E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harrojeni Kosovën

Kryeministri Hashim Thaçi kërkon që Beogradi të ndërpresë ushtrimin e ndikimit negativ dhe presionit te serbët e Kosovës, si dhe përkrahjen e ekstremistëve në pjesën veriore të vendit.

“Kosova dhe Serbia do të mund të jetonin mirë pranë njëra-tjetrës si dy shtete fqinje të pavarura. Serbia duhet të mendojë për të ardhmen, për Bashkimin Europian dhe jo të mendojë për të kaluarën - për Kosovën”, ka thënë Thaçi në një intervistë për të përditshmen austriake “Die Presse”.

Kryeministri pret që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të respektojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, ndërkaq pas këtij procesi ai vlerëson se do të ketë valë të re të njohjeve për shtetin e ri.

“Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme”, ka theksuar ai.

Thaçi thotë se Beogradi e di që Kosova është e pavarur, por druan ta thotë këtë publikisht, meqë ka frikë nga reaksionet e popullit. Megjithatë, sipas tij, mendimi publik në Serbi rreth pavarësisë së Kosovës po fillon të ndryshohet.

“65 vende kanë njohur pavarësinë tonë. Jemi bërë anëtar i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyeshme me vendet e rajonit - tani për tani me përjashtim të Serbisë. Vitin e kaluar Komisioni i BE’së na ka ofruar perspektivën e anëtarësimit”, ka thënë Thaçi.

Duke komentuar çështjen e liberalizimit të vizave mes Kosovës dhe BE’së, Kryeministri ka pyetur “si u bë e mundur që BE t’i heqë vizat për Serbinë, kur nëpër Beograd ende shëtisin kriminelët e luftës”.

Ai është zotuar se do të zbatohen të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave.

“Nuk dëshiroj që Kosova të mbetet rob i procedurave burokratike. Çështja e liberalizimit të vizave duhet të shihet edhe nga këndvështrimi njerëzor e jo vetëm si çështje politike apo teknike. Kosovarët janë europianë”.

I pyetur për papunësinë në vend, korrupsioni dhe rrogat e vogla për mjekët, kreu i ekzekutivit ka thënë se pavarësia nuk ka krijuar mrekullira.

“Por, këtë vit do të marrim vendime të rëndësishme, para së gjithash në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës. Do të privatizojmë Postën, Telekomin dhe qendrat e turizmit dimëror. Ky proces do të sjellë investime të huaja dhe vende të reja pune”, ka shtuar ai.

Kryeministri Thaçi ka folur edhe rreth akuzave të Nazim Bllacës, i cili ka akuzuar zyrtarë të PDK’së ose të afërt me këtë parti.

“Kjo ishte një dramë e pavlerë e fushatës zgjedhore. Ishte pjesë e një fushate negative kundër partisë time para zgjedhjeve lokale. Por, jam krenar, sepse përkundër kësaj, qytetarët masivisht votuan për mua. Askush nuk u besoi gënjeshtrave që i përhapën kundërshtarët tanë politikë”, ka thënë Thaçi për gazetën austriake.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›