Harta e re gjyqësore, Meta: Në shkelje të Kushtetutës! Shkrirja e gjykatave nuk sjell zgjedhje të kolapsit të krijuar

Harta e re gjyqësore për presidentin Ilir Metën është në shkelje të Kushtetutës pasi nuk garanton të drejtat dhe liritë themelore të individit. Meta shprehet se shkrirja e gjykatave nuk sjell zgjedhje të kolapsit të krijuar dhe nuk zgjidh problematikën e stokut të çështjeve të mbartura prej vitit 2016-2017.
Presidenti bën thirrje KLGJ se vendi ynë ka nevojë urgjente për gjyqtarë dhe prokurorë që të plotësojnë vakancat të krijuara për shkak të procesit të vetingut.
“Vendimi për miratimin e hartës së re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta, si dhe me keqardhje konstaton se ky vendim është në përkrahje me një sërë shkeljesh të konstatuara në proceset penale, civile e administrative të zhvilluara në gjykatat e të gjitha niveleve”,
Shkrirja e një numri kaq të madh të Gjykatave të Shkallës së Parë në Rrethe (13 gjykata) dhe Gjykatave të Apeleve (5 Gjykata), me justifikimin se nuk ka gjyqtarë, nuk është zgjidhja as më e mirë, as më e përshtatshme, dhe kurrësesi nuk mundet të jetë në përputhje me standardet europiane.
Grumbullimi i gjyqtarëve në një godinë, as nuk përshpejton proceset gjyqësore, as nuk zgjidh problematikën tepër shqetësuese të stokut të çështjeve të mbartura prej vitit 2016-2017, dhe as e ul mbingarkesës e gjyqtarëve, aq më pak, as nuk plotëson vendet bosh të krijuara në sistem.
Nisur nga këto zhvillime evidentoj edhe një herë se, vendi ynë ka nevojë urgjente për gjyqtarë dhe prokurorë të cilët të plotësojnë numrin e madh të vendeve bosh të krijuara në sistemin e drejtësisë. Kjo situatë nuk zgjidhet me shkrirje drastike të disa gjykatave në vend, pasi një riorganizim i tillë, cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes në çështjet penale, civile dhe administrative.
Si President i Republikës, prej më shumë se 3 vitesh kam kërkuar zyrtarisht dhe kam përsëritur thirrjen në adresë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucioneve të tjera qeverisëse të sistemit të drejtësisë, por dhe aktorëve dhe institucioneve të tjerë vendimmarrës se, duhet të angazhohen me seriozitet dhe me ritme më të shpejta për të plotësuar të gjitha vakancat e krijuara në sistemin gjyqësor.
Shqipëria ka nevojë jetike për një sistem drejtësie të pavarur, por dhe plotësisht funksional dhe efiçent. Qytetarët presin drejtësi dhe e meritojnë atë që të jepet, brenda afateve të arsyeshme”, shprehet Meta.
Me hartën e re nga 22 gjykata në vend do të mbeten 13 dhe nga 6 gjykata Apeli të mbetet vetëm 1, duke shkrirë gjykatat e shkallës së parë në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.
/rtsh.al/