Toka shtetërore, deputetët e PD-së kundërshtojnë mënyrën e pagesës
Ligjet, Bumçi: Jo pagesë më të lartë për ndërtuesit e ligjshëm
Kush ka ndërtuar një banesë me leje mbi një tokë shtetërore, nuk mund të paguajë taksë apo të privatizojë truallin me një çmim më të lartë se ai që legalizon ndërtimin e tij të bërë pa leje. Kështu shprehet deputeti demokrat Aldo Bumçi, i cili ka kërkuar që pikërisht ky parashikim të përfshihet dhe në projektligjin Për taksën mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror. Madje Bumçi propozoi dhe një diferencim të taksës për personat që kanë shtëpi banimi mbi truallin shtetëror në krahasim me ata që kanë dyqane apo biznese të tjera. Por propozimi i tij nuk është pranuar nga zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, i cili pohoi se është vendosur trajtim i barabartë për të gjithë ata përdorues të tokës shtetërore, pavarësisht ndërtimit mbi këtë truall. Të njëjtin arsyetim përdori dhe shumica e komisionit, e cila nuk pranoi propozimin e Bumçit.
Diskutimi
Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje nen për nen dhe më tej në tërësi projektligjin Për taksën mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, por kjo vetëm pas rreth 2 orë debatesh mes tyre. Neni 18 ishte pika më e nxehtë në këto debate edhe pothuajse të gjitha nenet e drafti pësuan ndryshime, por kryesisht për çështje teknike apo për të kuptuar më mirë sensin e ligjit. Kështu, gjatë diskutimeve të anëtarëve të Komisionit të Ligjeve dhe shpjegimeve të zëvendësministrit, u sqarua se neni 10 i tij përcakton qartë që shoqëritë tregtare nuk mund të blejnë truall në bazë të këtij ligji. Ndërsa i pyetur nga deputeti Bumçi pse nxitet shitja dhe jo qiraja dhe pse është përjashtuar pronari nga ky proces, Rushaj sqaroi se zbatimi i këtij ligji do të ndihmojë edhe procesin e kompensimit të ish-pronarëve, sepse asnjë individ apo shoqëri tregtare që ka në përdorim truallin, nuk do të mund ta mbajë më, ose do të ushtrojë të drejtën e privatizimit, ose do të paguajë taksën. Deputetët Mesila Doda apo Fatos Hoxha kërkuan sqarime pse ishte lënë një masë prej 25 për qind për pushtetin lokal kur të gjitha kostot e zbatimit të këtij ligji janë për pushtetin qendror. Rushaj shpjegoi se kjo është në bazë të politikës së qeverisë për të mbështetur me buxhet edhe pushtetin lokal. Por ajo çka shkaktoi më shumë debat mes deputetëve, ishte pikërisht neni 18 i tij. Deputeti Bumçi e konsideronte absurde që një person që ka ndërtuar në shtëpi banimi mbi një truall shtetëror, të paguajë më shumë për privatizimin e truallit se një person që ka ndërtuar pa leje dhe legalizon banesën e tij. Ai kërkoi një barazim mes këtyre dy detyrimeve, çka u konsiderua si krejtësisht absurde nga kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali. Kreu i Ligjeve shpjegoi se nuk mund të vihet kurrsesi barazi për dy kategori të ndryshme, të cilat për më tepër rregullohen me një ligj të veçantë. Të njëjtin argument mbrojti dhe zëvendësministri Rushaj, i cili shpjegoi se Ministria e Financave ka menduar trajtim të pabarabartë për 13 mijë individët që kanë në përdorim truall shtetëror, pavarësisht nëse kanë ndërtuar mbi të shtëpi banimi apo dyqan, por pa marrë në konsideratë kategori të tjera. Bumçi madje e konsideroi si të patolerueshme dhe uljen me 20 për qind të pagesës, nëse kërkesa për privatizim bëhej 6 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit dhe shlyhej për 30 ditë, si dhe duke krijuar mundësinë që 20 për qind e vlerës të paguhej me bono privatizimi. Edhe pse deputeti Bumçi këmbënguli shumë në ndryshimin e këtyre çështjeve, drafti u miratua sipas propozimit të qeverisë. Projektligji rregullon mbledhjen e të ardhurave përmes vendosjes së taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror në përdorim të individëve që kanë përfituar nga procesi i privatizimit. Mbledhja e kësaj takse do të sjellë rritje në buxhetin e shtetit, i cili do të mundësojë një shlyerje më të shpejtë dhe më efektive të detyrimeve ndaj shtresës së ish-pronarëve. Ndërkohë që me miratimin e këtij projektligji do të krijohet mundësia që të përfitohet një shpërblim i drejtë dhe real për pronën shtetërore.
