E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Harroi” që ishin miq, i shet makinën “Benz”

12/08/2010 Policia në kërkim të personit. Ende enigmë shuma e paguar për “okazionin”

KORÇË- Surprizat vijnë gjithnjë nga miqtë më të ngushtë. Kështu i ka ndodhur dhe 50-vjeçarit Nevruz Terpollari, banues në fshatin Vinçan të rrethit Korçë. Miku i tij më i ngushtë, V. Rapaj, 57-vjeç, banues në fshatin Rabiak të Beratit, ia shiti “Mercedes-Benzin” te një i tretë, që e kishte marrë hua për të shkuar diku. Ndërsa menjëherë pas kësaj Rapaj ishte larguar pa lënë asnjë gjurmë. Duket se kanë qenë të afërmit e Terpollarit që e kanë lajmëruar për posedimin e makinës së tij nga një tjetër individ, gjë që solli interesimin dhe zbulimin e shitjes “okazion” të automjetit të dhënë borxh për pak kohë. Ka qenë F. Beqo, 57 vjeç, banues në fshatin Neviçisht të Korçës, që për pak kohë është bërë pronar i mjetit, por i dorëzuar tashmë në polici.

Arratisja e mikut

Ende nuk dihet me ç’vlerë e ka shitur “Benzin”, sepse policia nuk e bëri të ditur këtë fakt. Megjithatë, ka qenë Terpollari që i është drejtuar policisë për të bërë denoncimin e “zhdukjes” së makinës së tij. Përpara punonjësve të policisë ai ka deklaruar se miku i tij Rapaj i kishte marrë “Benz-Mercedesin” me trargë KO 87-62 A, duke shpërdoruar besimin e tij dhe më pas ia kishte shitur në fshatin Neviçisht, madje pa marrë më parë as pëlqimin e tij.

Policia në ndjekje të mikut

Burimet e policisë pohuan se në lidhje me këtë ngjarje fill pas kallëzimit të Terpollarit në ngarkim të shtetasit Rapaj, banues në Rabiak të rrethit të Beratit, u kryen veprimet hetimore procedurale për veprën penale të vjedhjes me anë të mashtrimit. Gjithashtu burimet bënë të ditur se u kontaktua dhe me blerësin e “Benz-Mercedesit” Florenc Beqo, banues në fshatin Neviçisht. “Tashmë, - pohuan burimet e policisë, - jemi duke punuar për gjetjen dhe kapjen e autorit, pasi ai është larguar pa lënë gjurmë.”

Vepror Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›