Rama paralizon Tiranën, policia : Të mos bllokohet Sheshi
Berisha, Olldashit: Tri çështjet që do të diskutosh me Ramën
Trafiku, ligjshmëria dhe nisja e një diskutimi të gjerë për projektin e sheshit qendror të Tiranës janë tri çështjet që ministri i Punëve Publike dhe Ttransporteve, Sokol Olldashi, do të diskutojë me kryebashkiakun Edi Rama. Kryeministri Sali Berisha i kërkoi dje ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashi, të organizojë një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit për mënyrën se si duhet të rindërtohet sheshi Skënderbej. Së pari, problemi i trafikut, pasi projekti i ri, që përjashton sheshin nga funksioni i tij kryesor që ka aktualisht, trafiku, do të zhysë në një kaos total qarkullimin dhe trafikun në Tiranë. Së dyti, problemi i ligjshmërisë, pasi sheshi Skënderbej trajtohet si ansambël i trashëgimisë kulturore dhe Instituti i Trashëgimisë Kulturore ka paraqitur disa vërejtje serioze në lidhje me projektin e rindërtimit. Së treti, është ndërmarrja e një diskutimi të gjerë me qarqet e specializuara, katedrat e universiteteve, me qytetarë, analistë, në interesin më të mirë të planit dhe projektit. Në këtë pikë, Kryeministri ngriti shqetësimin e paqartësisë së vendndodhjes së monumentit të heroit kombëtar, Skënderbeut. Qeveria këmbëngul që projekti për sheshin qendror të Tiranës, atë "Skënderbej", tu shërbejë më së miri interesave të banorëve. Kryeministri e risolli dhe një herë në vëmendje këtë problematikë nisur dhe nga një takim që zhvilloi pak ditë më parë në Bruksel me firmën belge, hartuese e projektit për sheshin. Kryeministri e cilësoi takimin të frytshëm, pasi në të u parashtruan të gjitha shqetësimet që krijon zbatimi i plotë i projektit aktual. Ndaj dhe Kryeministri i kërkoi ministrit Olldashi të kontaktojë me kryetarin e Bashkisë së Tiranës për të diskutuar mbi sheshin për ndërtimin e të cilit, qeveria nuk ka kundërshti, por ngre shqetësimin e mungesës së zgjidhjes së trafikut të automjeteve. Problemi i parë madhor, sipas Kryeministrit Berisha, është trafiku në Tiranë, çështje të cilën ai tha se e ka diskutuar edhe me arkitektët belgë gjatë një takimi në Bruksel. Projekti i ri që përjashton sheshin nga funksioni kryesor, trafiku, do të zhysë në një kaos total qarkullimin dhe trafikun në Tiranë. Eksperimentin e parë e bëri sot (dje) z. Rama. U krijua një bllokim i përgjithshëm, ndonëse e bëri në kundërshtim me këshillën e specialistëve më të mirë të qarkullimit rrugor. Njerëzit mbetën kohë të tërë në trafik. Trafiku duhet të jetë përparësia më e parë, përndryshe u nxin jetën qytetarëve, i rrënon, - u shpreh Berisha. Si çështje të dytë, po aq të rëndësishme, Kryeministri ngriti problemin e ligjshmërisë së ndërtimit në shesh. Në zemër të sheshit, projekti aktual parashikon edhe ndërtimin e një platforme në formën e një piramide që Kryeministri e konsideroi të papranueshme. Kryeministri këmbënguli që çështja e sheshit "Skënderbej" të bëhet objekt diskutimi i gjerë me qarqe akademike, analistë e qytetarë. Këtu Kryeministri përmendi si fakt se firma belge nuk kishte dijeni për destinacionin real të ndërtesës që parashikohet të ngrihet pas Teatrit të Operës dhe Baletit. Po aq me shqetësim Kryeministri ngriti dhe çështjen e monumentit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, duke e konsideruar të papranueshëm largimin e monumentit nga sheshi. Kryeministri kërkoi gjithashtu zbatimin e të gjitha vërejtjeve të Institutit të Monumenteve dhe Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit.
"Nuk ka asnjë tendencë për të bllokuar ndërtimin e sheshit, por përcaktimet e Institutit janë të detyrueshme për bashkinë dhe qeverinë. Sheshi me vendimin e z. Rama është shpallur ansambël i trashëgimisë kulturore dhe në çdo vend të botës, zëri kryesor është ai i Institutit të Monumenteve", - tha Kryeministri Berisha. Instituti, sipas tij: "Ka përcaktuar shumë drejt se sheshi nuk mund të bëhet piramidë dhe ka sugjeruar një pjerrësi që lejon rrjedhjen e ujërave dhe respekton identitetin".
