E Diel, 1 Nëntor 2026

Neritan Liçaj: E mposhta fatin, refuzova të jem skulptor mediokër

Thotë se e do profesionin e tij. Veten e ka renditur mes atyre njerëzve paksa idealistë, që nga masa e gjerë jo rrallë shihen e konsiderohen të çuditshëm. Në term përgjithësues quhen artistë. Brenda gjinisë së tyre i bashkon dhe i ndan trajtimi ndaj së bukurës. Neritan Liçaj ka zgjedhur ta shprehë veten në skenën e teatrit dhe ekranin e kinemasë. I përket brezit të aktorëve që kanë barrën e ndërlidhjes mes atyre më të vjetërve, sot ikona të teatrit shqiptar, dhe të rinjve që janë ende në sprova aktrimi. "Aktor në rritje e sipër", e përkufizon ai veten, tashmë i angazhuar në shfaqjet kryesore që vendosen në Teatrin Kombëtar. Edhe këto ditë, kur zyrtarisht sezoni artistik konsiderohet i mbyllur, është në sallën e provave. Trupi dhe hija që lëshon janë ato të zhonglerit të cirkut, skicuar nga dramaturgu më i njohur austriak, Tomas Bernard. Liçaj, së bashku me aktorët Vasjan Lami dhe Arben Derhemi, është përzgjedhur nga regjisori austriak Kristian Papke për të interpretuar në shfaqjen "Forca e Zakonit". Do të ngjitet vetëm një natë në Teatrin Kombëtar, në datën 20 qershor, për t‘u rikthyer më pas në shtator. Zhongleri i Liçajt është ai që ushqen e nxjerr në pah diktatorin e vogël që fshihet pas Garibaldit, pronarit të cirkut. I mësuar edhe më parë me role karakteresh, që veç të tjerash kërkojnë dhe një përshfaqje plastike, aktori tregon se po përpiqet të ndërtojë një figurë që i qëndron besnike autorit e njëkohësisht elegante. "Është një personazh i bukur dhe i dyzuar në të njëjtën kohë. Brenda tij jetojnë e shpërthejnë servilizmi, egërsia, ironia". Ky personazh, dashje pa dashje e ka futur edhe nën lëkurën e autorit, jeta e të cilit, e përçuar edhe në karakteret që krijonte, ka qenë shumë komplekse. "Është një vepër absurdi, një matematikë e lartë e teatrit", thotë Liçaj, i cili në këtë rast i referohet pritshmërisë së publikut. Ky është bashkëpunimi i disatë i tij me regjisorë të huaj që ftohen të vënë shfaqje në teatrin tonë. Francezi Erik Vinje e përzgjodhi të ishte pjesë e "Berberit të Seviljes", një realizim i spikatur i Bartolos, greku Vangjelis Theodhoropulos e bëri pjesë të "Trojanëve", ndërsa Papke i jep rolin e një zhongleri. Neritan Liçaj, në mungesë të rrugëve të tjera që aktorët të njohin disa shkolla teatri, i quan këto bashkëpunime mjaft përfituese. "Kam bashkëpunuar dhe kam përfituar mjaft nga regjisorët tanë, por në këtë rast ka një shkëmbim teknikash e shkollash teatrore. Secila nga shkollat, qoftë ajo greke, maqedonase, franceze, hungareze, austriake, kanë profilin e vet e sjellin këndvështrime të reja", thekson ai. Në këtë rast, mbetet vetëm në mundësitë dhe vullnetin personal të aktorëve nëse duan të bëjnë pjesë të tyre këto kultura. "Jam totalisht i hapur ndaj tendencave, rrymave dhe risive teatrore. Besoj se çdo aktor vepron kështu. Në Shqipëri është fakt që janë të pakta prirjet për të bërë një teatër ndryshe. Vazhdojmë të mbetemi tradicionalë dhe kjo nuk ka gjë të keqe, por duhet të jemi shumë më të hapur e për këtë lypset investim".

