Harta e re e bashkive sipas PS-, Mazniku: Shërbimet do të ofrohen në zyrat aktuale, qytetet nuk ndryshojnë

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, teksa prezantoi draftin e Partisë Socialiste për riorganizimin e hartës territoriale, ka theksuar se reforma synon krijimin e bashkive më funksionale, të afta për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët.
Mazniku theksoi se reforma territoriale nuk synon largimin e shërbimeve nga qytetarët, por përkundrazi, afrim të tyre dhe rritje të cilësisë.
“Bëhet për të mirën e qytetarëve shqiptarë, për t’i pasur mundësinë që çdo bashki të ketë mundësinë të ofrojë shërbimet më të mira të mundshme dhe kapacitetet për të hartuar projekte zhvillimore dhe për t’i kthyer bashkitë nga institucione të cilat sot janë përgjegjëse për pusetat, kanalizimet dhe dritën, në institucione të cilat bëhen përgjegjëse për zhvillimin ekonomik të territorit që ata administrojnë”, tha ai.
Sipas Maznikut, reforma ka për qëllim që çdo bashki të ketë kapacitetet e nevojshme për të ofruar shërbime më të mira dhe për të hartuar projekte zhvillimore. Një tjetër shtyllë e saj është decentralizimi, i cili lidhet ngushtë me aftësitë e bashkive për të ushtruar funksione të caktuara, si burimet njerëzore, financat dhe mjetet teknike.
“Decentralizim do të thotë cilat funksione nga qeveria ne i afrojmë tek bashkia. Por decentralizimi është i lidhur ngushtësisht me kapacitetin e një bashkie nga ana e burimeve njerëzore, nga ana e financave, nga ana e aftësive teknike, mjetet, makinat, për ta ushtruar një funksion të caktuar. Dhe nëse bashkitë nuk i kanë këto kapacitete, nuk mund të flasim për decentralizim për të çuar funksione me ligj. Por ligji nuk jep dot as njerëzit që operojnë mjetet, as mjetet. Ne mund të theksojmë me ligj që këto do të bëjnë plan urbanistik, por ligji nuk krijon dot urbanistë”, theksoi ai.
Mazniku u shpreh se reforma nisi me një komision të posaçëm, ku u pranua pariteti me opozitën dhe bashkëkryesia, por opozita nuk kontribuoi në proces.
“Kjo reformë ka nisur punën nëpërmjet një komisioni të posaçëm në të cilin ne pranuam dy elementë shumë të rëndësishëm: Së pari, paritetin me opozitën dhe së dyti, bashkëkryesinë. Të dy këto elementë nuk ishin detyrues, por ishin elementë të mirëbesimit për të munduar dhe krijuar një frymë në të cilën të shihnim opsionin e krijimit të një reforme e cila të qëndronte në kohë, të ishte për të mirën e Shqipërisë dhe t’i përgjigjej në mënyrën më të mirë të duhur sfidave që Shqipëria ka përpara”, tha ai. Opozita nuk kontribuoi në proces, për katër muaj nuk mori pjesë në punimet e komisionit, ndërsa më pas debati u përqendrua te kalendari i punës”, deklaroi ai.
Ai e lidhi reformën me integrimin evropian, duke deklaruar se Shqipëria pritet të mbyllë negociatat me BE në vitin 2027 dhe të bëhet vend anëtar në vitin 2029.
“Unë e kam thënë vazhdimisht dhe vazhdoj ta them: në vjeshtën e vitit që vjen, të fundit të 2027-ës Shqipëria do të mbyllë negociatat me Bashkimin Evropian dhe në vitin 2029 Shqipëria do të jetë një vend anëtar i Bashkimit Evropian. Në atë moment nuk integrohet në BE qeveria, nuk integrohet një zonë e Shqipërisë, integrohet e gjithë Shqipëria në Bashkimin Evropian. Dhe një ndër programet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian është programi i kohezionit social, program i cili nëpërmjet mbështetjes së Bashkimit Evropian i jep mundësinë që territoret që janë më pak të zhvilluara në BE të marrin mbështetje financiare për t’u zhvilluar. Por këto nuk janë para që vijnë automatikisht vetëm se je anëtar. Janë para që vijnë në mënyrë konkurruese nëpërmjet projekteve zhvillimore që bashkitë apo rajonet ia dalin të hartojnë. Dhe pjesa e sfidës që ne kemi përpara është të kemi mundësi të forcojmë bashkitë tani, të futemi në zgjedhjet e ardhshme me bashki me struktura më të forta, më të afta ekonomikisht, më të afta funksionalisht”, deklaroi Mazniku.
Sipas draftit që PS ka dorëzuar, parashikohet riorganizim i pushtetit vendor dhe ulje e numrit të bashkive nga 61 në 46. Sipas propozimit, 28 bashki do të konsolidohen në 13 bashki të reja. Bashkitë që preken nga riorganizimi janë:
Fushë-Arrëz + Pukë → Bashkia Pukë
Klos + Mat → Bashkia Mat
Rrogozhinë + Kavajë → Bashkia Kavajë
Dimal + Berat + Poliçan → Bashkia Berat
Patos + Fier → Bashkia Fier
Divjakë + Lushnjë → Bashkia Lushnjë
Selenicë + Vlorë → Bashkia Vlorë
Maliq + Korçë → Bashkia Korçë
Këlcyrë + Përmet → Bashkia Përmet
Memaliaj + Tepelenë → Bashkia Tepelenë
Libohovë + Gjirokastër → Bashkia Gjirokastër
Cërrik + Elbasan + Belsh → Bashkia Elbasan
Prrenjas + Librazhd → Bashkia Librazhd
/rtsh.al/