Harta e shpërndarjes së parave për 2010-n
Diskutimi dhe miratimi në Kuvendin e Shqipërisë i projektbuxhetit 2010 përbën një mundësi të veçantë për të gjitha qendrat politikëbërëse e vendimmarrëse të institucioneve dhe të komunitetit të biznesit, për të përvijuar strategji adekuate në përshpejtimin e objektivave dhe projekteve që do të mundësojnë një progres më të shpejtë ekonomik e shoqëror të vendit tonë.
Në harkun kohor të rreth dy viteve, ekonomia globale përjetoi krizën më të thellë dhe më tronditëse që nga instalimi i rendit të ri botëror. E filluar si një krizë e sistemit financiar, më pas si një krizë besimi, kriza shumë shpejt zbuloi problematikën komplekse të funksionimit të sektorit real, duke çuar në rënien ekonomike më të thellë të 50 vjetëve të fundit. Mbyllja e një sërë kompanish përballë presionit të rënies së kërkesës dhe pamundësisë së uljes së çmimeve, rënies së eksporteve, bllokimit të investimeve direkte, pasigurisë së tregut sollën rritjen e papunësisë dhe rënien e dukshme të indeksit të konsumit.
Gjendja buxhetore e ekonomive më të mëdha të përfshira në krizë degradoi rëndë, e shkaktuar nga tre faktorë. Së pari, nga rënia absolute e të ardhurave buxhetore për shkak të krizës; së dyti, të financimeve publike që iu bënë sistemit financiar në prag të falimentimit dhe së fundi, për shkak të masave fiskale për rigjallërimin apo mbajtjen në këmbë të sektorit real, të cilat shpesh ishin të pasuksesshme. Si rezultat, vetëm në vitin e fundit borxhi publik i G20-s u rrit me të paktën 21% të PBB-së.
Edhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore u përfshinë në vorbullën e krizës në varësi të shkallës së ndërmjetësimit financiar dhe të reformave strukturore të kryera. Këtu problematika u bë shqetësuese, jo vetëm për shkak të stopimit të rritjes së lartë ekonomike të tyre, por rënia ekonomike u shoqërua me pamundësi të financimit të aktiviteteve publike, çka çoi në masa drastike në disa vende për uljen e pagave e pensioneve. Një fenomen specifik i krizës së vendeve të rajonit jashtë zonës së euros ishte zhvlerësimi i monedhave vendase, çka çoi në pakësimin drastik të rezervave valutore dhe një rritje të indeksit të çmimeve edhe gjatë periudhës së krizës.
Muajt e fundit sinjalet janë pozitive, ekonomia globale po rivitalizohet, e keqja ka mbetur pas, duke shtruar para të gjithëve sfidën e riadaptimit në botën ekonomike të paskrizës.
Përballë zhvillimeve të ekonomisë globale, ekonomia shqiptare performoi tepër pozitivisht. Rritja ekonomike në fund të 6-mujorit ishte rreth 5% dhe rritja vjetore do të jetë të paktën dy herë më e lartë nga vendet evropiane që do të kenë rritje në këtë vit, inflacioni 10-mujor në nivelin e poshtëm të objektivit të BSH-së (rreth 2%), niveli i papunësisë nuk shënoi rritje në 6-mujorin e parë, vëllimi i investimeve direkte pati një rritje 6-mujore prej rreth 12% dhe po ashtu investimet e huaja (mbi 50%). Rritje me ritme më të moderuara ka pasur edhe kreditimi i ekonomisë reale.
Megjithëse e vendosur në rrafshin botëror, ekonomia shqiptare ka shënuar një ecuri relativisht tepër pozitive për sa i përket sektorit financiar dhe atij fiskal, po kështu edhe ekonomisë reale, impaktet negative të krizës ekonomike globale janë ndier edhe në vendin tonë. Kanalet kryesore të transmetimit të kësaj krize filluan me një rënie të depozitave dhe pastaj si një shtrenjtim i kreditimit të ekonomisë, si një rritje e kostos së borxhit publik, si një rënie e kërkesës së eksporteve shqiptare në tregjet rajonale, si një reagim pasiv i konsumatorit vendas ndaj zhvillimeve në treg, si një rënie e vëllimit të eksporteve për shkak të uljes së çmimeve, si një ngadalësim i ritmit të të ardhurave buxhetore, si një shqetësim përballë zhvleftësimit të moderuar të kursit të këmbimit në raport me euron (rreth 10%) dhe si një pasiguri e investitorëve për botën e nesërme ekonomike. Kjo ishte gjithë tabloja e implikimeve të krizës globale në ekonominë shqiptare.
