“Banda e Durrësit”; Coli rikonfirmon vrasjen e Dishës, Berisha e quan kriminel
Procesi në ngarkim të “Bandës së Durrësit” vijoi sërish dje me procesin e pyetjeve dhe përgjigjeve mes të penduarit Adriatik Coli dhe të pandehurit Lulzim Berisha e avokatit të tij. Procesi ka kaluar sërish përmes replikave, fyerjeve mes palëve, ndërkohë që mësohet se Coli u ka qëndruar dëshmive të dhëna gjatë seancave të mëparshme në dëshminë e tij, për episodet për të cilat akuzonte Lulzim Berishën. Por, gjatë përballjes me të pandehurin dhe avokatin e tij, i penduari është etiketuar si kriminel prej tyre, çka ka sjellë edhe shkëmbime të ndërsjella fyerjesh mes tyre. Pyetje-përgjigjet mes Berishës dhe të penduarit Coli vijojnë prej tri seancash në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe bëhet fjalë konkretisht për episodet ku Berisha akuzohet si i implikuar për vrasje të ndryshme. Në seancën e djeshme është folur për vrasjen e Dritan Dishës, detaje rreth këtij ekzekutimi, si dhe autorët e dyshuar të saj. Seanca e pyetje-përgjigjeve të avokatit Arben Qeleshi dhe klientit të tij Lul Berisha përballë Colit do të vijojnë edhe në seancën e radhës. Një ndërhyrje në seancë ka bërë dje edhe avokati Ilia Ilia, i cili kërkoi pezullimin e gjykimit për t’u njohur me dëshmi tjera që ka dhënë Coli, por gjykata e ka rrëzuar kërkesën e parashtruar prej tij.