E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapodas: Kemi lajmëruar qeverinë kanadeze, tërhiqni akuzat ose tërheqim investimet

12/08/2010 “Stream Oil” u kundërpërgjigjet akuzave për praktika korruptive në fushën e naftës

Opozita: Arian Tartari përfitoi 4 miliardë dollarë nga marrëveshja me qeverinë

Kompania “Stream Oil, LTD”, e vënë prej disa ditësh në qendër të akuzave të opozitës për praktika korruptive, ka reaguar dje me anë të presidentit të saj Sotirios Kapotas, duke kërcënuar se do të vërë në lëvizje qeverinë kanadeze për të mbrojtur paratë që ka investuar në Shqipëri. Kanë qenë pikërisht akuzat e opozitës ato që kanë sjellë në vendin tonë vetë presidentin e kësaj kompanie, i cili ka folur me një gjuhë të ashpër në përgjigje të tyre, duke kërcënuar dhe me tërheqjen e investimeve, të cilat, sipas Kapodas, parashikojnë të kapin një vlerë prej 750 milionë euro, por duke rrezikuar dhe mbylljen e vendeve të punës që janë hapur si pasojë e investimeve që ka bërë “Stream”. “Deklaratat publike të kohëve të fundit rreth Stream kanë qenë denigruese, të pabaza dhe mendoj se kërkojnë një sqarim po publik jo vetëm për të vënë gjërat në vendin e duhur, por dhe për të dhënë një informacion të përgjithshëm për planet dhe qëllimet e Stream në Shqipëri”, - u shpreh Kapodas. Sipas tij, kjo kompani vepron në bursën kanadeze, por edhe ato botërore nën simbolin “SKO”, dhe kjo është lehtësisht e aksesushme dhe informacioni mund të merret nga kushdo “Stream Oil & Gas është kompani publike kanadeze për prodhimin, zhvillimin dhe eksplorimin e naftës dhe gazit, e cila tregton në bursën e Torontos nën simbolin SKO. Kompania ka tregtuar në bursat kanadeze që në vitin 2005 dhe të gjitha informacionet rreth saj janë publike e lehtësisht të aksesueshme nga çdo person e në çdo kohë. Aksionet e Stream mbahen dhe tregtohen nga aksionerët kryesorë globalë amerikanoveriorë dhe evropianë si dhe klientët e tyre, që përfshijnë (por nuk limitohen vetëm në) emra të njohur, si: Haywood Inc, JP Morgan, Jones & Gable, CIM Investments, Canaç ord Capital, Scotia Capital, Muse Capital, TD Waterhouse Canada etj.”, - tha Kapodas. Sipas tij, marrëveshja e lidhur parashikon fitime më të mëdha nga autoritetet shqiptare, ndërkohë që investimi për nxjerrjen dhe përpunimin e naftës në katër fusha të mëdha bëhen me investim tërësisht të huaj. Duke rrëfyer mbi kushtet e kontratësn Kapodas tha: “Marrëveshja me Stream, pavarësisht se për fusha prodhimi jo të rëndësishme, parashikonte përfitime më të mëdha nga ana e autoriteteve shqiptare në krahasim me marrëveshjet e tjera koncesionare. Për ta bërë më të qartë: marrëveshja parashikon që Albpetrol-sh.a dhe qeveria shqiptare të marrin 70% të prodhimit paraekzistues të naftës, 2-6% share royalty, 10% taksë royalty mbi volumin e shitjeve, 50% tatim mbi fitimin (shumë më e lartë se në çdo biznes tjetër në Shqipëri)”, - tha presidenti i “Stream Oil”.

Hapat ligjorë

Ndërkohë, duke folur mbi akuzat e bëra në adresë të kësaj kompanie, e cila si pasojë rrezikon shumë në bursat botërore ku ajo kryen aktivitetin, Kapodas paralajmëron se për këto veprime është lajmëruar qeveria kanadeze, e cila mund të ndërmarrë hapa ligjorë për të mbrojtur të drejtat e investimit të kompanisë në fjalë. Gjithsesi, Kapodes lë dhe një hapësirë të fundit. “Duke parë sulmet publike të kohëve të fundit të bëra në adresë të kompanisë sonë, kemi informuar autoritetet kanadeze dhe kemi kërkuar që ato të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të mbrojtur të drejtat e investitorëve tanë. Ne shpresojmë që para çdo hapi legal ose ndonjë veprimi tjetër burimet përkatëse do të tërheqin deklaratat keqdashëse dhe faktet e pavërteta rreth kompanisë sonë, pasi çdo informacion është publik për çdokënd, në çdo kohë në bursën e Kanadasë. Përfshirja e autoriteteve të qeverisë kanadeze, që mund të çonte edhe në veprime legale, gjë që do të rrezikonte trendin pozitiv të investimeve, apo të çonte në mosdëshirën e investitorëve për të vazhduar të investojnë në Shqipëri, duke sjellë impakt dramatik jo aq për kompaninë sesa për ekonominë Shqiptare. Shpresoj gjithashtu që si shkëlqesia e tij Kryeministri, ashtu edhe lideri i opozitës të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të ndaluar këto akuza të pambështetura kundër kompanisë sonë, që mund të ketë impakt negativ në tregun ndërkombëtar, duke sjellë jo vetëm humbje financiare, por dhe humbjen e qindra vendeve të punës të Stream në Shqipëri”, - u shpreh Kapodas. Opozita ka akuzuar se në bazë të praktikave korruptive të Albana Vokshit, njeriu që ajo bashkëjeton, Arian Tartari, punonjës i kompanisë, ka përfituar në emër të “Stream Oil” 4 miliardë dollarë.

