Rama të lexojë verdiktin e Brukselit
Është e vërtetë se tek ne ka pasur një abuzim të madh me termin “historik”, po në ka një rast kur kjo fjalë është e paplotë dhe e pamjaftueshme për të shprehur të gjithë kuptimin e vet, është vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së, që pranoi të hënën me unanimitet kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit. Grupi parlamentar i PS-së duhet të ishte sot këtu edhe për të ndarë me ne bashkërisht emocionet, por edhe meritën, për aq kontribut sa ka pasur, në reformat e mëdha për këtë hap të jashtëzakonshëm në procesin e integrimit. Për shkak të Edi Ramës, edhe ky është një shans i humbur për opozitën.
Sigurisht, ne nuk jemi këtu për t’i bërë gjyqin asaj dhe aq më pak për të ndikuar në vendimet politike të opozitës, të cilat ajo i merr në sovranitet të plotë. Kjo situatë absurde në kampin e Partisë Socialiste nuk na pengon ne që të përsërisim ftesën tonë serioze dhe të sinqertë për të bashkëpunuar, në radhë të parë dhe mbi të gjitha, në Parlament, sepse këtu është sheshi kryesor i debatit politik.
Por oferta jonë luajale, e cila sigurisht që do të mbetet në fuqi derisa në PS të gjejë terren arsyeja, nuk mund të na pengojë të themi se opozita gjendet sot në pozicionin e vet më të panatyrshëm, për shkak të trilleve dhe hallit personal të një individi.
Natyrisht që Partia Socialiste është në të drejtën e vet të protestojë dhe t’i gjejë vetë format e luftës politike, por është e pafalshme që një parti serioze të mos mbajë përgjegjësitë e veta për ngjarjet madhore që kalon dhe përjeton vendi. Edi Rama nuk mund ta zbehë as me soba gazi dhe as me batanije gabi në bulevard vlerën dhe peshën e jashtëzakonshme që ka për Shqipërinë verdikti i të hënës në Bruksel.
Kryetari i Partisë Socialiste mund të marrë çdo vendim për veten dhe për të tjerët që e rrethojnë, por ai nuk mund të mos lexojë që vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian ishte, sa një vlerësim realist për reformat e kësaj qeverie, aq edhe një ricertifikim i qartë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme të 28 qershorit.
Ne i themi zotit Rama se festa nuk mund të prishet, as duke u shfaqur i sterrosur për lajme të mira dhe as duke dalë i ngazëllyer për lajme të këqija. Përpara se të fërkosh duart për rënien e Shqipërisë në ranglistën e raportit të Transparencës Ndërkombëtare, duhet të pranosh përgjegjësinë e rëndë për gjendjen e nderë të korrupsionit të Bashkisë së Tiranës me lejet e ndërtimit. Në raportin e fundit “Doing business” të Bankës Botërore, Bashkia e Tiranës gjendet në bishtin e vendeve më problematike të botës, njësoj siç ndodhej Shqipëria në hartën e Transparencës Ndërkombëtare, përpara se ne të vinim në pushtet. Dhe askush në këtë vend, madje as aplikantët e tu të parimit “një pallat një votë”, shumica deputetë, nuk mund të mohojnë faktin se Bashkia e Tiranës është pol i rëndësishëm pushteti në Shqipëri. Që të kesh një grimcë besueshmërie, kur del me fytyrë të vrerosur para shqiptarëve, ditën e vendimit të madh të Brukselit, duhet të njohësh meritën e kësaj qeverie dhe kësaj mazhorance në ngjitjen impresionuese të Shqipërisë në vitin 2005, 2006, 2007 dhe 2008, në nivele që 5 vjet më parë ishin jashtë çdo përfytyrimi. Dhe ne të sigurojmë se pavarësisht dëshirave të tua malinje, ky trend ngjitës do të vijojë edhe në vitet e ardhshme.
