Hasan Lika: Kemi dy mundësi, fitoren dhe... fitoren
Derbi me Tiranën e ka ndezur mjaft kampin e kuq, edhe pse në dukje stafi i Partizanit kërkon t’i hedhë ujë zjarrit. Por, urdhri i dhënë lojtarëve që të mos flasin për mediat flet për një realitet tjetër. Të gjithë janë të fokusuar tek armiku i përjetshëm dhe dashje pa dashje, është trajner Hasan Lika që e konfirmon këtë: “Tirana? Është derbi i jetës. Ne kemi dy rrugë, fitoren dhe...fitoren”.
Partizani është tërësisht i fokusuar në përballjen më të rëndësishme të sezonit, atë ndaj Tiranës. Është mëria dhe urrejtja e vjetër mes dy klubeve të kryeqytetit që i japin pak “erë futboll” ndeshjes. Për një partizanas të thekur, siç është Hasan Lika, ky derbi do të thotë vërtet shumë. “Është derbi i jetës. Është një ndeshje që ne duam ta fitojmë. Kur fillon kampionati, Partizani ka dy objektiva, të fitojë titullin kampion dhe të mposhtë Tiranën. Sezoni quhet i suksesshëm kur realizohen këto dy objektiva”.
Por si vjen Partizani në këtë ndeshje? Trajneri Lika nuk mban sekrete dhe thotë atë çka mendon. “Për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme, sepse nëse fitojmë marrim tre pikë me shumë vlera. Sigurisht që shpresojmë të fitojmë, por ne do të bëjmë detyrën tonë. Skuadra është në gjendje të mirë, përjashto mungesat që kemi prej disa ndeshjesh. Muzaka? Nuk po stërvitet se ka një gjendje të lehtë gripale, por mund t’ju siguroj se do të jetë në derbi. Tirana ka të skualifikuar Vrapin e Kçirën? Pak rëndësi ka, në një ndeshje të tillë të dyja skuadrat duan të fitojnë. Partizani ka një seri rezultatesh të mira dhe ne do të përpiqemi të ruajmë këtë seri. Tirana është një kundërshtar që duam ta mundin dhe kjo jo vetëm sepse jemi në luftë për titullin kampion, por sepse e kemi për detyrë një gjë të tillë”.
Sina: Tifozët duan fitore me Partizanin
E njëjta situatë është edhe në kampin bardheblu. Elvis Sina, mbrojtësi i Tiranës, ka deklaruar se, nëse nuk kanë mundur dot të kënaqin tifozët me një titull kampion, skuadra nuk ka aspak ndërmend t’i zhgënjejë ata në derbi. “Kemi vështirësi, por kjo nuk do të thotë se do të luajmë me Partizanin për barazim. Tifozët kërkojnë nga ne si minimum të mposhtim armikun e tyre dhe ne kemi për detyrë ta bëjmë diçka të tillë, si shpagim për daljen nga lufta e titullit kampion”, deklaron Elvis Sina.