E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR dhe PDK drejt daljes nga Qeveria

Fatmir Mediu

Republikanët dhe demokristianët mund të bëjnë hapa vendimtarë që shkojnë deri në kërcënim për largim nga koalicioni qeveritar

Republikanët dhe demokristianët mund të bëjnë hapa vendimtarë që shkojnë deri në kërcënim për largim nga koalicioni qeveritar. Zyrtarë të partive të rëndësishme qeverisëse thanë për “Korrierin”, se nuk përjashtohet kushtëzimi për reformë të gjithëpranuar zgjedhore me qëndrimin në qeveri dhe se ka mekanizma bllokues nëse kjo reformë i dëmton forcat aleate. Përzgjedhja e sistemit të ri zgjedhor, në bazë të të cilit forcat politike do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme parlamentare, rrezikon koalicionin qeverisës. Paritë e ashtuquajtura të vogla, aleate të Partisë Demokratike, këmbëngulin në caktimin si sistem të ardhshëm zgjedhor atë proporcional të individualizuar, njohur ndryshe si ai “gjerman”. Ndërkohë, demokratët edhe pse nuk janë shprehur zyrtarisht se cilin sistem zgjedhor mbështesin, kanë lënë të kuptohet se janë për sistemin proporcional rajonal, ndryshe ai “spanjoll”, i deklaruar zyrtarisht si opsioni i Partisë Socialiste. Ndarja në përkrahje mes PD-së dhe grupit të partive të vogla të djathta, pjesë e koalicionit qeverisës, mund të sjellë një çarje të pariparueshme. “O si themi ne, o ikim nga qeveria”, - tha një zyrtar i lartë republikan për “Korrierin”, por ai shtoi gjithashtu, se nuk flitej deri më tani për ndonjë vendim apo diskutim brendapartiak për ta kushtëzuar qëndrimin me reformën zgjedhore të gjithëpranuar. Ndaj, “o si themi ne, o ikim nga qeveria”, është lëvizja, në kohën kur diskutimet mund të mbyllen pa gjetur kompromisin. Këto hapa do të mund të jetë tepër rrënuese për mazhorancën dhe qeverinë e kryeministrit Sali Berisha. “Të vegjlit” e aleancës qeverisëse duket se janë shumë seriozë në qëndrimin e tyre dhe kjo mund t’i shkaktojë shumë dëme pushtetit të tyre dhe vijueshmërisë së qeverisjes së vendit. Tryeza e zyrtarëve të lartë të partive parlamentare, mbledhur ditën e djeshme në ambientet e hotel “Tirana International”, vendosi që në fillimjavën e ardhshme do të kërkohet që politika të diskutojë rreth çështjes së sistemit të ardhshëm zgjedhor. Mendohet se diskutimet do të jenë të gjera dhe do të zhvillohen në sallën e seancave plenare. Atje, grupimi i partive të vogla, të majta dhe të djathta, do të paraqesin zyrtarisht propozimin e tyre për sanksionim të sistemit zgjedhor të individualizuar. Ndërkohë që do të dëgjojnë edhe pozicionet e përfaqësuesve të dy partive më të mëdha të politikës shqiptare, Demokratike në pushtet dhe Socialiste në opozitë. “Të vegjlit” shpresojnë të gjendet gjuha e përbashkët. Burime nga partitë në koalicionin qeverisës i thanë gazetës se, nëse PD-ja nuk do të pranojë opsionin që do të paraqitet, atëherë do të vijohet edhe me presione. Në momentin kur PD-ja do të luajë rolin e shurdhit dhe do të këmbëngulë në idenë e saj, atëherë koalicioni do të mund të zhbëhet. Presionet ndaj demokratëve i ka bërë më parë në intervistë me “Korrierin” edhe kryetari i Partisë Demokristiane, njëherësh ministër i Shëndetësisë, Nard Ndoka. Ai ka thënë se PD-PS po përpiqen me të gjithë mënyrat e tyre që t’i ngushtojnë hapësirat e përfaqësimit të partive të vogla parlamentare, për përjashtimin e tyre, për mosnjohjen e mijëra votave që kanë këto parti politike. Në përgjigje të kësaj situate, Ndoka tha se ekzistojnë mekanizma parlamentarë bllokues, ndaj këto nisma të rrezikshme t’i kalonin edhe në referendum. “Ka mekanizma bllokues edhe në mazhorancën aktuale për të vazhduar më tej së bashku”, deklaroi Ndoka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›