Akuzat e opozitës

“Nën këshillimin e saj, por me vendim të tijin, Berisha i kaloi burrit të këshilltares kontrata për nxjerrje nafte nga nëntoka shqiptare për 25 vjet. Rezervat e naftës në zonat ku kompania e Albana Vokshit punon, kapin një vlerë tregu prej afër 4 miliardë dollarë, sipas një llogaritjeje të vetë kompanisë. E kuptoni, Sali Berisha i ka falur Albana Vokshit 4 miliardë dollarë të pasurisë publike. Ndërsa taksat që paguan kjo kompani në arkën e shtetit, janë qesharake - 2-6%. Më 8 gusht 2007 kryeministri Berisha, duke shkelur çdo ligj të konfliktit të interesit e korrupsionit, i fali burrit të këshilltares së tij tri fusha prodhimi nafte funksionale e një fushë gazi natyror. Kjo kontratë iu dha me propozim të ministrit të Ekonomisë dhe të vetë Albana Vokshit një firme pa eksperiencë në këtë sektor e pa projekte të tjera në menaxhim, por që si vlerë të vetme kishte faktin që ishte pronë e familjes Vokshi (Tartari).”

Partia Socialiste sqaron pozicionin e saj

Nuk kemi gjë me kompaninë, por me korrupsionin politik

Për opozitën qeveria përpiqet të përfitojë joligjërisht

Për herë të parë pas nisjes së akuzave në adresë të deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi Partia Socialiste ka dashur të tregohet e kujdesshme, duke theksuar se ajo denoncon korrupsionin politik. Zëdhënësja e PS-së Armela Imeraj ka dalë ditën e djeshme në një konferencë për shtyp, menjëherë pas reagimit të kompanisë kanadeze, për të nënvizuar se forca politike që përfaqëson denoncon vetëm korrupsionin e mazhorancës dhe se nuk ka asgjë me kompanitë shqiptare apo të huaja që investojnë në Shqipëri. “Dëshirojmë të sqarojmë se denoncimet e Partisë Socialiste për korrupsionin e qeverisë Berisha nuk kanë asnjë lidhje me kompani shqiptare apo të huaja që kanë zgjedhur të investojnë apo të bëjnë biznes në Shqipëri”, - ka thënë zëdhënësja e selisë rozë. Sipas saj, opozita përmes deklaratave ka denoncuar vetëm ekspansionin korruptiv të kësaj mazhorance dhe përfitimet e mëdha nga pasuria publike të njerëzve të kryeministrit në konflikt të hapur interesi, dhe jo kompanitë shqiptare e të huaja që bëjnë biznes në Shqipëri. “Denoncimet e Partisë Socialiste godasin korrupsionin e qeverisë, i cili shpeshherë vendos dhe biznese në shërbim të përfitimeve të jashtëligjshme, në konflikt të hapur interesi, për hesap të familjes në pushtet”, - tha ajo. Me këtë deklaratë PS-ja përpiqet ta veçojë kompaninë e huaj investuese pas valës së akuzave për përfitime të paligjshme të 4 miliardë dollarëve pasuri publike, sipas saj, nga ana e deputetes demokrate Vokshi dhe në dijeni të kryeministrit Berisha. Në deklaratat e bëra nga deputetë të ndryshëm socialistë, thuhet se kryeministri Berisha i ka dhënë ish-këshilltares në mënyrë antiligjore së tij rreth 4 miliardë dollarë nga pasuria publike e shqiptarëve. Por, këto deklarata nuk janë pritur mirë nga kompania kanadeze, e cila investon në sektorin e hidrokarbureve. Si pasojë e reagimit të kësaj kompanie, selia rozë doli menjëherë me një deklaratë për shtyp, ku nënvizoi se denoncimet e saj drejtohen ndaj deputetes demokrate dhe askujt tjetër.

