E Diel, 1 Nëntor 2026

Harvardi, universiteti që po ndryshon

Presidentja e Harvardit, historiania 61-vjeçare Drju Faust, flet për problemet financiare të këtij institucioni, menaxhimin e fondeve prej disa miliarda dollarësh dhe rolin e saj si grua që drejton një prej universiteteve më të rëndësishme në botë.

Presidente Faust, Barak Obama, një ish-student i Harvardit, tani po punon për shpëtimin e të gjithë ekonomisë amerikane. I keni kërkuar ndihmë financiare për të dalë nga kriza?

Jo, nuk e kam pasur kënaqësinë të flas me Presidentin.

E pranoni faktin se universiteti juaj po përballet me probleme të rënda financiare?

Edhe ne po e ndiejmë krizën. Plani i bursave të paguara nga ne do të bjerë me 30 për qind, ose 11 miliardë dollarë, deri në fund të vitit fiskal. Kështu që jemi të vetëdijshëm që po ecim në kohë të paqarta.

Pavarësisht humbjeve të këtyre kohëve, Harvardi mbetet universiteti më i pasur në botë, me arkëtime që thuhet se prekin shifrën 26 miliardë dollarë. Nuk duhet të ndiheni disi më të qetë?

Më lejoni t‘ju sjell shembullin e Fakultetit të Artit e Shkencës. Më shumë se 60 për qind e fondeve të tij shkojnë për të mbuluar shpenzimet operative. Kështu që nëse na ulen me 30 për qind hyrjet e duhura për buxhetin operativ, jemi të detyruar të marrim masa për ta kompensuar.

Nuk mund t‘i merrni paratë nga arka juaj gjigante?

Aktualisht jemi detyruar t‘i rrisim shpenzimet - përqindjen e tyre vjetore - për të mbajtur gjallë operacionet. Por arka nuk është një thes me para ku çdo president mund të fusë dorën e të tërheqë sa të dojë. Është një kapital operativ që shërben për të përmbushur projektet afatgjata. Nëse nis të marrësh para pa kriter, veç pakëson burimet që duhen në të ardhmen.

Po përse nuk e bëni, gjithsesi?

Më shumë se 70 për qind e hyrjeve tona financiare janë të specifikuara për fusha të caktuara. Donatorët thonë: "Këto para po i jap për një profesor frëngjishteje". Jam e detyruar nga ligji të mos i marr ato para për t‘i shpenzuar për një profesor biologjie, apo për ristrukturimin e një fjetoreje. Arka e Harvardit nuk është një thes gjigant parash; është në fakt një seri prej më shumë se 11 mijë llogarish me destinacione të specifikuara.

Me pak fjalë, ju duhet të kurseni para. Si?

Sot në mëngjes isha në një mbledhje dhe në tryezë kishte sanduiçë e hamburgerë. Nuk u besoja dot syve. Mendoja se ishte një aksident, pasi që në nëntorin e shkuar e ndërpremë servirjen e ushqimit gjatë mbledhjeve. Ndërprerja e kostove të kateringut është veç një prej shembujve të kursimit pa e prekur sistemin mësimor dhe atë të kursimeve.

Por ushqimi pa pagesë nuk përbën shqetësim për kolegët tuaj. Ata shqetësohen se Shoqata e Profesorëve do të humbasë peshë dhe se nuk do të jenë më në gjendje të afrojnë njerëz të rinj nga jashtë.

Aktualisht ajo e gëzon peshën e vet dhe nuk i kemi ngrirë punësimet e reja. Gjithsesi, kur largohet ndonjë shohim me shumë kujdes se si duhet vepruar. Si mund t‘i përmbushim nevojat studimore dhe kërkimore pa mbushur automatikisht çdo pozicion vakant? Rreth 50 për qind e kostove tona janë ato të personelit.

Harvardi ka qenë historikisht një magnet i trurit, një mikpritës bujar për kërkues nga e gjithë bota. Dikur i ftonit kokat e mëdha të mbanin një fjalim në Harvard e i mbanit për tre net në hotelet më të shkëlqyera. Këto lukse i takojnë tashmë së shkuarës?

Individi që vjen për tre net do të mbajë po atë leksion të shkëlqyer që do jepte edhe nëse ai apo ajo do të qëndronte në hotel veç një natë.

Gjatë viteve të fundit, rreth 40 për qind e të diplomuarve të Harvardit iu drejtuan fushave të investimit dhe konsulencës bankare. Në një fjalim që mbajtët vitin e shkuar i këshilluat studentët të kërkonin punët që u pëlqenin dhe jo ato më të paguarat. Përgjatë kësaj krize, do të jetë më e lehtë për ju nxitja e të rinjve për të ndjekur karriera më të frytshme?

Studentët e brezit 2009 po zbulojnë se është e nevojshme marrja e drejtimeve të tjera, pasi mundësitë në sektorin financiar janë pakësuar në masë të madhe. Gjithsesi, disa studentë më thonë se kriza i ka shtyrë të marrin drejtime që nuk do t‘i merrnin më parë. Ata pranojnë se pagat e majme do i kishin shtyrë drejt sektorit financiar.

Janë ta pangopshëm studentët e Harvardit?

Studentët e Harvardit nxiten. Çdo vit bëhen përpjekje të jashtëzakonshme rekrutimi nga firmat, të cilat u bëjnë studentëve oferta të pabesueshme. Dy ekonomistë shkruan një artikull të mrekullueshëm mbi punësimin në "Wall Street", ku arrinin në përfundimin se çdo njeri i arsyeshëm do ta pranonte një ofertë të tillë. Në thelb artikulli mbështeste idenë se një njeri racional nuk do të mund t‘u thoshte jo ofertave kaq bujare. Dhe unë do të shtoja se prestigji i këtyre vendeve pune ishte shumë i madh. Por me gjithë sulmet e fundit mbi industrinë financiare, prestigji është lëkundur.

Keni vërejtur ndonjë transformim të vlerave të studentëve gjatë kësaj krize?

Edhe para krizës ky përbënte një problem të mprehtë për studentët. Ata thoshin se përse i pranojmë këto punë? Ju e nisët duke më pyetur për Presidentin Obama. Ekziston një vullnet shumë i madh për të dhënë kontribut në përpjekjet e përgjithshme për ta bërë botën një vend më të mirë. Kështu, mendoj se ky shpirt, i kombinuar me pakësimin e mundësive në sistemin financiar, do të krijojë perspektiva të reja në sytë e studentëve.

Fituesi i çmimit "Nobel", Xheims Uatson, ankohet se studentët më të shkëlqyer të Harvardit nuk i futen rrugës së shkencës, pasi fitojnë më pak nga në "Wall Street". Në pjesën më të madhe të laboratorëve të Harvardit, më shumë se gjysma e studentëve vijnë nga Azia dhe Evropa, jo nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ka pasur shumë komente dhe studime ku shprehet shqetësimi për numrin e studentëve amerikanë që i drejtohen shkencës. Si ta bëjmë shkencën interesante për studentët? Besoj se nuk i kemi dhënë dot zgjidhje këtij problemi dhe se fillon përpara universitetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›