E Shtunë, 31 Tetor 2026

President, zgjidh e merr

Është koha që Fatmir Sejdiu të japë përgjigje.

Ato që do të thotë ai ditëve të ardhshme do të përcaktojnë edhe të ardhmen e LDK’së në skenën politike të vendit.

Kryetari i LDK’së duhet të përcaktohet për ndryshime thelbësore në partinë e tij apo për ruajtjen e status-quo’s.

Zgjidhje të ndërmjetme nuk ka.

Në tavolinën e Presidentit tashmë janë dy oferta.

Oferta e parë është e një anëtari të Kryesisë së LDK’së, e cila i propozon Fatmir Sejdiut të bëjë ndryshime rrënjësore në udhëheqësinë e partisë. Oferta e dytë, ndërkaq, është ajo e Nexhat Dacit, i cili propozon bashkëpunimin e LDK’së dhe LDD’së në bazë të modelit të partive gjermane, CDU-CSU.

Burime të Express, brenda kabinetit të Presidentit të Republikës, kanë shpjeguar përmbajtjen e letrave në fjalë.

“Letra e anëtarit të Kryesisë flet për nevojën e ndryshimeve thelbësore në udhëheqësi. Aty propozohen emra konkretë që duhet të emërohen në postet kyçe”, ka deklaruar një zyrtar i Presidencës, në kusht anonimiteti për Express, të enjten.

Sipas tij, Presidentit Sejdiu i propozohet që ta thërrasë sa më parë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

“Këshilli i Përgjithshëm, sipas kësaj letre, duhet të miratojë ndryshimet në Kryesi dhe njëherësh të shpallë zgjedhjet e brendshme partiake”.

Gazeta ka mësuar se, sipas këtij propozimi, nënkryetarë të LDK’së duhet të emërohen Ukë Rugova (djali i vogël i ish-Presidentit Rugova), Isa Mustafa, Kryetari i PSD’së, Agim Çeku, dhe Kryetarja e ORA’s Teuta Sahaçia. Po sipas këtij propozimi, të gjithë nënkryetarët tjerë aktualë, përveç Lutfi Hazirit, duhet të lëshojnë rrugë.

“Udhëheqësia e re do duhej ta drejtonte partinë deri në mbajtjen e Kuvendit të Përgjithshëm, që pritet të mblidhet në vjeshtën e këtij viti. Nga periudha e emërimit të tyre e deri në mbajtjen e zgjedhjeve partiake, figurat e reja do të kishin mundësi të promovoheshin para elektoratit dhe njëherësh prania e tyre në LDK do të nxiste inkuadrimin e figurave të reja në parti”, ka thënë burimi i gazetës, duke shpjeguar përmbajtjen e kësaj letre.

Sipas këtij burimi, në letër jepen edhe detaje tjera rreth vendimeve që duhet të marrë LDK, sidomos kur është fjala për organizimin e brendshëm dhe rregullave të reja të lojës pas Kuvendit të ardhshëm Zgjedhor.

Për këtë letër, Fatmir Sejdiu ende nuk ka dhënë përgjigje.

Anëtari i Kryesisë Qendrore të LDK’së, Astrit Haraqija, shprehet se nuk është në dijeni të përmbajtjes së letrës. Megjithatë, ai thotë se ditët e ardhshme janë vendimtare për partinë e tij, LDK’në.

“Muaji mars është vendimtar për LDK’në”, ka thënë Haraqija për Express, të enjten.

LDK, pas zgjedhjeve të sivjetshme lokale, po tenton të sjellë në gjirin e saj parti më të vogla. Në këtë kontekst, zyrtarë të LDK’së i kanë bërë ofertë konkrete Partisë Reformiste Ora dhe Partisë Socialdemokrate.

Por, Agim Çeku, në një prononcim për Express, nuk ka dashur të flasë për bashkëpunimin e mundshëm me LDK’në.

“Konkretisht nuk ka asgjë”, ka deklaruar Kryetari i PSD’së, të enjten.

“Unë jam i hapur për bashkëpunim dhe nuk përjashtoj askënd”, ka shtuar ai.

Çeku ka thënë se nuk është në dijeni se dikush ka propozuar emrin e tij për postin e Nënkryetarit të LDK’së.

“Çështja është se unë nuk flas me askënd për pozicionin tim. Por, flas për subjektin që drejtoj”, ka potencuar Çeku.

Ndryshe, letra e dytë që është dërguar në Presidencë, ka plotësisht përmbajtje tjetër nga ajo e anëtarit të Kryesisë së LDK’së.

Në një konferencë për media, të enjten, Nexhat Daci ka thënë se i ka dërguar një letër Presidentit Sejdiu, por ka refuzuar të përgjigjet kur është pyetur nga gazetarët për përmbajtjen e ofertës së tij.

“LDD ka vlerësuar se është koha që të ofrojë një zgjidhje, një alternativë dhe sot një nga alternativat e mundshme të daljes nga kriza e thelluar është që Kryetarit të LDK’së Fatmir Sejdiut i kam dërguar një letër, ofertë për bashkëpunim, ofertë për një koalicion parazgjedhor, konform qëndrimeve tona reale dhe duke respektuar rrugën e përbashkët që kemi pas një kohë të gjatë”, ka thënë Kryetari i LDD’së, Nexhat Daci.

“Nuk kam dashur që t’i dërgoj letër publike, por i mbetet Kryetarit të LDK’së të vendosë se a dëshiron ta bëjë publike a jo, ngase nga LDD e ka atë leje. LDD nuk e ka në koncept të luajë lojëra”, shtoi Daci.

Express ka mësuar se Daci i kërkon Sejdiut një takim ku duhet të diskutohet për format e bashkëpunimit mes LDD’së dhe LDK’së. Sipas Kryetarit të LDD’së, në këtë rast duhet të ndiqet shembulli i dy partive simotra gjermane, CDU-CSU.

Presidenca ka konfirmuar arritjen e letrës së Nexhat Dacit.

“Është e vërtetë se sot ka ardhur një letër nga z. Daci. Në zarf letra i drejtohej Presidentit të Republikës, por në përmbajtje ajo fliste për bashkëpunimin e LDK’së me LDD’në”, ka deklaruar për Express, Xhavit Beqiri, Zëdhënës i Presidencës.

“Si e tillë, letra është kthyer sërish në Protokoll, për shkak se Presidenti nuk mund ta ushtrojë edhe funksionin e Kryetarit të LDK’së. Por sigurisht se kjo letër e z. Daci do të dërgohet në Kryesinë e LDK’së”, ka shtuar Beqiri.

Në ndërkohë që në Presidencë janë dërguar dy letra të cilat duket se do ta përcaktojnë të ardhmen e LDK’së, në opinion është shfaqur edhe Naser Rugova, anëtar i Kryesisë së LDD’së, i cili po ashtu ka dhënë një deklaratë interesante.

Ai ka thënë se LDK dhe LDD duhet të bashkohen, derisa Fatmir Sejdiu dhe Nexhat Daci duhet të largohen nga drejtimi i partive.

Sipas tij, Kryetar i të dy partive duhet të jetë djali i vogël i Presidentit Ibrahim Rugova, Uka.

“Unë nuk mendoj që afrimi i dy partive politike mund të lidhet për një individ. Unë mendoj që njeriu që do t’i bashkonte në një trung LDK dhe LDD është Ukë Rugova. Një djalë i ri që është gjak i Presidentit historik Ibrahim Rugova, që është rritur dhe edukuar në frymë dhe filozofi politike të tillë, që tani po mbaron studimet në SHBA”, ka deklaruar Naser Rugova.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›