Kryeministri kërkoi që projekti i sheshit "Skënderbej" të diskutohet me qytetarët, analistët dhe përfaqësues të qarqeve akademike dhe kjo, sipas tij, gjeti mbështetjen edhe të arkitektëve. Berisha kundërshtoi edhe pretendimin për largimin nga ky shesh të monumentit të Skënderbeut. "Nuk më duket e drejtë që ne të heqim nga sheshi qendror monumentin e Heroit Kombëtar, Skënderbeu, që është realiteti më i madh historik dhe shpirtëror i shqiptarëve. Ne po lobojmë në kryeqytetet e botës për të vendosur shtatoren e tij dhe tani po tentojmë ta nxjerrim në hije në Tiranë", - theksoi z. Berisha. Ndërtimi i sheshit, - tha Kryeministri, - kërkon një bashkëpunim të ngushtë midis autoriteteve qendrore dhe vendore. Duke kërkuar që sheshi të mos përdoret për kapital politik, Kryeministri u shpreh se shpresonte që bashkia ti përgjigjej kërkesës për bashkëpunim të qeverisë. Sheshin, - tha Kryeministri, - duhet ta shndërrojmë në një gjë shumë të veçantë për qytetarët e Tiranës dhe tu dëshmojmë atyre se për sheshin nuk kursejmë dhe jemi të gatshëm të bëjmë më të mirën.
Dështon eksperimenti i Ramës, kaos në trafik
Eksperimenti i kryebashkiakut Edi Rama dje rezultoi i dështuar. Tirana u paralizua dje, për shkak se prova e parë e bashkisë bllokoi sheshin Skënderbej, duke sjellë një kaos në trafik që në orët e para të mëngjesit. Trafiku në Tiranë u bllokua për disa orë, ndërkohë që edhe punimet aktuale në shesh vazhdojnë të sjellin probleme në qarkullimin e makinave, por edhe këmbësorëve. Për zgjidhjen e trafikut në Tiranë, si pasojë e punimeve në shesh, bashkia vetëm para disa ditësh bëri publike dhe marrjen e masave, duke i kthyer disa rrugë me dy kalime e duke hapur edhe urën e re që lidh pallatet Agimi me ato Shallvare. Por deri tani marrja e masave nga ana e bashkisë ka qëndruar në nivel deklaratash. Në këtë mënyrë e gjithë Tirana u paralizua në mëngjes kur drejtuesit e automjeteve në kryeqytet janë bllokuar në trafik për shkak të punimeve që kryhen në sheshin Skënderbej. Trafiku, përveç kaosit, ka vonuar me mijëra qytetarë për të mbërritur në kohë në vendet e tyre të punës apo destinacionet e tjera, duke i revoltuar për këtë bllokim. Prova e djeshme e bashkisë nuk rezultoi efikase, pasi trafiku u bllokua në të gjitha rrugët e kryeqytetit, duke vënë në dyshim suksesin e studimit të bashkisë për trafikun në rast të bllokimit të sheshit.
Rama: Provë paraprake, nuk e heq Skënderbeun
Kryetari i bashkisë, Edi Rama, e konsideroi dje një provë paraprake, e cila në ditët në vijim do të shoqërohet me mbylljen përfundimtare të lëvizjes së automjeteve në qendër të Tiranës. Rama vuri në dukje se ka një studim të detajuar të trafikut, por, sipas tij, bllokimi do të ndihet vetëm në ditët e para, për sa kohë drejtuesit të orientohen më mirë me ndryshimet. Kryebashkiaku Edi Rama, duke inspektuar punimet në shesh, edhe me këshilltarin e Kryeministrit kuvajtian, financuesi i sheshit Skënderbej, bëri të ditur se problemi i trafikut do të zgjidhet në Tiranë, vetëm nëse Unaza e Madhe dhe ajo e Vogël bëhen funksionale dhe përfundojnë punimet në to. Sot është bërë vetëm një provë e parë. Kjo nuk mund të ndryshojë duke bërë një ndërprerje të menjëhershme dhe radikale të trafikut. Është e domosdoshme të fillojë puna për mbylljen e Unazës së Vogël, duke bërë shpronësimin tek INSIG-u, duke e kompletuar unazën, të fillojë puna për Unazën e Madhe, - tha Rama. Por kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, e ka shpjeguar këtë me faktin se bashkia ka bërë një provë të ndryshimeve të lëvizjes në drejtimet e rrugëve dhe u kërkon qytetarëve të bashkëpunojnë për të realizuar këtë projekt. Nuk ka mundësi që kjo të realizohet në kohën e duhur, në rast se të gjithë nuk japim pjesën tonë të kontributit, duke nisur nga bashkia, qeveria, mediat dhe qytetarët e thjeshtë. Sot është bërë një provë e parë. Kjo situatë nuk mund të ndryshojë duke bërë një ndërprerje të menjëhershme të trafikut, por secili duhet të ndryshojë në mënyrën e lëvizjeve të tij