Kryeministri Sali Berisha thumbon opozitën nga bregdeti jugor

Paskal Milo të marrë me vete në Breg krerët e opozitës

“Pas Makaos dhe Los Anxhelos të zbresin në Palasë”

Kryeministri Sali Berisha ka ironizuar opozitën, duke i kërkuar kryetarit të partisë “Demokracia Sociale” Paskal Milo të tërheqë pas vetes të gjithë krerët e partive të majta për të parë ndërtimin e rrugëve në bregdetin jugor të vendit. Duke folur gjatë ceremonisë së inaugurimit të rrugës që lidhet me plazhin e Livadhit, ai ka thënë se, kur të inaugurohet rruga e Palasës, shiritin ta presë kryebashkiaku i Himarës Vasil Bollano me kryetarin e PDS-së Milo. “Duke ardhur këtu, më lindi ideja që rrugën e Palasës, zoti Bollano, ta inaugurosh me zotin Paskal Milo. Zoti Milo të marrë lidershipin e opozitës e ta sjellë në Palasë, të vijë në Vuno të shohë edhe dajat e tij, se 8 vjet nuk lëvizën as 8 gurë, ndërsa tani nga mëngjesi deri në darkë mohojnë, mohojnë dhe vetëm mohojnë. Pasi të kthehen nga Makao dhe Los Anxhelos, pasi i kanë shumë qejf kazinotë, të zbresin në Palasë, edhe pse nuk ka kazino, por ka rrugë shumë të bukur dhe një nga peizazhet më të bukura të Europës”, - ka ironizuar kreu i qeverisë. Ai ka theksuar se gjatë pesë vjetve të fundit infrastruktura rrugore është zhvilluar shumë, ndryshe nga 8 vjet të qeverisjes socialiste. Për Berishën realiteti mes dy periudhave është në kontrast të plotë, “si nata me ditën, me vajet e kallogjerëve të nihilizmit”. Shefi i ekzekutivit është shprehur se në 5 vjet në bregdet është investuar më shumë se në 70 vjetët e mëparshëm të marrë së bashku. Sipas tij, investimet në fushën e turizmit gjatë këtyre 5 vjetve janë mbi 30 herë më të mëdha sesa 8 vjetët e tjerë të marrë së bashku. Kryeministri gjatë inaugurimit të rrugës së plazhit të Jalit ka thënë se nga ai fshat kanë dalë tre anëtarë të Byrosë Politike gjatë regjimit komunist në vend. “Ky fshat ka pasur në të shkuarën tre anëtarë të Byrosë Politike, nipërit e tyre sot qeverisin Partinë Socialiste. Absolutisht nuk i asfaltuan atij një kilometër rrugë dhe e lanë pa ujë 50 vjet”, - tha kryeministri.

Reagimi i PS-së

Deputeti socialist Sajmir Tahiri ka reaguar dje ndaj deklaratës së kryeministri Berisha në lidhje me investimet e qeverisë së majtë në bregdet. “Rrugën e bregdetit Sali Berisha e gjeti të nisur dhe e mbaroi. Ndërkohë që njerëzve të Bregut kryeministri u detyrohet shumë shpjegime për pronat që u ka tjetërsuar qeveria e tij, që nga Orikumi deri në Butrint”, - tha Tahiri. Sipas tij, shqiptarët nuk gënjehen më në vitin 2010 me inaugurime për herë të tretë e të katërt.

Reagimi i Vokshit

Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi ka reaguar menjëherë pas deklaratave të zyrtarëve të Partisë Socialiste, të cilët e akuzojnë për vjedhje të pasurisë publike. Në një deklaratë të fundit ligjvënësja demokrate së bashku me të motrën, Mimoza Vokshi, e cila sipas PS-së është pjesë e aferës korruptive, i ka vlerësuar pohimet e PS-së si shpifje kriminale. Deputetja e PD-së ka thënë se është e hapur që të hetohet pasuria e saj dhe të verifikohen të gjitha pretendimet e ngritura nga opozita. Ajo tha se hetimi mund të bëhet dhe nga Kuvendit përmes një komisioni parlamentar. Por në këtë qëndrim ajo shton se në fillim të sesionit parlamentar do të kërkojë nisjen e hetimit parlamentar për kryetarin e PS-së, njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës Edi Rama. Hetimet sipas deputetes demokrate do të kryhen për fshehjen e pasurisë së Ramës dhe deklarimin e vetëm 3 mijë euro pasuri, ndërkohë që ajo thotë se ka betonizuar gjithë Tiranën dhe ka dhënë lejet e ndërtimit në favor të vetëm dy firmave të ndërtimit. Po ashtu Vokshi thotë se hetimi do të shtrihet mbi konfliktin e interesit për dhënien e lejeve të ndërtimit nga kryebashkiaku i Tiranës vartësve të tij politikë, që sot janë deputetë. Hetimi, sipas saj, do të shtrihet edhe për përdorimin e drogës dhe pasojat që ajo ka sjellë në veprimtarinë e Ramës, dhunën sistematike të ushtruar ndaj grave dhe marrëdhëniet me të birin.

