“Harruan të thërrasin Tokën në Konferencën e Klimës”
Tre javë më parë, më 19 dhjetor 2009, në Kopenhagë, përfundoi punimet konferenca ndërkombëtare e OKB, që kish në qendër të saj – as më pak, as më tepër - luftën kundër ngrohjes klimatike. Një fiasko e vërtetë për ekologjistët, një dështim për pesimistët e shumtë, një gjysmë-dështim për optimistët e pakët. Dymbëdhjetë ditë të një psikodrame botërore në kryeqytetin e Danimarkës që priti 120 përfaqësuesit më të lartë të 192 shteteve, që akreditoi 45.000 pjesëmarrës: një shpresë e pashoqe për të gjetur një zgjidhje ndaj këtij fenomeni që shqetëson miliarda njerëz, një mobilizim i pashembullt për të ndjeshmuar opinionin publik botëror, një shpenzim kohe dhe energjie i burrave (dhe grave) politikë… Rezultati u desh ndërhyrja e vetë Presidentit Obama, dhe e një tufe Presidentësh, Kancelarësh dhe Kryeministrash, për të nxjerrë në dritë 3 faqe mjerane, 12 paragrafë dështakë, e ashtuquajtura “Deklaratë politike” ose «Marrëveshja e Kopenhagës», të cilës është pak t’i thuhet se i mungon çdo ambicie.
Po sjellim këtu shqipërimin e një interviste të Mishel Serres, të botuar nga gazeta «Le Monde» (21.12.2009). Akademiku dhe profesori i Stanford-it. shpalos vështrimin e tij mbi botën, një vështrim që përbashkon shkencat dhe kulturën, krahas politikës në administrimin e saj. Ai mbështet mendimin se planeti ynë duhet të kthehet në një aktor esencial i skenës politike.
- Dymbëdhjetë ditë bashkëbisedime për të arritur në një marrëveshje minimale: mali polli një mi. Përse një bilanc i tillë zhgënjyes?
Kopenhaga qëndron ndaj gjeopolitikës sikundër Marrëveshjet e Mynihut të shtatorit 1938 qëndrojnë ndaj politikës: një kompromis frikacak dhe i ulët. Por krahasimi ndalon në këtë pikë. Nëse takimi mbi klimën mbetet një dështim, kjo rrjedh në radhë të parë prej faktit se të arrish të mbledhësh 192 persona rreth një tryeze, kjo i ngjan më tepër një meshe solemne se sa bisedimesh të vërteta. Problemi vjen kryesisht se këta 192 persona janë burra shteti, misioni i parë i të cilëve është mbrojtja e interesave të qeverive të tyre dhe më pas, të vendeve të tyre. Politika – dhe është pikërisht roli i saj – këqyr marrëdhëniet njerëzore, qofshin ato edhe konfliktuale.
Por, qëllimi i Kopenhagës nuk ishin marrëdhëniet njerëzore, por ringrohja e planetit, shkrirja e akujve në pole, ngritja e nivelit të ujërave, zhdukja e specieve. Pra, bëhet fjalë për një objekt që e tejkalon horizontin klasik të politikës. Çka dëshmon para së gjithash ky takim i Kopenhagës, është se kufijtë e politikës – në kuptimin tradicional të fjalës – janë arritur dhe tejkaluar si rrallëherë në histori.
Pra, dështimi ishte i vulosur paraprakisht ?
Sidoqoftë, ai ishte fort i mundshëm dhe për një arsye të thjeshtë : u harrua të thirrej në Kopenhagë një partner thelbësor, i përbërë nga ajri, nga zjarri, nga uji dhe nga të tjera qenie të gjalla. Këtë mungues që ende nuk është ulur në asnjë Parlament, unë e quaj «Biogjé» - për të përmbledhur në një fjalë të vetme jetën mbi Tokë. Është një vend nga kemi dalë që të gjithë ne. Kush mund ta përfaqësoje këtë vend? Kush mund të jetë ambasadori i tij; në ç’gjuhë duhet të flasë ai vallë ? Kjo mbetet ende për t’u shpikur. Por ama, institucionet tona nuk mund të kënaqen më nga kjo lojë me dy lojtarë. Loja e nesërme duhet luajtur me tre të tillë: ne nuk mund të bëjmë asgjë, pa marrë parasysh tashmë këtë Biogjé.
Të luhet treshe, ç’doni të thoni me këtë ?
