E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në arsim të bëhet si duhet



Kam ndjekur me vëmendje propozimin e zv.ministres së Arsimit, znj. Nora Malaj, sipas së cilës mësuesit duhet të qëndrojnë tetë orë në ditë në punë dhe të zhvillojnë orë shtesë në formë konsultimesh me nxënësit pas mësimit. Ky propozim nuk është zyrtarizuar akoma në formë urdhri për ta çuar në shkolla për zbatim. Fillimisht, mund të them se kjo nismë më duket e nxituar dhe jo efektive. Të zhvillosh konsultime pasi ke punuar pesë-gjashtë orë mësim (mësuesi) dhe gjashtë-shtatë orë mësimi (nxënësi), mbas një lodhjeje reale, interesi për orë shtesë konsultimesh më duket i pabazë dhe jashtë realitetit. Unë mendoj se rritja e rendimentit të orës së mësimit, klima mirëkuptuese mësues-nxënës krijon premisa për të mos krijuar boshllëqe në përvetësimin e mësimit. Nuk besoj se ka mësues që refuzon një nxënës i cili kërkon sqarime për probleme e paqartësi që janë krijuar gjatë procesit mësimor, por jam i çuditur nga disa drejtorë shkollash të Tiranës që nxituan të përkrahnin propozimin e ministrisë pa marrë më parë mendimin e grupeve të interesit: mësuesve, nxënësve, prindërve. Që çdo nismë të jetë e suksesshme duhet domosdoshmërisht të mbështetet nga ata që duhet ta zbatojnë atë në praktikë. Si një mësues me një kontribut dyzetvjeçar në arsim, gjithë këto vite kam përjetuar vetëm “reforma”. Pa mohuar sukseset, mund të thuhet se nuk është bërë aq sa duhet për të ndjekur zhvillimin e jetës në vendin tonë. Të vjen vërtet keq kur sot është rikthyer fenomeni i analfabetizmit, braktisja e shkollës nga nxënësit që i kap detyrimi shkollor, nxënësit mungojnë në bankat e shkollës për shkak të mundësive ekonomike, për shkak të fenomenit të gjakmarrjes, ngujimit etj. Nëse në sistemin e kaluar na e kishte fajin politizimi i shkollës, po sot, kush na e ka fajin!? Kam përshtypjen se si për çdo gjë tjetër, por sidomos në fushën e arsimit, gjërat fillojnë nga fillimi. Në vend që secili nga ne të vendosë nga një tullë në ngritjen e këtij muri të përbashkët, në vendin tonë është bërë zakon që sa ikën një ministër e vjen një tjetër, gjërat fillojnë nga e para. Të gjithë synojnë të rishpikin rrotën! Ka një mani për t’u bërë protagonist, mjafton që të thuhet se kjo është reforma Memushi, Pollo, Beja, Tafaj apo Nora Malaj... Me propozimet e fundit kam përshtypjen se ministria bën fjalë vetëm për Tiranën dhe ndonjë qytet afër saj. Nuk njihet ose anashkalohet me qëllim gjendja dhe kushtet në shkollat e tjera në rrethe apo zona të tëra në vend. Nuk kam qëllim t’i paragjykoj drejtuesit e rinj të ministrisë, por me veprimet e fundit më duket se po kthehemi mbrapa. Duket sikur s’ka mbetur gjë tjetër veçse t’u kërkojmë mësuesve të shkojnë të lexojnë gazetat në ndonjë qendër pune. Nuk ka pse të luhet me mësuesit. Mjaft u detyruan ata të shkojnë nëpër mitingje elektorale, mjaft u detyruan të zhvillojnë mësim ditët e shtuna dhe të diela. Është i vetmi profesion që punon me zile për çdo orë mësimi, me stres gjithë jetën për vendin e punës, për kontrollin e drejtorit, inspektorit etj. Janë këto arsyet që shumë nga studentët që mbarojnë për mësuesi, nuk punojnë në këtë sektor, pasi trajtimi nëpërmjet këtyre të ashtuquajturave reforma e ka kompromentuar të ardhmen e tyre në këtë profesion. Ministria duhet përkrahur në luftën kundër kurseve abuzive. Mendimi im është se duhen gjetur mekanizma për forcimin e cilësisë të mësimdhënies, ngritjen e nivelit profesional të mësuesve, ndërgjegjësimin e tyre për profesionin dhe rëndësinë që ka për zhvillimin e shoqërisë, por ministria do të bënte mirë të mendohej mirë para se të bënte fakt propozimin e orëve shtesë dhe konsultimeve. Është fakt se ka nxënës dhe mësues që duhet të bëjnë dy-tri orë rrugë në këmbë për të shkuar në shkollë. Po për ata kush mendon? Ka shkolla edhe në zona të thella e malore, ku në kushtet e dimrit apo motit të keq, nuk i shkon kujt ndërmend të bëjë konsultime, sepse dhe mësimi zhvillohet me mangësi. Ky është realiteti, duam apo s’duam ne. Shqipëria nuk është vetëm Tirana dhe disa gjimnaze të saj ku ka punuar dhe znj. Malaj. Nëse shkollat nuk kanë xhama, nuk ka ngrohje; kur çatia pikon e muret janë çarë, nuk të shkon ndërmend për orë shtesë e konsultime. Në përfundim, duhet të them së mësuesve u duhet kërkuar të bëjnë detyrën për të cilën paguhen sipas kontratës së punës. Më mirë mos u kërkoni punë angari, sepse i merrni me mend rezultatet!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›