Deklarata e Besnik Bares

Partia Socialiste pretendon se deputetja demokrate Albana Vokshi në kohën kur ka punuar si këshilltare ekonomike e kryeministrit Sali Berisha i ka dhënë familjes së saj kontrata për nxjerrjen e naftës nga nëntoka shqiptare për 25 vjet. PS-ja thotë se Berisha i ka dhënë ish-këshilltares së tij rreth 4 miliardë dollarë nga pasuria publike e shqiptarëve. Partia më e madhe në opozitë pretendon se këto kontrata iu dhanë një firme pa eksperiencë në këtë sektor e pa projekte të tjera në menaxhim, por që si vlerë të vetme kishte faktin se ishte pronë e familjes Vokshi (Tartari). Në deklaratën e fundit deputeti i Partisë Socialiste Bensik Baraj është shprehur se në aferën korruptive është përfshirë edhe Mimoza Vokshi, motra e deputetes demokrate. “Mimoza Vokshi drejtoreshë sugjeron, Albana Vokshi këshillon dhe Berisha në karrigen e kryeministrit firmos për burrin e motrës së vogël Vokshi, pra për bashkëshortin e Albanës. Kjo është skema për të përfituar 4 miliardë dollarë pasuri të shqiptarëve. Berisha bën mirë të mos heshtë, por të flasë, firmën e ka vënë ai për këta 4 miliardë dollarë pasuri publike”, - tha dy ditë më parë deputeti Baraj. Ai shtoi se “bashkautorësia korruptive në rastin Vokshi është e pastër dhe e publikuar. Dyshimet mbeten vetëm se si janë të ndara përfitimet korruptive për atë që hedh firmën, pra mes kryeministrit e motrave Vokshi si është ndarë në pjesë 4 miliardë pasuri publike”.

Gjendja ekonomike

Socialistët fajësojnë qeverinë për varfërinë

Deputeti i Partisë Socialiste Ilir Beqja ka deklaruar dje se gjendja ekonomike në Shqipëri po rëndohet çdo ditë që kalon. Për ligjvënësin socialist mazhoranca dhe qeveria e kryeministrit Sali Berisha ka futur vendin në varfëri. Ai tha se, duke iu referuar të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave, vihet re shtrenjtimin e jetesës në muajin korrik dhe ku inflacioni mesatar në 7 muajt e parë është 3,7 %. “Nëse INSTAT-i nuk do të manipulojë me peshën e qiramarrjes në buxhetet familjare mujore, inflacioni mesatar real në 7 muajt e parë është 4,1%. Të dhënat zyrtare, sado që manipulohen nga Instituti i Statistikave të Sali Berishës, nuk e fshehin dot të vërtetën e shtrenjtimit të jetesës për shqiptarët. Të dhënat zyrtare raportojnë se disa zëra të rëndësishëm jetese janë shtrenjtuar me dy shifra krahasuar me një vit më parë. Kjo ndodh kur kryeministri deklaron se ky është një vit i mrekullueshëm bujqësor”, - ka thënë Beqja. Deputeti socialist shprehet se të dhënat e marra nga INSTAT-i përbëjnë provën më të qartë se shqiptarët që janë në punë apo marrin përfitime sociale jetojnë më keq se një vit më parë, ndërsa për ata 100 mijë që kanë humbur vendin e punës në 12 muajt e fundit edhe mbijetesa po bëhet e pamundur. Duke thënë këtë, Beqja nënvizoi se PS-ja është thellësisht të shqetësuar edhe për shtrenjtimin e afërt të jetesës. “Buka po shtrenjtohet ditë pas dite, ndërkohë që tregu i grurit dhe miellit kontrollohet nga monopolet e lidhura me qeverinë. Në këtë konkluzion ka arritur prej 1 viti Autoriteti i Konkurrencës”, - tha ai. Përfaqësuesi i PS-së tha se qytetarët po përballen me gjendjen e vështirë të furnizimit me ujë të pijshëm dhe janë të detyruar ta blejnë me lekë atë. Beqja shtoi se ekonomia e qytetarëve do të rëndohet edhe më shumë, pasi në muajin shtator telefonia fikse do të shtrenjtohet dyfish. Duke folur në emër të partisë më të madhe opozitare, ai theksoi se qeveria nuk ua ka dhënë ende të punësuarve buxhetorë shtesën e pagës që u premtoi në korrik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›