Përballë kësaj situate qeveria reagoi përmes shtimit të nxitësve fiskalë gjatë 6-mujorit të parë të vitit, në mbështetje të ekonomisë reale. Ne vijuam me politikën e uljes së taksave për të krijuar më shumë stimuj për ekonominë reale, duke ulur me 25% taksën e punës; mbajtëm një vëllim të lartë të investimeve publike, duke shkuar sa 10% të PBB-së, ose afro 1/3 e buxhetit, të shpenzuar për investimet publike; ne bëmë rritjen e pagave dhe të pensioneve dy muaj më parë se në vitet e zakonshme, nga data 1 maj, me të njëjtin program rritjeje sikurse edhe më parë; ne ulëm kërkesën e qeverisë për fonde në tregun e brendshëm financiar, duke e zëvendësuar me një kredi 200 milionë euro për shërbimin e deficitit buxhetor dhe të borxhit publik, marrë në tregun ndërkombëtar; ne përdorem gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2009 dhe në vazhdim të ardhurat nga privatizimet strategjike me një vlerë rreth 250 milionë euro për të mbështetur investimet publike dhe për të nxitur kërkesën e brendshme.
Të gjitha këto bënë të mundur që ekonomia shqiptare përfundimisht të mbetej jashtë vorbullës së krizës ekonomike globale.
Projektbuxheti i vitit 2010 merr në konsideratë të gjitha këto zhvillime dhe bazohet në skenarin për rikthimin e ekonomisë në parametrat e saj optimalë pas stresit të këtij viti. Ruajta e stabilitetit makroekonomik, mbajtja e deficitit në norma të ulëta dhe ulja e borxhit publik në përputhje edhe me Kriteret e Mastritit, si dhe zbutja e deficitit të llogarisë korrente përbëjnë objektivat bazё tё politikave tё koordinuara monetare e fiskale tё vendit. Këto objektiva përbëjnë dhe konturet themelore tё këtij kuadri makroekonomik brenda tё cilave kryhen projeksionet pёr tё gjithё variablat e tjerё makroekonomikë të paraqitur në projektbuxhetin 2010. Rritja ekonomike programohet në +6.5%, e cila do të vazhdojë të mbështetet nga filozofia e stimulimit të rritjes ekonomike nëpërmjet nxitjes së ofertës agregate dhe ndjekjes së politikave makroekonomike të mirëplanifikuara e mirëkoordinuara dhe nga thellimi i mëtejshëm i reformave ekonomiko-strukturore, krahas proceseve të tjera të natyrshme në të cilat po kalon ekonomia shqiptare. Inflacioni edhe gjatë 2010-s do të jetë brenda intervalit të përcaktuar nga Banka Qendrore, duke pasur kështu një inflacion më të ulët në krahasim me vendet e rajonit dhe mjaft të përshtatshëm me karakteristikat e ekonomisë shqiptare. PPB-ja për frymë do të rritet me rreth 10% dhe niveli i papunësisë mendohet të ulet me 0.3% në krahasim me fundin e këtij viti. Skenari bazё i kuadrit makroekonomik bazohet në linjën aktuale tё politikave makroekonomike, nё linjën aktuale të politikave e reformave ekonomiko-strukturore të shpallur në programin e ri të qeverisë së integrimit evropian, si dhe në sjelljen dhe në bashkëveprimin e natyrshëm e racional të aktorëve ekonomikë brenda kontureve të ambientit tё brendshëm e tё jashtëm makroekonomik i vlerësuar si më i mundshmi për periudhën afatmesme në vijim.
Programi fiskal i vitit 2010 është bazuar në ecurinë makro-fiskale të vitit 2009 si edhe në kuadrin e rishikuar makroekonomik 2010-2012. Ndryshimet në barrën fiskale të programuara për vitin 2010 synojnë konsolidimin e sistemit pa bërë rritje të nivelit të taksave, duke mos cenuar avantazhin e vendit me taksat më të ulëta, si dhe respektimin e programit të qeverisë në proceset integruese euroatlantike dhe rajonale.