Diskutimet në Komisionin e Ligjeve
Aldo Bumçi
Propozim konkret është për çështjen e ndërtesave për banim. Nuk është e drejtë që ata që kanë ndërtuar me leje, të paguajnë njëlloj me ata që kanë ndërtuar pa leje. Duhet të bëjmë përjashtim. Nuk është e drejtë.
Alfred Rushaj
Do komplikohej procedura nëse do vendosnim shenjë barazimi. Me këtë ligj po trajtohen në mënyrë të barabartë të gjitha subjektet që kanë në përdorim troje shtetërore. Pjesa e pronarëve që mund të kërkonin që dhe ata të kompensoheshin është punë tjetër.
Aldo Bumçi
E kuptoj që Ministria e Financave mund të ketë vështirësi në identifikim. Janë 13 mijë ndërtime të tilla, një pjesë dyqane dhe një pjesë shtëpi. Trajtimi i veçantë të bëhet me shtëpitë. Kam shqetësim unë si deputet që të paguhet njëlloj.
Ilir Rusmali
Ne po bëjmë një ligj me të cilin vendosim pagesën e taksës për përdorimin e truallit shtetëror. Pronar është shteti dhe dikujt që e disponon tokën, ne i vendosim taksë. Pasi vendosim, themi prit, se ne mund tu japim një mundësi që të bëhen pronarë, duke paguar këtë shumë dhe kjo është një gjë që ne u japim me vullnetin më të mirë që të bëhen pronarë. Pasi ua japim, fillojmë e diskutojmë, pse tia japim, po tia falim, për të qenë të mirë dhe të marrë votat pse mos i japim dhe një shtëpi në bregdet. Me këtë qëndrim largohemi nga objekti. Sot e mbrapa administrohet për tu siguruar të ardhura shqiptarëve dhe këtu kam parasysh votuesit e tu Aldo, votuesit e mi dhe ata që nuk kanë votuar për ty e mua. Janë të gjithë njerëz, interesat e të cilëve ne po kërkojmë të mbrojmë. Komuniteti i shqiptarëve është më i madh se komuniteti i komshiut apo lagjes sime. Duhet të operojmë me këtë logjikë se jemi përfaqësues të popullit dhe kemi detyrime ndaj tyre. Nëse ligjin e bëjmë në interes të shqiptarëve, ta bëjmë në interes të tyre dhe jo të themi që tani që plotësuam interesin e shqiptarëve, të hamë pak nga interesi i tyre për komshiun apo zonën elektorale.
Aldo Bumçi
Unë si deputet kam votuar ligjin për legalizimin. Unë si deputet qytetarëve që kanë ndërtuar me leje, nuk mund tu vendos një çmim më të shtrenjtë se atyre që kanë ndërtuar pa leje.
Ilir Rusmali
Me të gjitha ligjet e botës dhe ligjet e këtij vendi, aktet kushtetuese etj., barazia nuk mund të vendoset mbi kategori të ndryshme. Zëvendësministri të tha se ne trajtojmë në mënyrë të barabartë subjektet, por jo të barazojmë mollën me kumbullën. Janë të ndryshme. Nuk mund të operojmë me termin barazi kur gjërat janë të ndara.
Aldo Bumçi
Dakord që nuk mund të barazojmë gjëra që nuk barazohen. Për këtë arsye nuk mund tu kërkojmë njerëzve që kanë ndërtuar me leje, një çmim më të shtrenjtë se ata që kanë ndërtuar pa leje. E dyta, më intereson e drejta, jo vështirësia që ka Ministria e Financave për identifikimin e personave që kanë ndërtesë banimi.
Alfred Rushaj
Pjesën e identifikimit se nxora si pretekst. Ajo çka juridikisht përmenda, është fakti se kemi trajtuar në mënyrë të barabartë të gjitha subjektet që kanë në përdorim truall shtetëror. Nga ana tjetër, abstragova se edhe sikur të donim, procedura e identifikimit është thuajse e pamundur, por kjo nuk ishte baza mbi të cilën ne kemi arsyetuar.