Harry Reid i kërkon falje Obamës
Udhëheqësi i demokratëve në senat, Harry Reid, ka kërkuar falje për deklaratën e tij se raca e presidentit amerikan, Barack Obama-të cilin e përshkroi si një afro-amerikan, pa dialekt të zezakëve-më parë do të ndihmojë, se sa të dëmtojë fushatën e tij për president.
Obama me shpejtësi pranoi kërkim-faljen e tij, duke thënë:”Sa më përket mua, kjo kaptinë është e mbyllur”.
Reid, i cili këtë vit do të përballet me një fushatë të vështirë për rizgjedhjen e tij në senat, kaloi ditën duke zhvilluar biseda telefonike me udhëheqësit për të drejta qytetare dhe me kolegët e tij demokrat, me qëllim që të minimizojë dëmin politik të deklaratës së tij.
Komentet e Reidit, të bëra në vitin 2008, janë përfshirë në librin “Game Change”, të shkruar nga gazetarër Mark Halperin dhe John Heileman. Në këtë libër trajtohet fushata presidenciale e Obamës në vitin 2008 dhe përfshin intervistat e autorëve me rreth 200 burime, pjesës më të madhe të së cilëve ju është garantuar anonimitet.
“Reid ishte i impresionuar nga aftësia oratore e Obamës dhe ka besuar se vendi është i gatshëm që të përqafojë një president me ngjyrë, në veçanti një të tillë si Obama-një afro-amerikan, i cili nuk ka dialekt zezak”, u citua në libër të ketë thënë Reid, gjatë fushatës presidenciale në vitin 2008.
Pas publikimit të këtij fragmenti të librit, Reid lëshoi një kumtesë, duke shprehur keqardhje për këtë përzgjedhje të varfër të fjalëve nga ana e tij.
Obama lëshoi gjithashtu një kumtesë, duke theksuar se ai ka biseduar me Reidin dhe se për të kjo kaptinë është e mbyllur.