E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet, masa të posaçme për hidrovoret

28/12/2009  Ushtria dhe Ministria e Ekonomisë nën alarm për shmangien e përmbytjeve
Reshjet e mëdha të ditëve të fundit kanë sjellë rritje shumë të madhe dhe të shpejtë të nivelit të ujit në digat e kaskadës së Drinit, por edhe të Matit. Kështu, dje gjatë ditës prurjet në kaskadën e Drinit shkuan në rreth 4 mijë metër kub në sekondë. Vau i Dejës dhe Komani po shkojnë drejt niveleve maksimale. Kjo situatë ka imponuar shkarkimin nga tunelet e sigurisë në Koman, Vaun e Dejës, por dhe në Ulëz.
Kryeministri Berisha po ndjek vazhdimisht situatën si me ministrinë e linjës, ashtu dhe me autoritetet vendore. Deri tani nuk ka përmbytje. Kryeministri ka urdhëruar ministrin e Brendshëm që të dërgojë drejt zonave të rrezikuara emergjencën civile, si dhe ministrin e Mbrojtjes për dërgimin në këto zona të reparteve të xhenjos.
Kryeministri ka kërkuar hartimin e evakuimit të banorëve në rast nevoje. Situata është nën vëzhgim të pandërprerë dhe në kontroll të plotë.
Ndërsa prej ministrisë së Mbrojtjes është theksuar se prurjet nga reshjet e mëdha të shiut të ditës së fundit po krijojnë një situatë emergjence në disa komuna në qarkun e Shkodrës. Për shkak të kësaj situate, me urdhër të kryeministrit Sali Berisha Ministria e Mbrojtjes ka marrë të gjitha masat për të vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e Forcave të Armatosura. Ushtria është në gjendje gatishmërie dhe ka vënë në dispozicion të autoriteteve të Ministrisë së Brendshme të gjitha mjetet për të ndihmuar popullsinë civile dhe për të kryer evakuimin e banorëve në rast nevoje. Ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm po ndjekin emergjencën.
Po kështu dhe ministri i Ekonomisë dhe i Energjetikës Dritan Prifti është shprehur se kaskadat janë nën monitorim të vazhdueshëm, për të marrë kështu masat e shmangies së përmbytjeve. Gjithashtu dhe nga Ministria e Bujqësisë bëhet e ditur se hidrovoret janë në gatishmëri për të përballuar situatën, si dhe janë ngritur shtabet e emergjencës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›