Të ardhurat buxhetore parashikohen në nivelin e 361 miliardë lekëve, me një rritje prej 10.6 për qind kundrejt buxhetit të rishikuar të vitit 2009. Të ardhurat tatimore nga administrata qendrore do të rriten me 11.6%, duke shkuar në 28.2% PBB si të ardhura gjithsej.
Skenari i propozuar i të ardhurave buxhetore 2010, edhe pse i vlerësuar si tepër optimist përballë zhvillimeve të pasigurta të ekonomisë globale, ne mendojmë se është realist dhe i mundshëm. Ai argumentohet jo vetëm me analizën e detajuar të sektorëve të ekonomisë, por edhe me masat tashmë në proces për të përmirësuar më tej miradministrimin përmes informatizimit, minimizimit të informalitetit dhe evazionit fiskal. Gjatë vitit 2010 do të përfundojë implementimi i pajisjeve elektronike fiskale me transmetim në kohë reale të të dhënave, do të shtrihet e-file dhe e-payement në të gjithë vendin dhe të gjitha kategoritë e biznesit. Për më tepër, për rritjen e sigurisë në zbatimin e buxhetit, kontigjenca të mjaftueshme për të ardhurat janë parashikuar në projektin e paraqitur.
Buxheti i vitit të ardhshëm propozohet të jetë në shumën e 411 miliardë lekëve ose sa 32% e PBB-së. Pas përdorimit të stimujve fiskalë, për shkak të krizës në vitin 2009, ku niveli i tyre u rit në 34% të PBB-së, duke përdorur të ardhurat e privatizimeve të mëdha dhe ulur lehtësisht huamarrjen e re, buxheti i rikthehet nivelit të programuar në strategjinë e vendit për zhvillim dhe integrim. Qeverisja e vogël dhe në dietë, mbështetja e proceseve integruese të vendit, mbështetja e prioriteteve programore të qeverisë si dhe përafrimi me Kriteret e Mastritit, përbëjnë orientimet bazë të formulimit të tij.
Ndarja e tij mes përdoruesve dhe programeve brenda prioriteteve të programit të qeverisë është mbështetur ne procedurat e buxhetimit mbi baza objektivash e produktesh të vëna në zbatim në të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore dhe fondet speciale të tyre.
Buxheti që ju propozojmë për vitin 2010, respekton kornizën buxhetore afatmesme të vendit, duke privilegjuar si objektiva bazë:
Së pari, mbështetjen e prioriteteve të programit të qeverisë së integrimit evropian në fushën ekonomike, shoqërore dhe të reformave institucionale;
Së dyti, rritjen e përdorimit eficient, efektiv dhe me ekonomi të fondeve publike;
Së treti, theksimin e rolit aktiv të fondeve publike për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm të vendit, përmes një buxheti të sigurt e stabël në vetvete.
Ndër programet dhe politikat që prioritarizohen në buxhetin e vitit të ardhshëm do të veçoja:
Mbajtja e një norme të lartë në investimet publike. Edhe për vitin 2010, programohet që investimet publike të jenë sa 8% e PBB-së, pa përfshirë këtu investimet e pushtetit lokal me të ardhurat e veta apo përmes granteve të pakushtëzuara. Mbajtja e një norme të tillë në investime merr parasysh si nevojën e përshpejtimit të modernizimit të infrastrukturës në të gjithë territorin e vendit për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe të integruar ashtu edhe kujdesin për të mbajtur aktivë stimujt fiskalë për ekonominë edhe gjatë vitit 2010. Do të jetë përfundimi i veprave të mëdha të infrastrukturës kombëtare në proces, fillimi i punimeve në akset e mëdha rrugore që janë përmirësimi i shërbimeve publike dhe modernizimi e informatizimi i tyre, si dhe përmirësimi i infrastrukturës rurale, pjesë e programit të investimeve të vitit 2010.
Mbështetja me rritëm më të shpejtë e përmirësimit të shërbimeve në sektorët e shëndetit dhe arsimit publik. Fondet për shëndetësinë rriten me 20% në krahasim me vitin 2009 dhe investimet me 56% në këtë sektor. Ndërsa në arsimin publik respektivisht rriten me 12% dhe 32% në krahasim me vitin në vijim.
