E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harxhi - Markus: KFOR forcoi sigurinë në Kosovë

Kalimi hap pas hapi i përgjegjësive të sigurisë tek shërbimi policor i Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës dëshmon se siguria atje po konsolidohet gjithnjë e më tepër, duke krijuar një klimë më të përshtatshme për zhvillimin ekonomiko-social në vend. Zv.ministrja e Jashtme, znj. Edit Harxhi, priti në një takim pune komandantin e KFOR-it në Kosovë, Lieutenant General Markus J. Bentler, i cili po zhvillon një vizitë në Tiranë, me ftesë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Gjeneral brigade Maksim Malaj. Në fokus të takimit ishin përmirësimi i gjendjes së sigurisë në Kosovë, roli dhe kontributi i KFOR-it në përgatitjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe bashkëpunimi i KFOR-it me institucionet e Kosovës dhe me vendin tonë. Znj. Harxhi e falënderoi Gjeneralin Bentler për punën e shkëlqyer që bëjnë trupat e KFOR-it të drejtuar prej tij në shërbim të ruajtjes dhe forcimit të sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë si dhe për bashkëpunimin me institucionet e Kosovës. Bashkëbiseduesit gjithashtu theksuan se rritja e pranisë së mekanizmave të BE-së në veri të Kosovës, si EULEX, Shtëpia e BE-së dhe emërimi i përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në veri të Mitrovicës, ambasadorit italian Michael Giffoni, do të ndikojnë së tepërmi në përmirësimin e jetës së përditshme të komunitetit serb që jeton atje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›