Atentatori i Papës dëshiron të shkruaj libër

Personi, i cili qëlloi dhe plagosi Papa Gjon Palin II, ka theksuar se po shqyrton mundësinë që të shkruaj libër, si dhe ofertat për të xhiruar një film dhe një film dokumentar, pasi që të lirohet nga një burg në Turqi më vonë gjatë këtij muaji.
Në një kumtesë dërguar agjencive, Mehmet Ali Agca, theksoi se do të dëshironte të shkonte në Vatikan, për t’u takuar me Papa Benedictin XVI, por shtoi se ai ende nuk e ka përcaktuar datën e vizitës së tij.
Agca ka qëlluar Papa Gjon Palin me armë zjarri, në sheshin e Shën Petrit, më 13 maj të vitit 1981. Papa u takua me Agcan në një burg në Itali në vitin 1983, me ç’rast e fali atë.
Agca ka qëndruar 19 vjet në një burg në Itali, për shkak të atentatit kundër Papës dhe po i afrohet edhe përfundimit të dënimit me 10 vjet burg, për shkak të vrasjes të një gazetari turk, në vitin 1979. Agca pritet të lirohet nga burgu më 18 janar.