E Diel, 1 Nëntor 2026

Hartohet lista e rimbursimit për vitin 2010

28/12/2009  Barnat me rimbursim, ndryshime për pensionistët dhe të sëmurët kronikë
Lista do të hyjë në fuqi në janar të vitit që vjen
Përcaktohen alternativat e reja të barnave që do të bëjnë pjesë në listën e rimbursimit për vitin 2010. Pensionistët dhe të sëmurët kronikë do të jenë dy kategoritë që do të përfitojnë nga ndryshimet e pasqyruara në listën e re të barnave të rimbursimit. Ndryshe nga sa është vepruar gjatë këtyre viteve, për vitin 2010 është përcaktuar që hyrja në fuqi e listës me barnat e reja do të realizohet që në muajin janar (ndërsa për vitin 2009 një gjë e tillë është bërë e mundur vetëm gjatë muajit maj). Ekspertët e komisionit bëjnë të ditur se nuk ka pasur ndryshime drastike të listës, një pjesë e konsiderueshme e barnave ekzistuese do të vijojnë të jepen në sasitë që janë dhënë edhe për vitin që po lëmë pas, ndërsa për shumë barna të tjera janë ndryshuar dozat që do të shpërndahen me rimbursim.
Përballë këtyre ndryshimeve drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë kanë pohuar se kategoritë që do të përfitojnë nga kjo listë do të jenë pacientët kronikë, pensionistet, talasemikët e kategori të tjera. “Lista e re tashmë i ka kaluar Këshillit të Ministrave për miratim. Në hartimin e saj jemi të ruajmë balancat duke mos cenuar asnjërën prej kategorive përfituese”, - shprehen ata. Sipas këtyre burimeve mësohet se kjo listë nuk do të ketë shtime të barnave shumë të shtrenjta për shkak të fondeve të përcaktuara, të cilat për 2010-n pohohet të jenë më të larta.
100 %
do të jetë rimbursimi për kategori të caktuara personash, siç janë: veteranët me sëmundje kronike, invalidët e luftës, invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët.
100 %
do të jetë rimbursimi edhe për të sëmurët me tumore, transplantet e veshkës, sklerozës multiple, talasemisë major, për të cilat kostoja e trajtimit rezulton të jetë tepër e lartë.
50 %
do të jetë rimbursimi i pjesshëm për të gjitha kategoritë e tjera të popullsisë (që varion në përqindje të ndryshme), por jo më pak se 50 për qind kundrejt recetës së lëshuar nga mjeku.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›