhor sipas standardeve më të mira, por dhe roli dhe sjellja e partive politike në periudhën pas zgjedhore.


Kantrimen do të mbajë një konferencë për shtyp në ambientet e ambasadës amerikane në kryeqytet


Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Tomas Kantrimen zhvilloi sot takime me kryeministrin Sali Berisha në orët e mesditës ndërsa më pas hyri në një takim në selinë e Partisë Socialiste ku zhvilloi një bisedim me kreun e opozitës Edi Rama. Pak më vonë ai do të takohet me Presidentin e Republikës Bamir Topi dhe më pas me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani. Në mbrëmje zoti Countryman do të mbajë një konferencë për shtyp në selinë e ambasadës amerikane, ku pritet të flasë për rezultatet e kësaj vizite, e cila ka të bëjë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 8 majit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›