Përpara se të dërgosh lajmëtarë të fatkeqësisë në tunelin e “Rrugës së Kombit”, duhet të kishe shkuar vetë dhe të kishe lejuar edhe të tjerët atëherë kur rruga po ndërtohej dhe kur ajo u bë e kalueshme për çdo shqiptar në të dyja anët e kufirit. Përpara se të gëzohesh për rënien gjeologjike të një masivi shkëmbor, duhet të kishe përshëndetur lajmet pozitive që vijnë nga Brukseli dhe kryeqytetet e tjera evropiane, që japin garanci të plota për liberalizimin e vizave brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.
Ne e dimë se ti dhe mbështetësit e tu nuk keni nevojë për viza që të udhëtoni në hapësirën Schengen. As ne këtu nuk kemi nevojë. Por, liberalizimi i vizave, që ti e injoron apo e bën qesharak me deklaratën e famshme të zgjidhjes brenda 7 ditëve, ka vlerë të jashtëzakonshme për miliona qytetarë të këtij vendi, ndaj ti as mund të tallesh dhe as mund të pengosh këtë ëndërr të shumëpritur dhe kërkesë legjitime të tyre.
Kjo javë ka prodhuar lajme të gëzueshme për shqiptarët, pavarësisht se festa ka qenë e përmbajtur, për shkak se që nga viti 2005 e deri më sot kjo mazhorancë dhe qeveria e saj i kanë mësuar ata të bashkëjetojnë me ngjarje të tilla. Ne jemi këtu për t’u angazhuar solemnisht se kjo praktikë do të vazhdojë për aq kohë sa qytetarët do të na besojnë votën dhe mbështetjen e tyre.
Ti thua se je i shqetësuar për lirinë e biznesit në Shqipëri, por halli më i madh që kanë sipërmarrësit shqiptarë është Gjykata Administrative, ligj të cilin nuk e miratojmë dot se deputetët e PS-së nuk vinë në Parlament, por edhe atëherë kur ishin, e zvarritën me të gjitha mënyrat që kjo çështje të mos zgjidhej.
Ti thua se ka probleme me lirinë e shtypit, por e vetmja gjë që kërkojnë gazetarët është një ligj modern, i cili në radhë të parë duhet të dekriminalizojë shpifjen, që ende gjendet si hanxhar në Kodin Penal. Dhe sigurisht që reformat marrin udhë dhe ngjizen në Parlament, jo duke shpërndarë trakte për protestat që bëhen në ditën dhe kohën më të papërshtatshme, si një aksion politik kundër integrimit.
Ti bën sikur u qan hallin banorëve të Orikumit për problemin e pazgjidhur të tokave që kanë marrë në përdorim, por ka qenë pikërisht Partia Socialiste, që jo vetëm nuk e ka dashur miratimin e ligjit, por e ka penguar me të gjitha format atë, duke braktisur sallën e Parlamentit.
Duke i thënë këto të vërteta, nuk kemi asnjë mëdyshje në ftesën tonë për bashkëpunim, por ne ndërkohë e kemi detyrim t’i shpjegojmë publikut se çfarë e pengon zhvillimin e një debati normal politik në këtë sallë dhe pse sot ndodhemi kaq larg njëri-tjetrit. Ne, në institucione, duke i shërbyer me të gjitha forcat dhe mundësitë zhvillimit dhe integrimit të vendit, kurse ata në një rrugë pa krye, duke protestuar kundër liberalizimit të vizave. Dhe duke mos u lodhur së përsërituri ftesën tonë, na duhet të theksojmë gjithashtu se ky qëndrim absurd i zotit Rama, në radhë të parë dhe mbi të gjitha dëmton vetë Partinë Socialiste, pasi ai nuk do të mundet të cenojë interesat e qytetarëve të këtij vendi për Shqipërinë evropiane dhe lëvizjen e lirë.
Duke përfunduar, mund të themi se kjo javë me zhvillime të vrullshme politike ka qenë një shans i humbur për opozitën, por po aq një shans i fituar për Shqipërinë.
*Kryetar i grupit parlamentar të PD-së