Harta e re territoriale/ Përplasje midis deputetëve te opozitës

Shqyrtimi i reformës administrativo-territoriale u shoqërua me replika të forta në Komisionin e Ligjeve, ku opozita kundërshtoi mënyrën dhe ritmin e ndjekur për draftin. Deputetët Saimir Korreshi dhe Gent Strazimiri kërkuan që përpara vijimit të procedurës të merren në konsideratë edhe qëndrimet e bashkive dhe nisma e opozitës.
Korreshi akuzoi drejtuesin e komisionit se po i jep përparësi nismës së mazhorancës, ndërsa ironizoi edhe mënyrën se si janë trajtuar shkresat e ardhura nga pushteti vendor. Ai kërkoi që të gjitha materialet e depozituara në Kuvend të administrohen nga Komisioni përpara se të merret një vendim përfundimtar.“Ka Shqipëria pa fund probleme.
Këto të bashkive kanë një problem, i janë drejtuar Kuvendit, jo Maznikut. I janë drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Është binjakëzuar me Nikon? Ja sa ka ardhur ligji e keni patur furrën e nxehtë, më 31 gusht e çuat me vrap, direkt. Ai nuk ka pritur fare të vijë këtu, hyri dhe doli menjëherë. Po shkresat e mëparshme. Këta të reformës territoriale nuk dinë gjë, edhe ne të ligjit po në gjumë.
Nuk kemi ardhur për të folur për peshqit. Në Lushnje që ngordhën. Kur i dërgojnë këto nisma Kuvendit, të paktën ti marrim ne.
Gjithë kryetarët e bashkisë në rresht për një, se thotë zotëria me 9 apo 10 të tjerë. Datë 31 e sollën këta, këtu e vutë në lëvizje pilafin, apo ishte me lëng. Kur ne na thoni për dy javë, e jona duhet të flerë pas gjumit. Këtu nuk paska fjet gjumë, në bashkinë e Divjakës, tava në furrë. Jeni ju kuzhinier që gatuani më mirë. Pse nuk u bë brenda ditës edhe e jona. Apo kishte punë të tjera Niko?”, tha Korreshi.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, u përgjigj se edhe nisma e opozitës është përcjellë për konsultim te bashkitë, duke argumentuar se procedura e ndjekur nga Kuvendi ka qenë e njëjtë.
“Po më pyesni pse nuk e ka bërë për nismën tuaj. Nga Kuvendi i Shqipërisë, Sekretari i Përgjithshëm më ka bërë me dije se është nisur nisma juaj njësoj si e jona të gjitha Bashkive. Me të njëjtën procedurë, siç e keni kërkuar ju. Keni depozituar një projektligj dhe i keni kërkuar Kuvendit me ua nis të gjitha bashkive.
Në debat u përfshi edhe deputeti Gent Strazimiri, i cili e akuzoi Manjën se po vijon procedurën pa pritur administrimin e plotë të qëndrimeve të pushtetit vendor. Strazimiri kërkoi që të dyja nismat të shqyrtohen së bashku dhe ngriti pretendimin se po veprohet në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin.”, pohoi Manja.