Buxheti në mbështetje të bujqësisë (MBUMK) rritet me 22% në krahasim me vitin 2009, duke rritur fondet për ujitjen, për programin e ullirit si dhe mbështetjen e buxheteve të familjeve e individëve për nxitjen e rritjes së prodhimit bujqësor e blegtoral.
Mbështetja për rritjen e mirëqenies shoqërore përbën një prioritet tjetër të buxhetit 2010. Në këtë kuadër:
-pagat parashikohen të rriten nga 1 korriku me 4-10% të nivelit ekzistues me një efekt vjetor prej rreth 6 miliardë lekësh;
-pensionet nga 1 korriku 2010 do të rriten me 7-15% nga niveli ekzistues me një efekt vjetor prej 5.8 miliardë lekësh (rritje 4-8 herë nga madhësia e inflacionit);
-fondet për politikat e mbrojtjes shoqërore rriten me 15% në krahasim me faktin e vitit në vijim.
Një program i ri në buxhetin e 2010-s është krijimi i fondit për zhvillimin e rajoneve. Ky program përbën një kontribut të ri në partneritetin e qeverisë qendrore me pushtetin lokal dhe merr në konsideratë nevojën e zhvillimit të integruar ekonomik e shoqëror të të gjithë territorit të vendit, duke mbështetur programet zhvillimore të qarqeve si dhe synon përdorimin eficient dhe efikas të fondeve të mëdha publike në funksion të zhvillimit të komuniteteve lokale. Ky fond, veç përdorimit të integruar të programeve te ministrive te linjës në fushën e infrastrukturës rrugore, ujësjellësve e kanalizimeve, bujqësisë, arsimit, shëndetësisë, pyjeve, kulturës e turizmit etj. do të mbështetet edhe nga fondi prej rreth 400 milionë eurosh i rrugëve rurale, funksional tashmë në FSHZH, si dhe nga fondi që do të implementohet së shpejti në të njëjtën formë e madhësi për ujësjellësit dhe kanalizimet. Do të jenë rreth 18 miliardë lekë që do të financohen në 2010-n në kuadrin e këtij programi të ri.
Ulja e mëtejshme e shpenzimeve administrative të aparateve të administratës qendrore merr një theks të veçantë në buxhetin 2010. Pas miratimit të ligjit për transportin publik, shpenzimet operative u ulën edhe me 14% në krahasim me vitin në vijim. Ftojmë pushtetin vendor që të adoptojë të njëjtën filozofi qeverisëse, pasi në 4 vitet e fundit kanë rritur plot dy herë shpenzimet administrative dhe gati po aq numrin e të punësuarve në administratat e tyre.
Dhe së fundi, prioritet i buxhetit 2010 është ulja e mëtejshme e deficitit buxhetor dhe borxhit publik në tërësi. Deficiti i vitit të ardhshëm do të jetë sa 3.9% e PBB-së dhe borxhi publik mendohet të ulet edhe me të paktën 1 pikë përqindje ndaj PBB-së. Kapërcimi i presionit të krizës me ulje të mëtejshme të huamarrjes së re gjatë vitit 2009 dhe një rritje e lehtë prej 1.5 pikësh përqindje e borxhit publik, e ardhur nga rritja e kursit të këmbimit, na jep siguri për përmirësimin e mëtejshëm të këtij treguesi për 2010-n. Rritja e kostos së shërbimit të borxhit publik, që reflekton zhvillimet në sistemin financiar botëror, përbën një sfidë për qeverinë që gjatë vitit të ardhshëm të rifinancojë pjesë të këtij borxhi me kosto më të ulët. Ministria e Financave ka hartuar një strategji dhe po e zbaton atë, e cila synon uljen e kostos së borxhit dhe rritjen e qëndrueshmërisë së tij afatmesme duke qenë aktive në tregjet e huaja të parave si dhe duke tërhequr bankat e zhvillimit me norma atraktive interesi në financimin e veprave të mëdha infrastrukturore, gjë që do të fillojë që gjatë 2010-s.
Në buxhetin 2010 janë parashikuar kontigjenca të mjaftueshme (rreth 1.5% e PBB-së) për të mundësuar implementimin e tij me siguri të plotë.