E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ndihmojmë Haitin

Nga
Bill Klinton

Ish-President
i SHBA i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njëherësh i dërguar special
i Kombeve të Bashkuara për Haitin*

Ndërsa po i shkruaj këto rreshta, ende nuk e dimë shkallën e dëmeve nga
tërmeti, që të martën goditi brigjet e Haitit. Por, vlerësimet e para thonë se
rreth 3 milionë njerëz, pothuaj një e treta e popullsisë së Haitit, kanë nevojë
për ndihmë, duke e bërë këtë emergjencën më të madhe në historinë e Amerikave.

I tërë sistemi i Kombeve të Bashkuara po punon për ti plotësuar nevojat në
Haitit pas shembjes së selisë sonë dhe vdekjes së shumë kolegëve tanë. 

Qeveria e Shteteve të Bashkuara është zotuar të japë mbështetje të plotë për
rimëkëmbjen e vendit, ashtu si qeveritë e shumë vendeve të tjera. Organizatat
joqeveritare dhe qytetarët e thjeshtë janë ofruar të ndihmojnë. Madje, edhe
kontributet më të vogla do të bënin dallim të madh pas një shkatërrimi të
tillë.

Por, pasi të kalojë emergjenca, do të mbeten punët për rindërtimin e vendit. Që
nga dhjetori 1975, kur unë dhe Hillari udhëtuam në Haiti, kam qenë i preokupuar
me shpresën e atyre njerëzve përballë abuzimit, neglizhencës dhe varfërisë.

Si president, punova për ti dhënë fund diktaturës së dhunshme ushtarake në
Haiti dhe për ta rivendosur presidentin e zgjedhur në zyrë. Qershorin e kaluar,
e pranova rolin e të dërguarit special të Kombeve të Bashkuara për Haitin, për
të ndihmuar në zbatimin e planit afatgjatë të zhvillimit, duke rritur ndihmat e
qeverive të huaja dhe investimet private. 

Këto ndihma do të krijojnë më shumë vende të punës, arsim më të mirë, kujdes më
të mirë shëndetësor, shpyllëzim më të vogël dhe energji më të pastër për vendin
që ka nevojë.

Patëm një fillim të mbarë dhe para tërmetit besoja se Haiti ishte më afër se
kurrë për të siguruar një të ardhme të ndritur.

Përkundër kësaj tragjedie, unë ende besoj se Haiti do tia dalë mbanë.

Së pari, duhet të kujdesemi për të plagosurit, të vdekurit, të pastrehët dhe të
uriturit. Sapo ti pastrojmë rrënojat, do të krijojmë të nesërme më të mirë për
haitianët, me ndërtesa më të forta, me shkolla më të mira dhe shëndetësi më të
mirë. Njerëzit e Haitit e meritojnë mbështetjen tonë.

Në ditët në vijim, do të rrëfehen shumë histori për humbje dhe triumf të
shpirtit të njeriut. Ata do të na bëjnë thirrje për tu ndihmuar, jo vetëm që
të rivendosim Haitin, por ta ndihmojmë që të bëhet një vend më i fortë dhe më i
sigurt, të cilin njerëzit e vet gjithmonë e kanë dëshiruar dhe merituar. 

Marrë nga "Washington Post"

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›