Zonat turistike, caktohen procedurat për pronësinë
Në bazë të vendimit të miratuar dje, përcaktohet qartë bashkërendimi i punës mes Agjencisë së Legalizimeve
Këshilli Ministrave përcakton mënyrën se si do të vendoset pronësia e truallit shtetëror në zonat me përparësi turizmin. Në bazë të vendimit të miratuar dje, përcaktohet qartë bashkërendimi i punës mes Agjencisë së Legalizimeve, Zyrës për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme si dhe Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronës. Qeveria, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7 të ligjit nr. 10186, datë 5.11.2009, Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit e të ministrit të Drejtësisë vendosi që Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale të bëjë verifikimin në terren të njësive të ndërtuara menjëherë pas paraqitjes së kërkesës dhe pas kryerjes së parapagesës së tarifës nga subjekti i interesuar apo personi i stimuluar. Më tej, ALUIZNI, për verifikimin e gjendjes juridike të pronës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga përfundimi i verifikimit në terren i njësisë ndërtimore, do të kërkojë nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP) informacion për gjendjen juridike të zonës së stimuluar, të shoqëruar me kopjen e dokumentacionit që disponohet (kartelë apo regjistër hipotekor, hartë treguese të pasurisë, dokumentacioni ligjor i regjistrimit të pasurive dhe i transaksioneve të mundshme). Përcaktohet që nëse ZVRPP-ja konfirmon se zona e stimuluar është pronë shtetërore, atëherë ALUIZNI bashkërendon punën edhe me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të evidentuar, kur është e mundur, nëse ka: vendime të ish-komisioneve të kthimit dhe kompensimit të pronës, pranë bashkive ose këshillave të qarkut ose të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave, për njohje, kthim ose kompensim të pronës apo kërkesa në proces shqyrtimi, të depozituara nga subjekte, të cilat pretendojnë të drejtën e pronësisë mbi zonën e stimuluar. Pas këtij verifikimi, kërkesa për marrjen e informacionit i dërgohet AKKP-së, pas përfundimit të afatit të parashikuar në ligj, për paraqitjen e kërkesave nga subjektet e interesuara apo personat e stimuluar. Më tej, të gjitha këto institucione e dërgojnë informacionin e kërkuar pranë drejtorisë qendrore të ALUIZNI-t, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës. Faza e fundit është kur ALUIZNI, pas të gjitha këtyre verifikimeve, harton relacionin shpjegues sipas pikës 3 të nenit 7 të ligjit nr. 10186, datë 5.11.2009, Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin. Qeveria ka ngarkuar ALUIZNI-n, Hipotekën, por dhe AKKP-në për zbatimin e këtij vendimi.