Liçaj, një aktor profesionist, e ka ushqyer pasionin për teatrin dhe filmin që kur ishte fëmijë. Në këtë rast, rrëfimet e tyre për këtë udhëtim nisin gati njësoj. Është magjepsja pas "famës" së këtij profesioni. "Kur shihja aktorë të njohur në televizor, ëndërroja që një ditë dhe unë të bëhesha si ata, të isha i njohur", tregon ai. Ndërsa sot atë përfytyrim fëmijëror e lidh edhe me një mision njerëzor: "Arti ka forcën e madhe që civilizon dhe kultivon njeriun. Ky është fitimi më i madh që merr një komb e një shtet, ndonëse politika jonë e quan gati një shpenzim të kotë teatrin, buxheti vjetor i të cilit nuk shkon më shumë se një kilometër rrugë e asfaltuar". Vizatimi dhe piktura ishin të tjera dëshira të tij. Kur mbaron shkollën, konkurron dhe fiton liceun artistik "Jordan Misja" për skulpturë. "Nuk isha shumë i talentuar, isha mediokër. Qe fati im i madh që e kuptova në kohë dhe nuk këmbëngula më kot të vazhdoja në atë fushë. Kështu fillova të merresha me teatrin, filmin, punova dhe investova shumë mbi dhuntitë e mia natyrale për të arritur në nivelet e një profesionisti", tregon ai. Nuk ruan shumë gjurmë të tij si skulptor. Janë gati 20 vjet më parë. Një pjesë të punëve i ka dhuruar, ca të tjera janë thyer apo kanë humbur. "Ruaj vetëm disa skica në një dosje", vazhdon Neritani. Është i kënaqur që "krijuesin" brenda vetes e spostoi në një degë tjetër të artit. Të ndjerit artist sipas tij nuk trashëgohet, as imponohet. Këtë gjë nuk do ta bëjë as me dy djemtë e tij, edhe pse janë shumë të vegjël për të çuar mendime të tilla në mendje. "Por kënaqem kur djali i madh Marku thotë se do të bëhem aktor" (Qesh). Nga koha kur të ardhmen e tij e mbushte me ëndrra deri më sot, e ndien veten më të pjekur profesionalisht, por edhe nga ana njerëzore.

"Përvoja, vitet e punës, bashkëpunimi me aktorët më të mirë që ne kemi, më ka pasuruar. Çdo shfaqje ku interpreton është një eksperiencë dhe shkollë e dytë". Filmi është një tjetër dashuri e tij. Në fakt ishte filmi dhe ekrani i televizionit që në fillim të viteve ‘90 e lakoi më shumë emrin e tij si aktor. Edhe sot, një pjesë e atyre që nuk e kanë ndjekur në rrugën profesionale, vazhdojnë ta portretizojnë për rolin te "Kasandra". Ky është një rast i mirë që për të shpreh fuqinë e ekranit, por e konsideron si handikap që te ne nuk ka një shkollë të mëvetësishme për aktorë filmi. Ndonëse në teatër emocionet i prek nga afër, e në film në sheshin e xhirimit, Liçaj çdo rol e konsideron pak a shumë si një fëmijë. "Duhet ta marrësh atë rol, ta rrisësh brenda vetes, t‘i përkushtohesh, t‘i japësh pasion e energji", tregon ai. "Por është një profesion i bukur", vazhdon më tej dhe ky është një motiv që e mban jo vetëm në skenë, por edhe në Shqipëri. "Unë e dua Shqipërinë. Nuk jam kundër atyre që largohen, secili bën zgjedhjet e veta në jetë. Jam patriot, jo nacionalist dhe do vazhdoj të jap kontributin tim këtu", thekson ai, teksa një sërë projektesh të tjera, qoftë në film apo teatër e presin. Teatri dhe filmi janë dy udhëtarë pa të cilët do të ndjehej i mangët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›