Është një tablo e piktorit Goja, «Duel me dru», që shpjegon fort mirë këtë gjë. Në të shihen dy njerëz që rrihen me shkopinj. Nga kjo lojë dyshe, kush do të dalë fitues? Kur Hegeli ve ballë përballë skllavin dhe të zotin, ai jep njëkohësisht edhe rezultatin e kësaj lufte (skllavi shndërrohet në zot të të zotit), por ai harron të theksojë vendin ku zhvillohet kjo ndeshje. Goja është piktor dhe nuk mund t’ia lejojë vetes një harresë të tillë… ai e vendos këtë ndeshje në mes të rërave përpirëse. Ja pra, sa më tepër ata qëllojnë njeri tjetrin, aq më tepër ata fundosen. Ja përse, loja treshe sot bëhet e pashmangshme.
Burrat politikë mund të vazhdojnë të administrojnë konfliktet e tyre në mënyrë strategjike, luftarake ose diplomatike: nëse ata do të vazhdojnë të harrojnë të përfaqësojnë njëkohësisht Biogjénë, ata do të fundosen gjithnjë e më tepër në rërat thithëse. Në Kopenhagë, do të kisha dashur që kjo tablo të zhvillohej në mes të një amfiteatri!
“Nëse klima do të kish qenë një bankë, do ta kishim shpëtuar ndërkohë», ironizoi presidenti i Venezuelës Hugo Çavez, gjatë këtij takimi. ǒka ju frymëzon kjo shprehje?
Ajo ç’ka nënvizon Çavezi, është mbizotërimi dhe pesha që ka marrë ekonomia në administrimin e botës tonë. Që prej njëqind e pesëdhjetë vjetësh, tashmë përmendet – si nga e majta ekstreme marksiste, sikundër edhe nga e djathta liberale më e pastër – se ekonomia është infrastruktura esenciale e çdo shoqërie. Në këtë mënyrë, mjafton një re e zezë të mbulojë këtë fushë që të gjithë politikanët e botës të mobilizohen. Por, unë prej kohësh përmend se ekonomia s’është veçse një parametër mes të tjerësh. Dhe që kriza financiare që po lëkund sot kazinon e bankës është veçse një tregues i thyerjeve shumë më të thella, për të cilat shprehjet «relancim» ose «reformë» nuk kanë asnjë kuptim.
Cilat janë këto thyerje që ju i përshkruani në librin tuaj «Kohë krizash»?
E para, dhe padyshim më e thella, është zhdukja e shumicës fshatare e popullsisë. Në fillim të shekullit XX, popullsia e Perëndimit ka qenë 60 deri 65% fshatare; në vitin 2000, ajo ka mbetur 1.8%. Kjo rënie e fuqishme e popullatave fshatare, që pashmangshmërisht do të përhapet me shpejtësi edhe në zonat e tjera të globit, shënon fundin e një periudhe që ka filluar… në Neolitik.
Por, risia e një ngjarjeje është gjithmonë në raport të drejtë me gjatësinë e epokës së mëparshme. Bëhet fjalë pra për një tronditje të fortë që ka ndodhur, pasojat e të cilës sapo kanë filluar të ndihen. «Kafsha» fshatare nuk është e njëjta me «kafshën» qytetare, nuk është e njëjta sjellje «e të qenit në këtë bot뻅 dhe epoka jonë njeh të tjera thyerje. Në fusha po aq të ndryshme sa edhe të rëndësishme sikundër mënyra e banimit, jetëgjatësia, demografia, komunikacionet; gjithçka është duke ndryshuar. Por e vetmja gjë që nuk ka ndryshuar janë institucionet. Dhe ju kërkoni që të mos shpërthejë? Me instanca dhe mekanizma qeveritarë të parashikuara për një miliard banorë, ndërkohë që ne jemi gjashtë miliard e gjysmë? Të përpunuara për një popullsi në shumicën e saj fshatarake ndërkohë që ne jetojmë të gjithë në qytete? Për njerëz që vdisnin në moshën 30-40 vjeçare, ndërkohë që ne po bëhemi njëqindvjeçarë?
Si duhen shndërruar pra institucionet për të marrë parasysh «mikun e paftuar» të Kopenhagës?
Diku më lart, thashë që takimi mbi klimën tregoi edhe kufijtë e aksionit politik, por njëkohësisht duhet thënë diçka edhe për shkencën. Asnjëherë këta 192 persona nuk do të ishin mbledhur në se nuk do të kishin pasur dijeni për punimet e Grupit të Ekspertëve ndërqeveritarë mbi zhvillimin e klimës (GIEC), me fjalë të tjera shkencëtarët dhe të diturit. Dy grupe personash janë pra në lojë: një grup ekspertësh që njohin dhe dinë, por që nuk janë të zgjedhur, dhe një grup të zgjedhurish por që nuk dinë. Për të ecur përpara, duhet shpikur një rimodelim i këtyre dy profilesh. Ai i politikanit sikundër edhe ai i shkencëtarit, implikimi i të cilit në jetën qytetare të sotme është absolutisht i domosdoshëm.
Marrë nga albanie-albanais.com, shkruar nga Georges Xexo