Partitë politike firmosin marrëveshjen zgjedhore, PS vetë-përjashtohet

Brukseli: Politika të bashkëpunojë, zgjedhjet e 8 majit përbëjnë rëndësi të veçantë
Konsensusi për një tryezë gjithëpërfshirëse në prag të zgjedhjeve vendore, duket gjithnjë e më i largët. Kësisoj, edhe pse pas 2 takimeve mes PD-së dhe PS-së u duk se forcat politike arritën parimisht në një marrëveshje korrekte dhe konstruktive, sot në mesditë është konfirmuar e kundërta. Pak minuta më parë, PD, LSI, PDIU dhe Partia Republikane firmosën marrëveshjen ndërsa PS refuzoi nënshkrimin e saj derisa përfaqësuesi në tryezën e sotme, Damian Gjiknuri u largua pasi paraqiti parashtrimet e tij. Nga ana tjetër kryetari i grupit kuvendore demokrat Astrit Patozi tha se Partia Socialiste ka kohë deri në 8 prill për ta nënshkruar marrëveshjen. Deputeti i PS, Damian Gjiknuri ka këmbëngulur se në aktin e marrëveshjes duhet të përfshihet propozimi i opozitës për garanci në listat e zgjedhësve dhe dokumentet e identitetit si dhe të parashikohet transparenca pas zgjedhjeve në rast se kërkohet. Por, Patozi deklaroi nga ana tjetër se në draftin final të marrëveshjen janë përfshirë rekomandimet racionale të opozitës ndërsa shtoi se çështja e transparencës zgjedhore pas procesit prek Kodin Zgjedhor. Patozi tha se parashikime të tilla kërkojnë ndryshimin e Kodit Zgjedhor i cili sipas tij nuk mund të amendohet pa konsultime me misionet e OSBE dhe ODIHR dhe veç kësaj koha për ndryshime në kod është e pamjaftueshme duke qenë se zgjedhjet po afrojnë.
Ashton: Politika të bashkëpunojë, zgjedhjet e 8 majit përbëjnë rëndësi të veçantë
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së ka reaguar mbi takimin PD-PS, që sipas saj, mundi të realizohej pas tre vizitave të drejtorit menaxhues Miroslav Lajcak në Tiranë. “Mungesa e një kontakti të tillë të drejtpërdrejtë politik ka qenë burim i shqetësimit të madh dhe mungesës së progresit në Shqipëri”, thuhet në komunikatën për shtyp të zonjës Ashton.
Më tej, ajo nënvizon rëndësinë e garantimit të zgjedhjeve të ndershme lokale, në mënyrë që të fitohet besimi i elektoratit, por dhe ai i BE-së, meqenëse këto zgjedhje përbëjnë provën e radhës. “Bashkimi Europian ka nënvizuar, më shumë se një herë, rëndësinë e garantimit të zgjedhjeve lokale të lira, të ndershme e demokratike në Shqipëri, në përputhje me standardet vendase dhe ato ndërkombëtare. Mbajtja e këtyre zgjedhjeve është thelbësore për dëshminë konkrete të Shqipërisë në lidhje me aspiratat e saj drejt BE-së dhe është e domosdoshme në mënyrë që të sigurohet besimi i elektoratit”- thekson në qëndrimin e saj Catherine Ashton. Shefja e diplomacisë evropiane vlerëson se, udhëheqësit politike janë përgjegjës për sjelljen e duhur në fushatë elektorale dhe gjatë zgjedhjeve. “Në bazë të takimeve të këtyre dy ditëve, përfaqësuesja e lartë bën thirrje ndaj shumicës qeverisëse dhe opozitës që të vazhdojnë dhe të intensifikojnë më shumë dialogun mes tyre, si brenda dhe jashtë Parlamentit, me qëllim që të sigurojnë përgatitjet më të mira të mundshme për këto zgjedhje lokale dhe progresin e Shqipërisë që meritojnë qytetarët e tyre”- përfundon qëndrimi i Ashton mbi Shqipërinë.