“Shtëpia e polifonisë” e shpall Maliq Lilën “simboli i polifonisë”
28/12/2009 Bashkia e shpall “qytetar nderi” të Memaliajt
TEPELENË - Bashkia e qytetit Tepelenë dhe shoqata atdhetare “Labëria” organizuan pasditen e djeshme, në kinoteatrin e këtij qytetit, një veprimtari homazh kushtuar poetit, rapsodit popullor të talentuar, historianit pasionant dhe gazetarit tepelenas Maliq Lila, në 5-vjetorin e vdekjes. Gjatë kësaj veprimtarie ku morën pjesë grupe polifonike labe nga Gjirokastra, Saranda dhe Vlora, përfaqësues të pushtetit vendor, krijues dhe të afërm të poetit, u kënduan këngë të krijuara dhe përkushtuar këtij poeti, u shfaq premiera e një filmi dokumentar kushtuar jetës dhe veprimtarisë së këtij liriku të ngrohtë të polifonisë labe me producent dhe skenarist poetin e njohur tepelenas Petrit Ruka. Maliq Lila njihet në trevat e jugut si një krijues befasues këngësh polifonike që këndohen ngado në Labëri e në tërë Shqipërinë, e sidomos njihet si autor i këngëve të grupit polifonik të Bënçës.
Drejtori i Shtëpisë së Polifonisë, Bajram Lapa, gjatë ceremonisë së dorëzimit të titullit, ka çmuar kontributin e Maliq Lilës në krijimin e vargjeve polifonike mjaft prej të cilave të vlerësuara me çmime të ndryshme. “Sot, polifonia labe po vlerëson me titull një nga kolosët e mirënjohur në trevat e jugut, lirikun Maliq Lila”, është shprehur Lapa, duke nënvizuar se, ky poet me tekstet e tij i dha jetë Grupit të Bënçës, aq të famshëm në jug të vendit, por edhe në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndërkaq, nga krijimtaria e tij janë në qarkullim dy libra me poezi “Zilja e erës” dhe “Jashtë hënë e pjekur”.